E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia - shteti “nyje”

16-10-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Thënia se, çdo krahasim çalon, u rri siç duhet edhe  atyre, që vendosin Serbinë përballë Shqipërisë - si për heqjen një vit më shpejtë të vizave dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE shumë më shpejtë. Por, ata, duhet ta dinë se ky krahasim shkjepon në të dy krahët. Ai nuk vlen, dhe s’vlen fare.
Të dy shtetet, Shqipëria dhe Serbia, ballafaqohen me tjetërsoj problematikash kryesore. Pas ndryshimeve, atë ditë e plot njëzet vjet më pas, Shqipëria  vuan dhe pëson humbje - pasoja nga komunizmi i vet i egër i dikurshëm, i ethshëm për pushtet dhe antiperëndimor, ndërsa Serbia vuan dhe nxjerr përfitime nga ultranacionalizmi i vet agresiv, por pragmatist me Perëndimin.
Prova më e fundit: Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, as për herë të dytë, për shkak të bojkotimit  e  bllokimit të  gjatë nga opozita e majtë radikale, që  vjen si formacion politik, i pashpërbërë,  drejtëpërdrejt nga komunizmi;  Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat si një mënyrë e Bashkimit Europian, për të dobësuar pozitat e nacionalizmit radikal. A duhet të mërzitemi  kur bëhet ky krahasim, çfarë mori Serbia e çfarë s’mori Shqipëria? Jo,  sepse krahasimi për Shqipërinë  duhet të çpolitizohet, ndërsa për  Serbinë analiza duhet të thellohet.
Shqipëria, me më ngadalësi apo me më shpejtësi, ka vetëm një kahje dhe nuk ka asnjë faktor  që ta shmangë atë nga kjo strategji, nga këto përpjekje, dhe nga pikëmbërritja  e synuar - Brukseli. Ajo që i mbetet detyrë politikës sonë, është të marrë shpejtësinë europiane të kërkuar, për të mbërritur në kohën e duhur. Kjo është e mundur, dhe do të ndodh, pasi  radikalizmi i opozitës së majtë përbën një politikë që i përket punizmit të mundur.
Serbia është shtet “nyje”: Beogradi gjeografikisht gjendet në distancë gati të barabartë me Moskën dhe Brukselin; politikisht më pranë Moskës e më larg Brukselit; shpirtërisht me Moskën dhe jo me Brukselin; si zemra e dikurshme e Jugosllavisë, Serbia trashëgon politikën e saj gjatë Luftës së Ftohtë, për përfitime të dy anshme, edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja, për t’i patur të suksesshme, si politikën  dhe përfitimet, në këtë kohë të vështirë të  Luftës për Integrim; ajo manovron me Moskën që  të  arrijë me shpejtë Brukselin; Serbia e ka pozicionuar veten në shtet “nyje”, siç nyjëtohet litari m’u në mes, në “lojën e tërheqjes së litarit” - nga perëndimi prej Brukselit dhe nga lindja prej Moskës. Nuk ka asnjë shtet tjetër në të gjithë kontinentin, që mëton të integrohen në Bashkimit Europian, t’i përdorë figurat e veta, në kohë të njëpasnjëshme, njëherë si heronj dhe tjetrën herë si kriminelë. Ata heronj u çmuan në luftërat për “integrimin e Serbisë së Madhe brenda Republikës së Serbisë”, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Dhe u mbajtën tepër gjatë, të konservuar si  turshi, për t’u nxjerrë nga qypi vetëm në stinën e  përshpejtimit të integrimit të Serbisë në BE, duke i dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. 
