E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse femrat diskriminojnëfemrat?

Nga Doriana Metollari*

Herën e fundit që kam dëgjuar një femër të kritikonte një tjetër, ndodhi para një javë në një restorant. “Nëna ime…asaj i shikohen të gjitha”, tha teksa rrotullonte makaronat në pjatë. Nuk vura re që partneri përballë ngriti kokën nga pjata e vet kur ia ktheu, “…shiko punën tënde, ç’do nga ajo…?” Argumenti mori fund më kaq.

Femrat, sidomos femrat që po lexojnë e dinë shumë mirë se për çfarë flas, apo jo? Kujt nuk i ka ndodhur të ndjehet qoftë një herë e diskriminuar nga një femër tjetër në punë, shoqëri, apo familje? Është instiktive brenda shumë femrave kjo gjë. Ata as nuk e kuptojnë arsyen, e bëjnë dhe kaq.

Për mua është nënshtrim instiktiv i atyre rregullave që në të vetvete ndjen se duhet t’i kritikosh. Paragjykimi i një tjetre në këtë rast ishte zili. Pak kush ka forcë të jetë vetvetja pa pyetur se çfarë mendojnë njerëzit rreth e rrotull. Pak ndjehen krenare për feminilitetin e vet dhe kur të tjerët përpiqen t’i gjejnë një dobësi dhe është shumë e lehtë për ta bërë, sepse femrat edukohen që në fëmijëri t’u pëlqejnë të tjerëve dhe opinionit. Ju thotë gjë shprehja standarde “…Jo, se kush e di çdo thonë të tjerët ?”

Tani do të flas për një pakicë. Zakonisht janë pak të pranueshme në rrethin e konservatoreve, të cilët duan të gjejnë medoemos një arsye për t’i bërë të ndjehen të dobëta. Si ? Në shumë mënyra. Të para janë pëshpëritjet dhe vështrimet e zgjatura, pastaj bisedat rreth saj me rrethin e vet shoqëror. E dyta, është ofendimi në rastin e parë që u jepet. E treta dhe ajo më e keqja, ulja e dinjitetit të saj në sy të meshkujve të tjerë, pa e ditur se kjo është mënyra më e mirë që një shoqëri me tendenca maskiliste si kjo e jona, bëhet dhe më shumë e tillë kur femrat i japin të drejtë.

Tmerr, e dashur !
Vajza, nuk ka receta për këtë, por mënyra më e mirë është të besosh në vetvete. Kultivoni besimin në vetvete dhe mos lejoni që shfryrjet e të gjitha atyre që mendojnë se duhet t’u pëlqesh të tjerëve, të depërtojnë brenda jush. Vëri veshin instinktit tënd dhe vepro, mos prit.

Dhe diçka, refuzoni të bini në po të njëjtin nivel me bashkëbiseduesit, nëse ju qëllon të dëgjoni paragjykime ndaj një femre tjetër. Mund të mos jeni dakord për shumë gjëra, por ka disa që nuk mund dhe nuk duhet t’ia prekni askujt. Është liria për të qenë vetvetja, prandaj për pak herë, vini në dyshim dhe mendimin tuaj, mbase t’i japësh të drejtë tjetrit në ndonjë rast ju ndihmon të kuptoni veten dhe ju bën më të fortë. Kur njeriu kupton arsyet e sjelljes së vet, bëhet gjithmonë më i fortë nga ç’ishte.

Vajza nuk jetoni për të qenë të bukura, dhe aq për t’iu pëlqyer të tjerëve, por nëse dikush tjetër përpiqet të jetë e bukur nuk është faj.

Si duhet të jeni? Është një prej atyre përgjigjeve të cilën nuk duhet ta pranoni t’ua japin të tjerët. Unë dhe po te dua nuk e bëj dot. Nuk besoj se ka norma shoqërore që duhet të rregullojnë lirinë individuale. Në kohën e komunizmit bëhej dhe të gjithë ishin dakord, por sot liria juaj mbrohet me ligj dhe është një e drejtë. Nuk flas për veshjen, flas për mënyrën e të qenit. Në këmbim mund t’ju them atë që mund t’ju dëmtojë shpesh herë. Paragjykimet, në përgjithësi.

Kujtoni diçka.
Sa herë që përpiqeni të ndërhyni në lirinë vetjake të dikujt, në të vërtetë keni lënë hapësira të ndërhyjnë në tuajën. Siç e shihni keni gjëra më të rëndësishme për të bërë. Përqendrohuni tek kjo, është ku e ku më mirë.

*Drejtore e HermesNews

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›