E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse borxhi publik u serviret shqiptarëve si gogol?

SHKRUAN: Nezir Haldeda 02-02-2011 13:49

Ka një përfshirje shumë të gjerë në debatin ekonomik, nga shumë segmente të shoqërisë shqiptare, sidomos politika, por edhe shoqëria civile, akademia, sipërmarrës, organizma të ndryshëm etj. Kjo padyshim është plotësisht e shëndetshme në një vend demokratik, aq më tepër për vendin tonë me një ekonomi në rritje e zhvillim, ku kontributi i të gjithëve është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm. Në këtë debat të gjerë është dhe diskutimi që ka të bëjë me borxhin publik të vendit. Nisur nga dy lexime të gabuara që i bëhen çështjes së borxhit, me apo pa dashje, e gjykoj të nevojshme, por dhe detyrë nga pikëpamja institucionale, për të qartësuar një sërë faktesh të keqinterpretuara, por edhe abuzimet politike me subjektin e borxhit publik. Ky lloj abuzimi dhe propagande shpesh herë joprofesionale, po përpiqet ta shndërrojë këtë subjekt në “gogol” në opinionin e gjerë publik, te investitorët, apo palë të tjera të interesuara. Konkretisht, dy janë grup-arsyet kryesore për këtë përpjekje; Së pari, nga pasojat që ka lënë e shkuara e këtij vendi te një pjesë e këtyre analistëve, ku doktrina komuniste e përshkruante borxhin, fitimim, taksat etj. si fenomene të kapitalizmit e imperializmit. Së dyti, pamundësia dhe subjektivizmi në trajtimin e çështjes së borxhit publik, për vendin që zë në financat publike e sistemin buxhetor në tërësi në realitetin ekonomik kombëtar e global. Për më tepër, jo rrallë gjendet si temë interesante për të tërhequr vëmendje në media me dhe pa arsye. Minimumi që do të mund të pretendonim është të paktën ofrimi i mendimit e gjykimit tonë për një çështje të tillë, duke u mbështetur në fakte lehtësisht të verifikueshme. Tashmë vendi ynë, sikurse të gjitha vendet që operojnë hapur në ekonomi tregu, e konsideron borxhin si një instrument bazë për të maksimizuar oportunitetet në kohë për rritje e zhvillim. Nëse do të operohej pa financime, përveç pjesës që qeveritë/korporatat/individët gjenerojnë në kursin normal të aktivitetit të tyre do të humbisnin mundësitë në kohë për zhvillim, rritje dhe mirëqenie ekonomike. Imagjinoni një ekonomi që do të kishte borxhin publik zero; arsyetimi më i thjeshtë të çon në pyetjen se pse të mos kemi projekte kapitale që të kemi më shumë produkte, më shumë punësim, më shumë zhvillim. Raporti i borxhit në peshë specifike më Produktin Bruto, megjithëse qëndron edhe nën nivelin konvencionalisht të pranuar nga EU prej 60 për qind, tërheq një kriticizëm krejtësisht të pamerituar. Gjithashtu, deficiti buxhetor është shumë afër niveleve që asnjë vend i Komunitetit Europian nuk arrin t’i respektojë. Por kjo është pjesa krahasuese e çështjes, ndaj do të ishte me e udhës të fokusoheshim në interpretimin e fakteve dhe, ajo që është më e rëndësishme, argumentimin se ky nivel/strukture borxhi publik gjeneron shumë më tepër përfitime sesa kosto. Ai është tërësisht i menaxhueshëm e suportues i ekonomisë sonë të re në zhvillim. Kostoja efektive e shërbimit të borxhit është shumë më e vogël sesa rritja efektive ekonomike dhe efektet që gjenerojnë këto financime projektesh. Në kontekstin shqiptar, megjithëse me një borxh relativisht me maturitet të ulët krahasimisht me vendet e tjera me histori qindravjeçare kapitalizmi është një borxh që ka karakteristika të qëndrueshme dhe të përballueshme. Për më tepër, krahasuar me vendet e tjera të Europës e disa nga rajoni, është dhe më mirë. Struktura e borxhit publik ka pësuar një përmirësim të dukshëm në pesë vitet e fundit në dobi të rritjes atij afatgjatë kundrejt atij afatshkurtër, që automatikisht rezulton në ulje të kostos, pasi këto janë projekte të financuara nga bankat e zhvillimit. Përmendim këtu eurobondin, që jo vetëm zgjat maturitetin, por diversifikon instrumentet në portofol. Që prej vitit 2005 e në vazhdim borxhi publik në Shqipëri ka financuar vetëm investime kapitale dhe asnjëherë shpenzime operative, apo paga e pensione. Kjo vërtetohet statistikisht me një krahasim të thjeshtë numerik, ku huamarrja ka qenë gjithmonë më e vogël se shpenzimet kapitale për investime. Në pesë vitet e fundit vetëm gati gjysma e investimeve janë financuar nga huamarrja dhe gjysma tjetër janë financuar nga të ardhurat e mbledhura në vend. Diversifikimi i borxhit në kohë, instrumente, monedhë etj. ka një efekt shumë pozitiv në minimizimin e risqeve. Gjithashtu, një fakt tjetër shumë i rëndësishëm në këtë çështje është fakti se qasja konservative në trajtimin dhe buxhetimin për shërbimin e borxhit është një masë shumë efikase për të menaxhuar borxhin, pasi në statistikat dhe shërbimin e tij (buxhet) parashikohen edhe garancitë që janë në masën 300 milionë euro. Këto në fakt janë vërtet në stokun e borxhit, por në të vërtetë janë më shumë kontingjencë sesa borxh real për Qeverinë Qendrore. Kjo sepse janë kompanitë shtetërore që e shërbejnë këtë borxh (gjë që deri tani e kanë bërë mjaft mirë) dhe jo buxheti qendror. Megjithatë, në buxhet janë parashikuar dhe gjithmonë parashikohet një masë që lejon në rast se ndonjë nga kompanitë nuk mund të paguajnë në kohë. Në këtë mënyrë kemi demonstruar skenarin më konservativ, më të sigurt, që asnjëherë mos të ndeshemi me situata aspak të pranueshme mosshlyerjeje në kohë ndaj kreditoreve. Siç dihet, kjo nuk ka ndodhur dhe i gjithë sistemi ynë i menaxhimit buxhetor është i tillë për të siguruar gjithmonë këtë rigorozitet. Në përfundim, me këto shpjegime, edhe pse modeste dhe këtë qasje për subjektin në fjalë natyrshëm vjen mesazhi për profesionistët, politikanët, shoqërinë civile etj., që të mos abuzohet me propagandë duke e shitur borxhin publik si “gogol” shqiptarëve, për t’i trembur, por në vend të propagandës të ofrohen alternativa. Borxhi nuk është “gogol”, është instrument shumë i fuqishëm zhvillimi, për sa kohë menaxhohet në mënyrë racionale.

*Nezir Haldeda, MS. Zëvendësministër i Financave

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›