Rekomandimi për dhënien Serbisë të statusit të vendit kandidat, siç u tha në progres - raport, u mbështet në tri shtylla kryesore: mbi bazën e përparimit të arritur në reforma; mbi bazën e bashkëpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës; dhe mbi bazën e pajtimit rajonal. Kolona e dytë shpreh përfitimin nga dorëzimi i kriminelëve, të cilët në Serbi thirren ende heronj. Radikalët protestuan ndaj qeverisë për dërgimin e tyre në Hagë, por ata nuk i bojkotuan reformat  në parlament, edhe pse numerikisht janë përcaktues për miratimin e ligjeve. Ndërsa pajtimi rajonal është një arritje krejt e pjesshme: Serbia ka bërë njëfarë pajtimi me Kroacinë, por Bosnjë - Hercegovina vuan si shtet, deri te pikëpyetja për ekzistencën kësisoj, vetëm nga mospajtimi i Serbisë me zgjidhjen. Kërkesa e ndjesës që ka shqiptuar presidenti Tadiç, nuk mjafton për deri sa Republika Serpska mbetet strategji aneksuese e Beogradit. Kurse me Kosovën, Serbia gjendet në një luftë  gati të nxehtë, por  të pamundur për arsye madhore - NATO-n: ajo nuk e njeh shtetin e Kosovës, i ndërhyn brutalisht në organizimin e brendshëm shtetëror me pushtetin paralel serb, dhe krijon situatë trazirash, siç po ndodh në veri, me bllokimin e nxitur dhe të  mbështetur nga Beogradi. Futja e Serbisë në bisedim i ka të dy pamjet - detyrimin euro-amerikan dhe pjesëmarrjen dyshuese, sepse m’u në prag të publikimit të progres - raportit të 12 tetorit, Beogradi i mbimbuloi bisedimet me bllokimin e dhunshëm në veri, për ta bërë veriun politikë të faktit të kryer si pjesë të territorit serb, pa e çarë kryet nëse  Brukseli do t’ia jepte ose jo statusin.
Me dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë,  ose shtetit  “nyje”,  në këtë “lojë të tërheqjes së litarit”, Beogradi shënon një lëvizje paksa kah Brukseli dhe, Bashkimi Europian, me këtë favorizim më shumë se sa meritë, i përcolli Beogradit sinjalin e drejtpërdrejtë mbështetës, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në pranverën e vitit 2012 - për fitore të krahut properëndimor atje, në një shtet ku kundërshtarët e NATO-s janë të shumtë, të fortë dhe me fytyrë kthyer nga Rusia. Nuk është aspak rastësi që, vetëm një ditë pas shpalljes së progres - raportit, Beogradit i thuhen qartë e prerë dy gjëra: Komisioneri për zgjerimin i Bashkimit Europian i shqiptoi m’u në Beograd kryeministrit Cvetkoviç se, BE nuk i kërkon Serbisë as 12 kushte të tjera, as 7 kushte më shumë, as 3 kushte më pak, por VETËM NJË: normalizoni marrëdhëniet me Kosovën, nëse kërkoni një datë për fillimin e bisedimeve! Ndërsa, ambasadori gjerman në Beograd, Volfram Mass, tha se çështja e Kosovës është punë e kryer dhe i kujtoi qeverisë serbe ato çfarë u kishte thënë kancelarja Merkel: 1. Vazhdoni dialogun me Kosovën, 2. Të shtrihet  EULEX-i në veri të Kosovës, 3. Të shpërbëhen strukturat paralele serbe në Kosovë.
Dhënia e statusit të vendit kandidat Serbisë, kësisoj qe si një ngrirje e buzëqeshjes. Kryeministri serb Cvetkoviç nuk pati asnjë përgjigje të re, ca më pak shpërblyese ndaj Brukselit, por Stefan Fyles iu përgjigj në mënyrën më të vjetëruar: Për Kosovën do të veprojmë në përputhje me kushtetutën!
Serbisë së vogël, nuk është aq e lehtë t’i bëhet trysni e madhe, sepse fati i keq dhe i mirë i saj, ka bërë që ajo të shndërrohet në “nyjë”, m’u në mes të dy skajeve të tërheqjes së dy fuqive të mëdha. Serbia e di që, ai që është më i fortë e jep më shumë, fiton. Vetë nyja si nyje, as tërheq dot dhe as shtyn dot, ajo rri aty, të ndjekë fatin e më të pasurit për të përfituar më tepër. Por, edhe brenda vet nyjes serbe ka një tjetër nyje, që edhe ajo tërhiqet nga të dy krahët – properëndimorët dhe prorusët. Sado që të forcohet properëndimorizmi, sado që të dobësohet prorusizmi, trashëgimia e sjelljes është në gjenin politik të Serbisë,  që do të luajë rol domethënës edhe në të ardhmen: Serbia është trashëgimtarja më e denjë e jugosllavizmit si politikë, duke mpleksur angazhimin dhe mosangazhimin. Serbia  e  ardhshme do të jetë pak a shumë kjo: E joshur nga BE për t’u zhvilluar, kushtëzuese ndaj BE për Kosovën; shpirtërisht me Rusinë, trysni ruse të nënkuptuar ndaj Brukselit. Pikërisht, për këtë arsye madhore, anëtarësimi i Serbisë në BE, para Kosovës, do të ishte një gabim shumë - shumë i madh dhe me pasoja.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›