E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveri e gabuar!

Skandali i fundit i ministrit (tashmë ish) Pango shënoi një nga pikat më të ulëta të historisë politike të Shqipërisë. Pavarësisht se shumë nga ne kishin dëgjuar apo lexuar diçka mbi aventurat e ministrit të Kulturës që më parë, fakti përpara të cilit na vuri emisioni "Fiks Fare" përfaqëson turpin kolektiv të një shoqërie që tani zbuloi se po vuante edhe nga mungesa e vlerave në nivelin më të lartë. Që këtë e dinim apo e dyshonim të gjithë, por kaq pak nga ne kishin ngritur zërin kundër, do të na bënte bashkëfajtorë në çdo sallë gjyqi!

Dhe ndërsa mendonim se ky ishte kulmi, ja ku erdhi një kulm i ri. Thuhet se një numër i madh ministrash paskan telefonuar producentët e emisionit për t‘u siguruar se nuk ishin ata në filmimet. Duke pasur parasysh dietën e qeverisë që nga 2005, del se një në çdo dy ministra e dyshonin veten të kapur në shpërdorim detyre e ngacmim seksual. Kjo nuk ka fare nevojë për koment!

Pas turpit nga zyrat e qeverisë ndoshta do të ishte e udhës të ndalonim pak për të menduar për skandalin e radhës në një kontekst më të gjerë. Koha ka ardhur, pas tre vjetësh e kusur qeverisje, dhe vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve, që të rishohim edhe njëherë atë që ka bërë kjo qeveri jashtë reklamave apo betejave televizive.

Në fund të fundit, kjo qeveri ka mundur çdo rekord të mëparshëm skandalesh, aferash, ndërhyrjesh pavend apo mungese interesi për të bërë atë për të cilën janë zgjedhur. Ministri i Kulturës, që na habiti me shkallën e lartë të kulturës qytetare e institucionale në "Fiks Fare", është vetëm problemi më i fundit që i shtohet rezymesë së kësaj qeverie.

Kështu, në krah të tij në mbledhjet e qeverisë ulet dhe ministri i Ambientit, që është një nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në këtë vend të vogël, nëpërmjet gomave që importon. Pak karrige më poshtë ulet ai ministri që 17 vite më parë ishte ndër të parët që u ngritën për të kthyer në sheshin "Skënderbej" statujën e Enver Hoxhës nga Shkolla e Bashkuar. Në anën tjetër të tryezës ulet i vetmi ministër Financash në Evropë që mohon krizën globale ekonomike; e cila sipas tij do ta anashkalojë Shqipërinë meqë këtu është Kryeministër Berisha. Kemi aty pastaj edhe atë ministrin që i ka ngrirë në fytyrë një buzëqeshje që vetëm një abuzim prej çerek miliard eurosh mund të ta japë.

Në sallë spikasin të munguarit e mëdhenj si ish-ministri i Shëndetësisë që e privatizoi në emër të partisë së tij këtë dikaster, pasi e kishte rreckosur deri në palcë atë që më parë. Nuk është as ai ish-ministri i Mbrojtjes që po hetohet për një shpërthim 8 kilometra nga qendra e Tiranës, e që u dëgjua deri në Uashington dhe që kushtoi 26 jetë të pafajshme. Po ashtu mungon edhe ish-ministri i Drejtësisë, që po hetohet për tenderat që shpërndaheshin nga familjarë të tij.

Skuadra qeverisëse vazhdon të përfaqësohet nga këshilltarja ekonomike e kryeministrit që e mendon krizën grip, "që nuk më ka zënë se kam rënë nja 10 kile" siç bërtiti nga "Top Show", para dy ditësh, ndërsa shpjegonte ekonominë vetëm me anekdota. Më poshtë akoma është ai drejtori i harruar i tatimeve që akuzohet për torturim e vrasje, ish-drejtori i qarkullimit me pasion përplasjet me eskortën e kryeministrit, apo drejtori i burgjeve që i bënte presion familjarëve të presidentit të atëhershëm për të ndjekur direktivat kryeministrore.

Prandaj nuk mund të mendohet një pozicion më i parehatshëm se ai i njeriut të ulur në krye të tavolinës. Ai që nuk ndryshon kurrë. Ai që nuk tërhiqet kurrë nga objektivi i tij madhor, pavarësisht nga arsyet. Ai që për herë të parë në jetë shkarkoi një ministër nga detyra për një skandal publik, por që vazhdon të mbajë në tavolinë të paktën nja dhjetë skandale të tjerë. Kryeministri i duarve të pastra dhe i familjes të njollosur. Ai nuk tërhiqet, përkundrazi, gjasat janë që po përgatit goditjen e radhës me të cilën do të tërheqë vëmendjen e publikut nga skandali. Ai kurrë nuk di gjë për të këqijat, ama di gjithçka për vendtakimet e konspiratat e armiqve të tij. Ndoshta për një herë ky njeri duhet të pushojë së përgjuari kundërshtarët e të fillojë të përgjojë miqtë. Kushedi se sa bomba skandalesh e shashka mediatike për t‘i mbuluar ato do të na kishte kursyer! Kushedi sa qytetarë do të flinin të qetë!

Megjithatë shumë është humbur deri tani. Pas imazhit të drejtësisë, antikorrupsionit, punës, kjo qeveri humbi tani edhe moralin. Çfarë ka mbetur ende për t‘u humbur apo për t‘u votuar? Qeveria e këtyre katër viteve mund të përkufizohet vetëm me një fjalë: një zgjedhje e gabuar! Por do të ishte një gabim edhe më i madh të besonim se diçka do të ndryshonte në katër vitet që vijnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›