E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse na ikin sportistët më të mirë

Bledar Kuka

Kur emigrantët e parë turq apo arabë u vendosën fillimisht në Europë në vitet 60-të apo 70-të, përparësia e tyre ishte sigurimi i jetesës. Për këtë kishin kaluar mijëra kilometra dhe ishin ndarë nga njerëzit e tyre të dashur dhe shoqëria. Përtej kësaj nevoje ishte vështirë që të kërkoje tjetër. Ata që jetojnë sot në Perëndim, e dinë mirë se brezi i dytë apo i tretë i emigrantëve nuk janë aty thjesht "për bukën e gojës", por edhe për dicka më shumë.
Pasi barku u ngop me bukë dhe fëmijët u shkolluan, këta të fundit nisën të kuptonin më gjerë konceptin e fjalës "dinjitet" dhe "përkatësi kombëtare". Nga kjo nisën shoqatat kombëtare turke, arabe (apo edhe të tjera), klube sportivë, qendra arsimore e kulturore për të mësuar më mirë rrënjët e tyre. Ata që kanë studiuar 11 shtatorin thonë se brezi i dytë apo i tretë i arabëve nuk vuajnë nga uria, por nga ulja e dinjitetit.
Një fotografi e ngjashme shihet edhe në sport. Ka sportistë të vendeve të varfra që largohen dhe garojnë për vende të tjera, gjë që është provuar edhe në Shqipëri, por ka edhe sportistë nga vende gjithashtu të varfra që, me kënaqësi, përfaqësojnë vendin e tyre.
Le të marrim një rast nga shqiptarët dhe një nga serbët. Lorik Cana është djali i një ish-futbollisti të njohur, Agimit, i cili sipas gazetës "Ekspres" nga Kosova flet 7 gjuhë të huaja dhe ka kulturën të jetë i përpiktë. Përvec Prishtinës, Agimi luajti edhe për Dinamon e Zagrebit dhe më pas në Austri. Duke ndjerë fort përkatësinë shqiptare, për shkak të trysnisë serbe në Kosovë si dhe duke pasur një nivel të kënaqshëm ekonomik, për Agimin impulsiv, ishte normale dhe e natyrshme që të ndikonte mbi djalin e tij, Lorikun, që të luante për Shqipërinë.
Kjo nuk ka ndodhur me shumë sportistë të tjerë shqiptarë që zgjodhën të përfaqësonin vende të tjera (nuk po them të huaja) si dhe mund të ndodhë sërish. Sportistë nga më të nderuarit si Elis Guri apo Romela Begaj e kanë bërë të qartë një gjë të tillë. "Nuk jam nga ata që duan të braktisin vendin, por realisht duhet parë karriera sepse ajo një herë bëhet, - thotë Elisi, - do të shkoj në Olimpiadë, do të përpiqem të arrij maksimumin, shpresoj të fitoj ndonjë medalje dhe kjo do të ishte kulmi për mua. Më pas do të shqyrtoj ofertat dhe do të vendos". Pak a shumë kështu është shprehur edhe Begaj.
Pas shembullit shqiptar, vjen ai serb. Notari më i mirë i Serbisë, Milorad Cavic garon për Serbinë dhe prindërit e tij janë serbë, por ai është i lindur në Anaheim të SHBA-ve më 1984. Natyrisht që ai e quan veten një patriot. Ai u përjashtua nga Europiani i këtij viti ku fitoi medaljen e arit sepse në ceremoninë e medaljeve veshi fanellën me shkrimin "Kosova është Serbi".
"Jam lindur në SHBA, - thotë ai, - ku i kam të gjitha kushtet, por që në moshën 16 vjec notoj për Serbinë. SHBA më ka bërë oferta, por unë nuk kam pasur kurrë mëdyshje, sa kohë do jem në notim, këtë do ta bëj vetëm për Serbinë, për vendin dhe kombin tim".
Sidoqoftë, Cavici në një tjetër intervistë për mediat serbe pohon se "për stërvitje më duhen 100 000 euro në vit" (www.royalfamily.org.press-det/stampa-1561.htm). Shumëzuar për katër vite olimpike, Cavicit i duhen 400 000 euro që të fitojë arin olimpik. Në fund, ai fitoi argjendin.
Për vende të varfra si Shqipëria apo Serbia është shumë më e mundshme që të tregosh patriotizmin dhe të ndihmosh vendin tënd kur jeton dhe siguron pasurinë në vende të tjera. Madje atje mëson se që të jesh njeri duhen edhe më shumë sesa paratë. Shikoni sesi arsyeton Cavici: "Shoh sesa shumë ndikojnë për mirë rezultatet e mia në notarët dhe sportistët tanë të tjerë në përgjithësi. Ndryshimet (për mirë) si në punën e federatës ashtu edhe në cilësinë e notit në Serbi janë të dukshme dhe kjo më ka bërë që të jem edhe më shumë i vendosur që të vazhdoj të garoj për Serbinë. E di se nuk do të bëhem i pasur nga kjo, por do të doja që të bëja dicka të mirë për Serbinë".
Nëse do të bësh llogaritë sesa i duhen dhe sesa kanë në vit Romela Begaj apo Elis Guri, shifra që do të dalë, do të jetë e frikshme, aspak e përafërt me atë të Cavicit (100 000 euro në vit). Edhe më qesharake është kur notarja më e mirë shqiptare, Rovena Marku, thekson me forcë se dëshiron të falenderojë presidentin e Dinamos, Besnik Sulajn që e lë të stërvitet në pishinë falas, kur kjo kushton 500 lekë seanca (!!) apo Rudin Tukun që gjithashtu e ndihmon falas.
Nëse nuk do të kemi një strategji qoftë edhe fare minimale shtetërore për sportin, nëse shoqëria jonë (jo vetëm shteti, por edhe privatët e pasur) nuk kupton se sporti cilësor është një lule që duhet ujitur fuqishëm financiarisht dhe jo të lihet sportisti i elitës me 35 000 lekë rrogë në muaj, unë do të vazhdoj të jem pesimist për ndërtimin e një sporti të suksesshëm në Shqipëri.
Cdo njeri i pasur, që në llogarinë bankare ka qindra mijë dollarë (këta nuk janë të paktë) duhet të kuptojnë se një pjesë e këtyre parave (që jo gjithnjë janë të pastra) duhen investuar për një sport, individ, skuadër të caktuar. Në këtë mënyrë lumturojnë shumë trajnerë dhe djem e vajza sportiste, por edhe sikur ndihmojnë veten e tyre që të lehtësohen nga mëkatet, që shumica patjetër i ka kryer.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›