Aksidentohet për vdekje gruaja, i gjendet në brez pistoleta
SHKODER - Mjekët e Spitalit të Shkodrës njoftuan mbrëmë policinë për një grua të aksidentuar, së cilës iu gjet në trup një pistoletë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 18:15 në Bushat, kur 58-vjeçarja, nga fshati Kosmaç i kësaj komune, Fatbardha Mustafa është përplasur nga një kamionçinë. Drejtuesi i mjetit ndaloi dhe pasi i dha ndihmën e parë të aksidentuarës e çoi në gjendje të rëndë në spital. Bluzat e bardha nxituan t'i jepnin ndihmën e shpejtë gruas, e cila ishte rëndë dhe kishte pak shpresa për jetën. Kur e aksidentuara është dërguar në sallën e urgjencës dhe po kontrollohej për dëmtimet e mundshme që kishte marrë, mjekët konstatuan se gruaja ishte e armatosur. Ajo kishte të fshehur në brez një armë, pistoletë. Pas këtij konstatimi, mjekët sinjalizuan policinë e cila sekuestroi armën. Por armatimi i gruas mbeti i dyshimtë, pasi policia nuk arriti ta marrë atë në pyetje. Gruaja gjeti vdekjen rreth 1 orë më vonë. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet në lidhje me motivin që e ka çuar gruan të qarkullonte e armatosur. Nga verifikimet paraprake rezultoi se familja e saj nuk ishte në hasmëri dhe nuk kishte konflikte të ditura. Sipas burimeve të policisë, dyshohet se viktima lëvizte e armatosur për shkak të mungesës së ndriçimit në këtë zonë, larg nga qendra e komunës. Ky ishte edhe një motiv që e pengoi drejtuesin e mjetit që të dallojë të aksidentuarën që lëvizte në këmbë. Policia bëri të ditur se po heton ngjarjen. r.d