E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen, Berishës: Pres me padurim të punojmë së bashku



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, shpreh bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol stabilizues në Ballkan dhe më gjerë. Përmes një mesazhi dërguar dje Kryeministrit Sali Berisha, kreu i ri i NATO-s e uron atë për rizgjedhjen në detyrë dhe për formimin e qeverisë së re. Rasmussen thekson në mesazhin e tij se beson që Shqipëria do të mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë pjesë e komunitetit të demokracive të zonës së Atlantikut të Veriut. Rasmussen informoi dje Kryeministrin Berisha se në vazhdim të vendimeve të marra në samitin e fundit, Aleanca po pëson një transformim të rëndësishëm, ndërkohë që mbetet e përkushtuar në stabilizimin e Afganistanit. "Duke u mbështetur në suportin tuaj, unë pres me padurim të punojmë së bashku, drejt përgatitjes së samitit të ardhshëm të rëndësishëm në Lisbonë”, - bën me dije në mesazhin e tij Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. “Gjatë mandatit tuaj të mëparshëm si Kryeministër, Shqipëria u anëtarësua në NATO, organizatën më të rëndësishme dhe të suksesshme të sigurisë që ka bashkuar Evropën dhe Amerikën e Veriut. Suksesi i NATO-s qëndron në vlerat që ne të gjithë çmojmë shumë dhe në gatishmërinë tonë për t’i mbrojtur ato nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë”, - i shkruan Rasmussen Kryeministrit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›