Pse ka kaq shumë atentate ndaj drejtuesve të komunave?
Sot në mëngjes në Kukës është plagosur me armë zjarri sekretari i Këshillit të komunës Gjinaj. Naim Bytyçi është plagosur rëndë nga Qamil Kastrati. Nuk dihen shkaqet e këtij krimi, por Bytyçi është në gjendje të rëndë në spital.
Sulmi vjen pak ditë pasi me armë zjarri u plagos edhe kryetari i komunës Baldushk, Elmi Allmuça. Ndërkohë një tjetër kryekomunar, Kleves Muja, që deri para pak ditësh drejtonte komunën Rrethina në Shkodër, është në spital në gjendje të rëndë për jetën pasi u plagos në burg. Ai ishte në qeli pasi kërkohej për trafik ndërkombëtar droge.
Një pyetje të lind, pse këta njerëz janë kaq të sulmuar?
E para, sepse janë të përzier në afera përpara se të zgjidhen në këto detyra.
E dyta, sepse bëjnë afera, qoftë edhe të vogla, kur vijnë në detyrë.
Dhe e treta, sepse askush nuk e di se si zgjidhen dhe si votohen këta njerëz. Vota në fshat nuk ka ndonjë vlerë, ndryshe nga sa ndodh përgjithësisht në qytete.
Një zgjidhje e propozuar për kufizimin e mandateve të tyre do ishte shumë e mirë, pasi shumë kryekomunarë nuk shkulen nga detyra prej 20 vitesh.