E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH nxjerr rregulloren dhe datat

SHKRUAN: Jonida Tashi 03-02-2011 12:02

Ministria e Arsimit publikon rregulloren për zhvillimin e Provimeve të Lirimit 2011, si dhe datat e mbajtjes së tyre. Sipas rregullores, Provimet e Lirimit janë një standard i njësuar dhe i përgjithshëm provimesh në lëndët Gjuhë amtare dhe Matematikë, që vërtetojnë mbarimin e shkollës 9-vjeçare. Lëndët për të cilat zhvillohen Provimet e Lirimit janë dy: Gjuhë amtare dhe Matematikë. Provimet e Lirimit do të jepen vetëm me shkrim në një ditë të caktuar, ndërsa Nxënësi që nuk arrin t’i kalojë ato me sukses herën e parë, i rijep ato në sesionin e dytë. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për përfundimin e vitit shkollor 2010-2011 dhe për zhvillimin e Provimeve të Lirimit në sistemin e arsimit parauniversitar, Provimet e Lirimit për klasën IX do të zhvillohen më: 17 qershor Gjuhë Shqipe, 23 qershor Matematikë. Në sesionin e dytë të Provimeve të Lirimit, datat për nxënësit mbetës janë: 26 gusht Gjuhë Shqipe dhe Lexim Letrar, 29 gusht Matematikë. Përsa i përket ambienteve se ku do të zhvillohen Provimet e Lirimit, MASH ka vendosur që ato si mjedise të Provimeve të Lirimit të shërbejnë vetëm shkollat publike. Sipas rregullores, konsiderohen mjedise të përshtatshme për zhvillimin e Provimeve të Lirimit, ato mjedise që plotësojnë kriteret e mëposhtme: mjedisi më i vogël i përshtatshëm për zhvillimin e provimeve të jetë i mjaftueshëm për të paktën 15 nxënës; largësia ndërmjet çdo nxënësi të jetë jo më pak se 120 cm larg nga njëri nxënës tek tjetri, si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa; në ditën e provimit, në shkollë nuk zhvillohen aktivitete të tjera që ndërpresin provimin; mjediset të jenë të ajrosura, të pastruara dhe të ndriçuara; në mjediset ku zhvillohet provimi nuk duhet të ketë postera, tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim; nxënësit ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim; sipërfaqja që nxënësi ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 cm x 60cm. Për Provimet e Lirimit, në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël ose i barabartë me 20 KPL-ja e DAR/ZA-së grupon shkollat dhe cakton mjedisin ku zhvillohen provimet. KPL njofton KSHPL-të përkatëse për të lajmëruar nxënësit dhe për t’i krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet.

Kurse vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve do të bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Kështu, vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse do të mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) prej hartuesve të testeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit pranë DAR-it ose ZA-së (KPL) skemën e vlerësimit të testit dhe skemën e konvertimit të pikëve në nota. Pas kësaj, Komisioni i Provimeve të Lirimit pranë DAR-it ose ZA-së përzgjedh vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre. Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimeve. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. KPL-ja e DAR/ZA-së, pas çdo provimi, dërgon skemën e vlerësimit në Komisionin Shkollor të Provimeve të Lirimit (KSHPL), të cilat e afishojnë dhe informojnë çdo nxënës për të. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga DAR/ ZA, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Ndërkaq, DAR/ZA-ja ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Së fundi, shpallja e rezultateve do të bëhet jo më shumë se 15 ditë, pas çdo provimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›