Pse e kemi këtë logjikë dyshimi?
1.
Është interesant se, gjatë gjithë historisë, te ne, e sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore e këndej, gati çdo aktivist i denjë i çështjes kombëtare, çdo historian, çdo publicist, çdo politikan e çdokush tjetër që i ka kontribuar kësaj çështjeje, ka qenë shumë pak i besueshëm. Nëse është treguar më i guximshëm se kolegët e vet në një institucion shtetëror, në shtyp, në një aktivitet kombëtar etj., për të është thënë se farsë e ka këtë guxim, se ai e ka shpinën e fortë, ose se guximin e ka farsë për të luajtur ndonjë lojë të rrezikshme antikombëtare. Etj., etj. Edhe kur ka rënë në burg dikush politikisht, është thënë për të se nuk e kanë mbyllur pse është atdhetar, por për ta përdorur kundër të burgosurve të tjerë politikë!!! Për të gjallë të tij - të tyre - ka ose kanë kaluar nëpër tehun e asaj thënies popullore: "Hyp se të vrava, zhdryp se të vrava!".
Për të gjallë, janë detyruar t‘i ndrydhin dhimbjet shpirtërore që ua kanë sjellë individët xhelozë ose naivë, përmes intrigave brenda grupit të një sfere veprimtarie, brenda një rrethi më të vogël a më të madh. Kuptohet, jo kurrë në popull, por edhe kjo u ka mjaftuar që, së paku, të mos e ndjejnë atë kënaqësinë që ka njeriu kur bën një gjest pozitiv në shërbim të kombit. Madje, shpeshherë kanë rënë në pozita dëshpërimi, duke u tërhequr fare nga aktiviteti me të cilin kanë menduar se mund t‘i kontribuojnë këtij. Mirëpo, po të njëjtit, që e kanë krijuar këtë mjegull dyshimi për individin a individët që besnikërisht dhe me tërë qenien kanë punuar për kombin, si ka vdekur atdhetari që e kanë mbuluar vetë me këtë mjegull dyshimi, ose pasi që është vrarë nga regjimi serb, ose edhe nga kriminelët e pasluftës, i kanë thurur panaxherikë dhe oda aq të mëdha, sa e kanë ngritur kontributin e tij kombëtar qoftë gjatë aktivitetit politik, qoftë me penë, qoftë në luftë shumë më shumë se ç‘kanë qenë në të vërtetë.
Këtë mjegull para viteve ‘90, që ua krijonin kryesisht individët naivë, ose individët xhelozë që vetë nuk e kishin guximin e tyre për të mbrojtur si ata çështjen kombëtare, ose kundërshtarët në qasjen e kësaj çështjeje, por edhe individët e tjerë me instruksione të UDB-së, brenda një rrethi a shtrese të caktuar -pas këtij viti dhe pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, ua krijuan kryesisht kundërshtarët e konceptit politik, po edhe vetë kundërshtarët e tyre brenda një partie, që t‘i eliminojnë nga gara për ndonjë post të rëndësishëm. Kompromitimet që ua bënin njerëzve të shqiptarizmës individët e UDB-së, ishin të kuptueshme për ta, por të pakuptueshme kur ua bënte grupi brenda një sfere të veprimtarisë qoftë politike, qoftë shkencore, qoftë publicistike… Flasim, pa e analizuar mirë, çka dëgjojmë në rrugë, çka na thotë kush për kë për inate personale, për xhelozi ndaj zotësisë së tjetrit, për shkak të garës për pozita, për shkak të mendimit të kundërt politik etj. Nuk mërzitemi fare se fjala e rëndë dikujt i sjell dhimbje të madhe, i sjell dëshpërim. Flasim kuturu dhe sillemi sikur asgjë s‘kemi thënë!!!
