PANGO-FORNICATION
Mbrëmjen e së mërkurës u shua një yll, u shua ylli i qeverisë "Berisha". Një yll që feksi katër vjet më parë, kur në një spot elektoral shqiptarët njohën Ylli Pangon, social-demokratin e konvertuar në KOP-ist, ndërsa invokonte kohën për ndryshim, i rrethuar nga një grup… vajzash të reja. U shua një yll i studiove televizive, që kësaj radhe u shfaq në rolin e neveritshëm të një "eksperti të fushës", duke iu jargavitur një vajze të re, që në moshë mund të ishte edhe mbesa e tij.
Shumëkush ia njihte këtë huq profesorit-ministër. Ia njihnim ne, që e mbajmë mend këtu e tridhjetë vjet më parë si "gjuetar" të palodhur të rrugicave të Tiranës. Ia njihnin më së shumti punonjësit e Ministrisë emërgjatë të Turizëm-Kulturë-Rini-Sportit, të cilën Pango e rimodeloi sipas shijeve të tij. Një vit më parë, një punonjëse e atij dikasteri, që ishte pushuar nga puna prej ministrit sqimatar vetëm për shkak se nuk ishte më e re, më tregonte se si një ditë i kishte shkuar në zyrë një nga ato rekrutet e reja të Pangos, një vajzë 22 vjeçe. E shqetësuar dhe e skuqur nga emocioni, kjo e fundit i dha koleges më të vjetër kumtin e lumtur se ministri do ta merrte me vete në një udhëtim "pune" në Paris. Gëzimi ishte i madh, por i tillë ishte edhe halli: në këtë "rrugë" të parë jashtë shtetit, vajza donte të linte përshtypjen e një nëpunëse serioze që e meritonte besimin e shefit. Ndaj kërkonte hua një kostum të përshtatshëm për rastin. "Po ç‘të duhet kostumi ty moj qyqare", ia pati kolegia më e vjetër, "në Paris jo kostumin, por edhe br… do t‘i kesh të tepërta"!
Pango e meritonte një fund të tillë. Ishte një nga ato karaktere të deformuara, që kanë buisur edhe në politikën shqiptare dhe që bashkë me "politikën e re", kërkojnë të kontrabandojnë edhe një moral të ri, sipas të cilit pushteti është bereqet, perversiteti është modernitet, e vesi virtyt. Sigurisht, përveç neverisë e përçmimit publik, z. Pango tani duhet t‘i bëjë llogaritë edhe me drejtësinë. Në shkelje të hapur të Ligjit të Shërbimit Civil, ai ka zbatuar "kodin" e tij të punës, të bazuar në rregullin feudal të "jus primae noctis". Ka shfrytëzuar postin zyrtar për të kryer akte të turpshme. Por, përpara se drejtësia të bëjë punën e vet, i pari që duhet të merret me z. Pango është kolegu i tij në qeveri, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, z. Beja. Ky duhet të fshijë urgjentisht listën e 3 mijë mësuesve dhe pedagogëve që qeveria bëhet gati t‘i pushojë nga puna. Në atë listë duhet të figurojë vetëm emri i Ylli Pangos, i këtij horr-profesori.
Pastaj, me rastin "Pango" duhet të merret seriozisht vetë Kryeministri Berisha. Pushimi i ministrit të kapur gafil ishte reagimi më banal që mund të bënte çdo Kryeministër i botës. Tani z. Berisha duhet të sqarojë shqiptarët për natyrën e marrëdhënieve të tij me ish-ministrin. Ky, dihet, ishte një i parapëlqyer i tij. Për të bërë ministër Ylli Pangon, z. Berisha, pa ndonjë arsye të dukshme, hoqi nga një post i tillë z. Bujar Leskaj. Për të mbrojtur Pangon, Kryeministri është "përleshur" si luan sa herë që ai është vënë përpara bankës së të akuzuarve nga opozita apo nga mediat, apo edhe nga vetë ministra e deputetë të mazhorancës së tij. Ai ka qenë çuditërisht i pranishëm sa herë që Pangua sillte në Kuvend ato projektligjet e dyshimta të tij. Cilat? Projektligjin për kthimin e terreneve sportive në zonë pallatesh, për shembull. Apo amendamentin për kthimin e zonave arkeologjike në zona ndërtimi. Apo projektligjet për zhdukjen e pyjeve dhe kthimin e zonave me interes historik, turistik e kulturor në zona të industrisë së çimentos (Krujë, Lezhë, Shkodër). Apo amendim-ligjet për vënien e federatave sportive nën kontrollin e ministrit. Apo tentativat e tij për t‘u futur këmbë e kokë në projektet për bregdetin e Jugut, për të cilat flitet aq shumë këto ditë. Kryeministri ka qenë qartazi i interesuar për kalimin e pisllëqeve të tilla dhe ka qenë pikërisht ai që ka bërë mbrojtjen e këtyre ligjeve a projekteve në Parlament. Pangua vetëm sa i sillte…Kryeministri ka lejuar në heshtje, që ministri i tij të harbonte kundër Teatrit të Operës, kundër Teatrit Kombëtar, kundër Institutit të Monumenteve, kundër projektit evropian "Butrinti", kundër Federatës së Futbollit, asaj të Mundjes apo të Ngritjes së Peshave…kundër të gjithëve.
Ndaj, skandali "Pango" duhet parë përtej moralit dhe patologjisë së autorit të tij. Te karriera politike e këtij njeriu karakteropat, narciz, arrogant, pa ideale, pa parime, pa parti, pa familje, pa miq e pa shokë fshihet një nga faqet më tragjike të demokracisë së sëmurë shqiptare. E cila, nuk dihet përse, paska nevojë për njerëz si Ylli Pango.