Berisha: Ligj për të ndaluar çmendurinë e zhurmave
Me një gjuhë më tepër se të ashpër, kreu i qeverisë njoftoi dje se do të merren masa ekstreme për të ndaluar zhurmën e lokaleve të natës në plazhe e qytete. Shqetësimi i Berishës u pa qartë nga ndërhyrja e përshpejtuar e qeverisë, duke miratuar një akt-normativ për krijimin e një Task-Force për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare. Akti normativ ka forcën e ligjit dhe hyn në fuqi para se ta miratojë Kuvendi, çka tregon edhe emergjencën e situatën që ka detyruar qeverinë për të mos ndjekur procedurën normale të miratimit të një ligji. Me situatën e krijuar nga zhurmat e diskotekat, ku vendi bëhet një vend surrealist, i cili në zona të tëra shëmbëllen më tepër si një vend i realizmit fantastik. Ministrat përkatës kanë marrë porosi për hartimin e këtij akti dhe të gjitha sanksioneve të nevojshme. Do të ketë zero tolerancë në tejkalimin e përcaktimeve ligjore, tha Berisha. Akti normativ, përveçse ka të përfshirë marrjen e masave për subjektet që abuzojnë, përfshin edhe masa për punonjësit që publike që nuk zbatojnë siç duhet detyrat e tyre duke i neglizhuar. Dënimi për ta do të jetë nga ulja në detyrë e deri te shkarkimi i tyre si për inspektorët e Inspektoratit të Mjedisit, edhe për ata të Shëndetit Publik apo Policisë së Shtetit.