Madje-madje, në vend që të na brejë ndërgjegjja për fjalën e rëndë që kemi thënë për dikë, ndërgjegjen e rëndojmë edhe më shumë, pasi individit që i kemi shkaktuar dhimbje për së gjalli, i thurim lavde, i bëjmë shkrime, në vend se të rrudhemi dhe të pendohemi thellë çka kemi thënë… Ka mjaft raste, kur për së gjalli, s‘kemi lënë gjë pa thënë për një atdhetar, dhe kur është vrarë a ka vdekur, kemi shkuar më larg se kaq: jemi deklaruar edhe shokë të ngushtë të tij!!! Kjo e rëndon edhe më shumë vdekjen dhe tragjikën e një atdhetari. Që të mos e përsërisim më këtë për të qenë dyfytyrësh në raport me atdhetarët, duhet të kujdesemi shumë se çka po themi. Duhet të mendojmë gjatë, para se të koritemi. Asgjë-asgjë, kur të koritemi, madje, së paku, të mos u bëjmë rëndë shpirtrave të të vdekurve, duke shkruar fjalë lavdie për ta. Shyqyr Zotit që të vdekurit nuk çohen, se po ta kishin këtë mundësi, në ditën e varrimit a me ndonjë rast tjetër, nuk kishin lënë t‘u afrohemi as te varret, as t‘u flasim te koka, as t‘u bëjmë shkrime për së vdekuri.
2.
Po kaq e dhimbshme është kur nga xhelozia provincialiste shumë atdhetarë e kanë lëshuar atdheun e tyre, të zhgënjyer nga skemat bllokuese që ua kanë bërë qarqet brenda vendit të tyre. Ata kanë ikur nga atdheu, për të vazhduar veprimtarinë e tyre kombëtare, për të qenë ata që vërtet janë. Për të punuar për atdheun, pa qenë pjesë e ingranazhit të klaneve të ndryshme. Atje ku kanë shkuar, kanë qenë shumë të respektuar. Kur janë respektuar për zotësinë e tyre në vendet ku kanë jetuar, atëherë i kemi respektuar edhe ne!!! D.m.th duhet të tjerët ta zbulojnë para nesh se sa vlejnë njerëzit tanë!!!
3.
Për të mos na u përsëritur kurrë kjo logjikë e shëmtuar, të gjithë duhet t‘i krijojmë bindjet vetë për të gjithë ata që janë të pranishëm në një sferë shoqërore, politike, kulturore etj. E jo ato të na i krijojnë të tjerët. Kështu s‘do të gabojmë kurrë. Se ai njeri që nuk e ka bindjen e vet, ai nuk është vetvetja, por gjithmonë do të jetë pjesë e ingranazheve të atyre që duan ta rrënojnë dikë si personalitet. Që duan të mos pranojnë vlera të mirëfillta. Që duan të shkelin mbi këto vlera. Popujt që kanë shkelur mbi vlerat e veta të mirëfillta, nuk kanë qenë kurrë popuj të çmuar. Se për të qenë të çmuar, duhet t‘i çmosh njerëzit e mëdhenj të tu. Sa më shumë emra të mëdhenj të kesh, po aq do të jetë respekti për ty si popull, si komb. Shikoni serbët se si kanë vepruar e veprojnë. Nga askushët, kanë bërë personalitete. Prandaj, duke pasur kaq shumë personalitete të krijuara edhe artificialisht, kaq shumë hapësirë kanë pas gjetur në botë që kjo t‘i tolerojë për kaq shumë kohë që Serbia të shkelë mbi kurrizin e popujve të tjerë.
Popujt që kanë shumë personalitete, përmes emrave të tyre, janë çmuar edhe kur kanë bërë gjenocid ndaj të tjerëve. Se bota e ka pasur shumë vështirë ta kuptojë se një popull që ka nxjerrë kaq shumë personalitete, mund të ushtrojë barbari në një popull tjetër. Të gjithë e dimë se sa kohë i është dashur botës ta kuptojë se Serbia vërtet është duke bërë gjenocid mbi popullin shqiptar dhe popujt e tjerë. Dhe këtë moskuptim e ka pasur pikërisht në sajë të personaliteteve të shumta që ka krijuar Serbia. Ja çfarë rëndësie ka krijimi i personaliteteve nga një popull. E të mos flasim çfarë roli luajnë ata kur një popull, siç jemi ne, bëjnë përpjekje për ta pasur shtetin. Sa më shumë personalitete që të kemi, aq më shumë e bindim botën se ne e meritojmë shtetin. Sa më shumë të përpiqemi të rrënojmë personalitete, po aq do ta godasim përpjekjen tonë për shtetin. Prandaj, koha është që ta çmojmë vetveten. Pa e bërë këtë, gjithmonë do të nënvlerësohemi nga të tjerët. Pa e respektuar vetveten, nuk të respekton ashtu si duhet as tjetri. Respekti për personalitetet tona, është respekti për atdheun. Për kombin. Për shoqërinë tonë.