E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH hidhet në mbrojtje të kredimarrësve

Banka e Shqipërisë miratoi së fundmi një rregullore e cila synon të mbrojë klientët e bankave që marrin kredi overdraft, kredi konsumatore apo kredi me kolateral për prona të paluajtshme nga kontratat evazive apo kushtet e papërcaktuara. Rregullorja e miratuar dje detyron bankat që të vendosin një sërë sqarimesh në kontratat që nënshkruajnë me klientët, sqarime që rëndojnë mbi xhepin e klientëve gjatë gjithë kohës së shlyerjes së kredisë, por që shumë pak shqiptarë janë në gjendje t‘i dallojnë. Çështjet më problematike që sqarohen nga rregullorja lidhen me "kostot e fshehta" dhe me mënyrën e llogaritjes dhe përditësimit të normave referuese të interesit si euribor apo bono thesari. Gjatë muajve të fundit, shumë probleme u hasën në tregun bankar dhe shumë qytetarë filluan të ankohen për "rritje të kësteve mujore" apo mospasqyrim të euriborit në kreditë e tyre. Nga ana tjetër, shumë shqiptarë mësojnë pasi kanë nënshkruar kontratën për "kostot e fshehta", detyrime të ndryshme financiare që shoqërojnë kredinë dhe që nuk pasqyrohen në formë interesi.

"Qëllimi i kësaj rregulloreje është mbrojtja e interesave të kredimarrësve të kredisë konsumatore dhe kredisë hipotekore për individin, nëpërmjet sigurimit të transparencës dhe pajisjes së tyre me informacionin e nevojshëm, për të kryer krahasueshmërinë e ofertave në treg", - thuhet në rregullore.

Krijimi i një kuadri rregullativ në mbrojtje të konsumatorëve ka qenë këshillë e Fondit Monetar Ndërkombëtar që prej shumë vitesh. Shqiptarët hynë masivisht në tregun bankar gjatë gjashtë viteve të fundit, por shumica dërrmuese e klientëve të bankave nuk qenë aq të aftë sa të dallonin çmimin e produktit që kërkonin. Për më tepër, shumë banka ofronin reklamime të rreme, premtonin interesa të ulëta dhe nuk sqaronin në mënyrë të kuptueshme klientët mbi kostot e tjera. Në disa raste, kontratat me bankat përmbanin rregulla të tilla si "ndryshimi i kushteve nga ana e bankës pa njoftimin paraprak të klientit" etj.

Informacioni parakontraktor

Sipas rregullores, bankat tashmë do të jenë të detyruara të informojnë konsumatorin mbi normën efektive të interesit, e cila llogaritet sipas një formule të përcaktuar nga BSH. Bankat duhet të informojnë paraprakisht klientin edhe mbi të gjitha kostot e fshehta që shoqërojnë një kontratë kredimarrëse, përfshirë kostot ndaj palëve të treta, që krijohen nga kushtet e bankës, si p.sh. policet e sigurimit të jetës. Bankat duhet të informojnë qytetarin edhe për koston e mjeteve të pagesës së kredisë, si p.sh., një llogari apo një kartë, kosto që zbatohet nga disa banka. por që jo të gjithë klientët e dinë se e paguajnë.

Ballafaqimi i ofertave

Bankat reklamojnë mënyra të ndryshme llogaritjeje interesi, gjë që e bën të vështirë për konsumatorin të dallojë se sa do t‘i kushtojë realisht kredia që merr. Disa banka ofrojnë interesa bazuar në euribor 3-mujor, disa të tjera në euribor 12-mujor. Në bazë të rregullores së re, bankat duhet t‘i tregojnë klientit normën reale të interesit, llogaritur në bazë të një formule të përcaktuar. Në këtë mënyrë, qytetarët do ta kenë më të lehtë të marrin ofertat e disa bankave dhe t‘i ballafaqojnë ato para se të vendosin. Bankat detyrohen t‘i sqarojnë klientët edhe mbi rreziqet që marrin përsipër, si p.sh. rreziku nga kursi i këmbimit apo rreziku i ndryshimit të interesave në tregun ndërkombëtar.

Si ndryshohet euribori

Kontratat e reja për kredi për individ duhet të sqarojnë klientin edhe për periodicitetin e ndryshimit të normës referuese të kredisë, cilado qoftë ajo. Banka duhet të informojë dhe parashtrojë në kontratë "normën e interesit, kushtet që përcaktojnë mënyrën e zbatimit dhe përllogaritjes së kësaj norme, çdo indeks ose normë reference të zbatueshme, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, duke përcaktuar dhe mënyrën e njoftimit të konsumatorit për çdo ndryshim të mundshëm", - thotë rregullorja. Shqiptarët kanë filluar të interesohen për të mësuar se çfarë është euribori apo cilat janë normat e interesit të bonove të thesarit vetëm gjatë kohëve të fundit.

Kreditë që preken nga rregullorja

Overdrafti

Rregullorja detyron bankat për një kontratë paraprake me kushte të përcaktuara mbi kreditë me kufi (overdraft) kredi që ka filluar t‘u ofrohet të punësuarve në sektorin publik, edhe pse shumë prej tyre nuk ishin informuar për këtë produkt. Konsumatori duhet të informohet me shkrim për gjendjen e llogarisë.

Kredi konsumatore

Banka i paraqet konsumatorit në formë të shkruar informacionin

e duhur dhe kryesor, përpara lidhjes së kontratës së kredisë

konsumatore, në mënyrë që ai të ketë njohuri të plota për

transaksionin e lidhjes dhe ekzekutimit të kontratës, si dhe të

ketë mundësi të zgjedhë ofertën më të leverdisshme në treg.

Kredia për shtëpi

Banka detyrohet të informojë klientin për të gjitha kostot, përfshirë të ashtuquajturat "kosto të fshehta", si sigurim jete apo prone, në rast se këto të fundit kërkohen nga banka. Klienti duhet të dijë kushtet për shlyerjen e parakohshme të kredisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›