E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, përpjekje mjerane për të rrëmbyer fitoren e Lulzim Bashës

16-07-2011 / Gazeta 55

Sulmet e opozitës ndaj familjes kryeministrore - reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike iu është përgjigjur dje akuzave që Edi Rama hodhi në adresë të mazhorancës dhe anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Më konkretisht, sulmi i Edi Ramës ishte ndaj familjes së kryeministrit Berisha dhe trupës gjyqësore që vetë deputetët e Edvinit kanë votuar në Kuvend. Zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, tha se Rama, po ndërmerr sulme dhe akuza ndaj Kolegjit dhe familjes kryeministrore, pasi do të ngushëllojë vetën për humbjen. “Z. Edi Rama akuzoi dje gjatë ditës disa herë për korrupsion gjykatësit e Kolegjit, për vendimin e tyre me të cilin hodhën poshtë kërkesën dhe përpjekjen mjerane të tij, për t’i rrëmbyer fitoren kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Kurse sot për të ngushëlluar veten për disfatën e merituar personale që i rezervuan më 8 maj qytetarët e Tiranës, z. Rama në mediat e tij ndërmer sulmin e radhës e të paskrupullt ndaj familjarëve të Kryeministrit dhe konkretisht ndaj vajzës së tij, e cila sipas Ramës paska shpërndarë nga zyrat e saj milionat e ryshfetit të gjyqtarëve”- deklaroi Mustafaraj.
Zëdhënësja e PD theksoi se ndëshkimi në 4 gara dhe me 10909 vota në 8 maj është përgjigja më e mirë që qytetarët i dhanë kreut të PS-së.
“Partia Demokratike i rikujton z. Rama se ndëshkimi me 4 gara dhe 10909 vota ishte para së gjithash përgjigja e qytetarëve ndaj moralit të shpifjeve, trillimeve e sulmeve personale ndaj kundërshtarit politik dhe familjarëve të tij. Gjithashtu PD mendon se është tërësisht e panevojshme ndonjë gjë tjetër, veçse të përshëndesë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët e Tiranës që në 4 garat dhe 8 maj, firmosën me 10909 vota më shumë fitoren e “Aleancës për Qytetarin” dhe lanë në dëshpërimin e madh të shkuarën e vetmisë së thellë moralin e përbaltjes, shpifjes e mashtrimit”- u shpreh më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›