Oferta e re e Prishtinës për veriun, si mbyllje e procesit të ndarjes së brendshme të Kosovës
Zyrtarë të ndryshëm të BE-së, dhe përfaqësues shtetesh të ndryshme në Kosovë, po flasin për një ofertë të re të Prishtinës për veriun e Kosovës, pasi që, sipas tyre, Pakoja e Ahtisarit ka dështuar atje. Dhe kanë filluar të flasin për një ofertë të re të Prishtinës për veriun e Kosovës, pas Raportit vjetor të Komisariatit për Zgjerim të BE-së, që po quhet Progres-Raport, për Kosovën, me anë të të cilit iu dha drita jeshile hapjes së negociatave për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky kontekst, domosdoshmërisht një ndërlidhje ndërmjet kësaj të ashtuquajture ofertë me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mbetet të shihet ditëve në vijim për të parë se a do të jetë oferta e re për veriun e Kosovës, kushti i BE-së për liberalizimin e vizave, por ajo që mund të thuhet qysh tash, është se këto shpërfaqje gjithnjë e më të qarta për veriun e Kosovës, janë vetëm rrjedhojë e zhvillimeve të gjertanishme në Kosovë dhe rreth saj, sidomos në veri pas 25 korrikut të këtij viti. Gjithsesi në vazhdimësinë e trajtimit analitik dhe publicistik që ia kam bërë çështjes së Mitrovicës dhe çështjes së enklavave në Kosovë, këto shpërfaqje janë shpërfaqje diplomatike të rrjedhës së proceseve në Kosovë që nga viti 1998 e këndej, kohë kur është krijuar realiteti i ri në Kosovë: ndarja e saj e brendshme mbi baza etnike pas një veprimtarie të bashkërenduar të Beogradit me rekrutët e saj shqiptarë, dhe me përkrahjen e shteteve aleate të Serbisë, sidomos në grupin e vendeve të BE-së. Dhe ky proces i ndarjes së brendshme të Kosovës që filloi me ndryshimin e relievit etnik të Kosovës, nëpërmjet bartjes së popullatës në bazë etnike nga një pjesë territori në tjetrën, e që vazhdoi me konsolidimin e kësaj ndarjeje gjatë administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe me zyrtarizimin e saj me anë të Pakos së Ahtisarit, përkatësisht me Kushtetutën e Kosovës, duhet të përfundojë me specifikimin e kësaj ndarjeje, përkatësisht me statusizimin e veriut të Kosovës. Por edhe statusizimi, përkatësisht autonomizimi i veriut të Kosovës, do të duhet të hapë rrugën e një procesi tjetër, e që është ricaktimi i kufijve në rajon, në të cilin përveç Kosovës dhe Serbisë, do të mund të përfshihej së paku edhe Bosnja e Maqedonia. Dhe ky proces tjetër që do të mund të fillonte pas përcaktimit të kufijve të brendshëm të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, do të quhej i mirëqenë dhe aspak me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë edhe Aktin Final të Helsinkit, pasi që do të interpretohej si ndryshim kufijsh në mënyrë paqësore dhe me vullnetin e palëve. Në funksion të kësaj duhet kuptuar edhe thirrjet e presidentit serb, Boris Tadiq për një marrëveshje historike shqiptaro-serbe, si dhe Platformën për Shqipërinë Natyrale të Koço Danajt dhe e mbështetur nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Prishtinë, si dhe në gatishmërinë e sllavo-maqedonasve për ndarjen e Maqedonisë, gatishmëri që u është shprehur shqiptarëve qysh më 2001.
Oferta e re që Prishtina duhet t’ua bëjë serbëve në veri të Kosovës, natyrisht nuk ka si të mos jetë tjetër përveçse rritje e shkallës së autonomisë së veriut drejt një autonomie maksimale që mund të quhet me çfarëdo lloj emërtimi. Pas kësaj faze të procesit të ndarjes së brendshme, është e qartë se Kosova, sikurse Bosnja do të vazhdojnë të jenë shteti jostabile, shtete të paafta për të krijuar zhvillim e përparim të vendit, si dhe do të pamundësojë arritjen e kërkuara nga BE-ja. Kështu, Kosova dhe Bosnja, por edhe Maqedonia do të jenë shtete të paqëndrueshme, për të mos thënë edhe shtete të dështuara. Kjo për faktin se si Republika Srpska në Bosnjë, ashtu edhe veriu i Kosovës në Kosovë, do të jenë barrë nga e cila do të kërkojnë vetë këto dy vende të lirohen. Kështu do të jetë edhe në Maqedoni dhe gjetiu. Në këtë situatë, do të jenë vetë këto vende që nuk do ta kundërshtojnë edhe ripërcaktimin e kufijve në rajon.
Në gjithë këto procese përcaktimesh kufijsh, më të dëmtuarit do të jenë shqiptarët dhe boshnjakët, pasi që serbët në Bosnjë do të merrnin 49% të territorit të Bosnjës, kurse në Kosovë, serbët vetëm në veri do të merrnin më shumë se 17% të territorit të Kosovës, pa përjashtuar edhe ndonjë pjesë në lindje të Kosovës, sidomos pjesën në rrethinën e Gjilanit, kurse shqiptarët do të mund të merrnin Preshevën e Bujanovcin që së bashku nuk bëjnë as sa pjesa e Mitrovicës veriore, por jo edhe Medvegjën, pasi që ky qytet është spastruar nga shqiptarët. Në anën tjetër, shqiptarët në Maqedoni, sipas rikonfigurimit të ri territorial të bërë në proces të decentralizimit, mund të marrin te e shumta 17-20% të territorit të Maqedonisë, apo vetëm 40% të trojeve etnike shqiptare nën Maqedoninë. Pra si në rastin e Kosovës, si në rastin e Maqedonisë shqiptarët do të jenë ata që do të humbin territore, kurse do të jenë serbët dhe sllavo-maqedonasit ata që do të përfitojnë territore.
Dhe tërë kjo vjen pas masakrave serbe në Kosovë dhe sllavo-maqedonasve në Maqedoni ndaj shqiptarëve, masakra, që sikurse në Bosnjë patën për qëllim vrasjen e sa më shumë njerëzve, në përpjekje për ndryshimin e relievit etnik në këto vende, përkatësisht bartjen e popullatave në territore të caktuara mbi baza etnike.
Edhe shfaqja e linjës së Tiranës/Kretës në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoni duhet kuptuar në këtë funksion, ashtu siç ka qenë dhe vazhdon të mbetet në këtë funksion edhe gjithë angazhimi politik dhe institucional i saj gjatë tërë këtyre viteve dhe ditëve, javëve dhe muajve në vijim. Në këtë kuptim, oferta e re e Prishtinës për veriun e Kosovës, për të cilën po flasin zyrtarë evropianë dhe përfaqësues shtetesh në Kosovë, e cila nuk ka se si të mungojë, pasi që linja e Tiranës/Kretës, nëpërmjet Bajram Rexhepit kur ishte kryeministër i Kosovës një ofertë për një autonomi për veriun e ka bërë kaherë. Ajo që mbetet të shihet është se kjo ofertë a do të zyrtarizohet pas ndonjë aksioni si të 25 korrikut, apo në kontekst të gjoja plotësimit të kushteve për liberalizimin vizave për Kosovën. Në të dyja rastet, tërë kjo do të provohet të mbështillet me një retorikë patriotike demagogjike, të tillë, apo edhe më agresive sesa ajo që u përdor pas aksionit të 25 korrikut...