E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Stërhiqemi nga pakti me PD, duam reformë zgjedhore

Denis Dedej
Kreu i opozitës, Edi Rama i ka kërkuar dje publikisht kryeministrit Berisha që të pranojë reformën zgjedhore dhe përmirësimin e sistemit bazuar në problemet që janë vënë re në zgjedhjet e mëparshme. Por kryesocialisti ka kërkuar që këtë reformë ta kryejë duke respektuar afatet e vendosura në marrëveshjen e nëntorit.

Duam një reformë zgjedhore që të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për të zgjidhur problemin e vjetër të vërtetësisë e të transparencës së listave zgjedhore që të mos manipulohet më me to. Problemin e identifikimit të zgjedhësve që të mos votohet dot më me karta false apo me dhjetëra herë nga i njëjti zgjedhës. Problemin e numërimit të votave që të mos përsëriten më shfaqjet e shëmtuara të numërimeve maratonë.

Problemin e administratës zgjedhore që procesi i komisionimit të zgjedhjeve të mos jetë më monopol i dy partive të mëdha dhe që KQZ-ja të mos jetë më bandë qeveritare,- tha Rama.
Pas kësaj Rama hoqi dorë nga kushti i opozitës për ndryshime në Kushtetutë duke thënë se është i gatshëm të pranojë ndryshimin e sistemit edhe pa ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Me rishikim të sistemit nuk nënkuptojmë ndryshimin, por përmirësimin e tij në funksion të një demokracie më përfaqësuese të mozaikut politik të vendit. Në emër të interesit kombëtar dhe publik të Shqipërisë unë i bëj sot apel për ta konsideruar përmirësimin e sistemit si një punë dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën shqiptare,- tha Rama duke shprehur mbështetjen për kërkesën e partive të vogla. Për të mbështetur kërkesat e tij Rama i kujtoi Berishës se disa herë ka deklaruar publikisht se është gati të pranojë propozimet e opozitës, por më pas i shmanget atyre.

Duke iu rikthyer ngërçit politik të hasur dy ditë më parë në konferencën e kryetarëve, Rama tha se PS nuk do të tërhiqet nga pakti i 14 nëntorit të vitit të shkuar sepse, sipas tij, këtë pakt nuk e ka bërë me PD-në, por me qytetarët. Ne do vazhdojmë të punojmë intensivisht edhe për miratimin në kohën e parashikuar, por me cilësi të ligjeve që kërkojnë 3/5-tat e votave të parlamentit. Draftet e përgatitura nga qeveria, kryesisht korrigjime të nxituara të ligjeve ekzistuese janë si batanije të vjetra ushtarake të mbushura me arna. U bë një punë e mirë edhe pse e pamjaftueshme me kodet që kaluam fundvitin e shkuar.

Grupi ynë i punës po punon përditë me projektet që do të miratohen në vijim për të cilat ne do të japim votën tonë duke kërkuar vijimësisht që deri në sallën e Kuvendit ato të kalojnë përmes një procesi transparent gjithëpërfshirës,-tha Rama. Për këtë çështje, PS ka ngritur disa grupe pune, të cilat po shqyrtojnë një nga një të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›