E Diel, 1 Nëntor 2026

UET nënshkruan marrëveshje me Microsoft

Tiranë, 2 Shkurt 2011 – Universiteti Europian i Tiranës (UET) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me korporatën e fuqishme ndërkombëtare, Microsoft, në fushën e arsimit të lartë. Kjo marrëveshje bëhet në kuadër të disa iniciativave të ndërmarra nga Universiteti Europian i Tiranës, si dhe nismës së nisur nga Microsoft, për të rritur rolin e teknologjisë së informacionit në fushën e edukimit dhe për ta përgatitur atë për ekonominë e së nesërmes, ekonominë e dijeve. Presidentja e UET-it Dr. Teuta Dobi theksoi në fjalën e saj që ‘një nga objektivat e këtij universiteti është përgatitja e studentëve tanë për tregun e punës, një treg i cili po ndryshon me hap shumë të shpejtë, si pasojë e zhvillimeve të reja teknologjike dhe kërkesave gjithnjë në rritje të ekonomisë vendase në sektorë të rinj dhe që nuk ekzistonin më parë’. Gjithashtu, ajo nënvizoi që ‘kjo aleancë midis Universitetit Europian të Tiranës dhe Microsoftit krijon dhe një urë komunikimi për integrimin e vendit akoma më shumë në botën globale dhe si të tillë ndihemi krenarë, që jemi zyrtarisht partnerë të kësaj korporate të fuqishme ndërkombëtare, që ka revolucionarizuar jetën tonë profesionale, por edhe atë të përditshme’. Sipas Dr. Dobit ‘sidoqoftë, në njëfarë mënyre, nënshkrimi i kësaj marrëveshje na ngarkon edhe me përgjegjësi, që shumë pak aktorë të tregut të sotëm shqiptar, publik apo privat, arrijnë t’i ndërmarrin. Kjo tregon, jo vetëm për guximin tonë, si një institucion serioz dhe i besueshëm në Shqipëri, por tregon dhe për vizionin tonë të ardhshëm, i cili përputhet me atë të Microsoftit dhe që synon t’i përshtatet ndryshimeve dramatike që kanë ndodhur në teknologjinë globale, rajonale apo lokale’. Përfaqësuesi i Microsoftit në Shqipëri Z. Arsen Kurti e falënderoi znj. Dobi për konsideratën e saj, si dhe ra dakord me faktin që tregu i punës në Shqipëri po ndryshon në mënyrë dinamike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›