Tërmeti më i fuqishëm i 30 viteve të fundit trondit Dibrën, mbi 166 banesa të dëmtuaraNga TemaBanorët e Dibrës janë tmerruar orët e vona të mbrëmjes së të dielës, kur një tërmet i fuqishëm ka shkatërruar banesat e tyre, duke u vënë në rrezik jetën. T
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Tërmeti më i fuqishëm i 30 viteve të fundit trondit Dibrën, mbi 166 banesa të dëmtuaraNga TemaBanorët e Dibrës janë tmerruar orët e vona të mbrëmjes së të dielës, kur një tërmet i fuqishëm ka shkatërruar banesat e tyre, duke u vënë në rrezik jetën. Tërmeti, i cili është ndjerë në gjithë Shqipërinë Veriore dhe atë të Mesme, ka pasur si epiqendër komunën Gjoricë dhe sipas sizmologëve tërmeti ka qenë mbi 7 ballë. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima, ndërsa numërohen mbi 166 banesa të shkatërruara. Sizmologët thonë se ky është tërmeti më i fuqishëm i ndodhur gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Në Gjoricë ka shkuar edhe kryeministri Berisha, i cili ka siguruar banorët se qeveria do t’i ndihmojë për ri-ngritjen e shtëpive të shkatërruara. Menjëherë pas tërmetit është ngritur edhe Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencës Civile, i cili ka shpërndarë ndihma për ushqim dhe strehim për banorët, të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë. Tronditjet, sipas sizmologëve, pritet që të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, por ato do të jenë më të lehta.
Tërmeti
Ka qenë ora 23:49, kur fshatrat e komunës Gjoricë në Dibër janë tronditur nga një tërmet i fuqishëm. “Në orën 23:49, sipas orës lokale, është regjistruar një tërmet i fortë, me magnitudë 5,2 shkalla Rihter, me epiqendër në koordinatat 41.51 veri dhe 20.50 lindje, epiqendër e cila i takon zonës midis fshatrave Shupenzë dhe Gjoricë e Sipërme, të rrethit Bulqizë”, - bëri të ditur dje në një komunikatë për shtyp Ministria e Brendshme. Sipas specialistëve të Institutit të Sizmologjisë, tërmeti me epiqendër në Gjoricë, i cili u ndje në të gjithë vendin, ishte mbi 7 ballë, ndërsa thellësia e tij ishte 5 deri në 10 kilometra. Pas tërmetit të fuqishëm, si pasojë e të cilit qindra banesa janë shkatërruar, gjatë gjithë ditës së djeshme janë ndjerë edhe mbi 100 pasgoditje të tjera. Sizmologët thonë se tronditjet, edhe pse më të lehta, do të ndjehen edhe në ditët në vijim. “Rrjeti sizmologjik në orën 23:49 minuta të mbrëmjes së të dielës, ka regjistruar një tërmet me madhësi 5.4, sipas shkallës Rihter dhe intensitet në sipërfaqe rreth 7 ballë. Tërmeti ka shkaktuar dëmtime, siç edhe është njoftuar nga njësitë e emergjencës. Aktiviteti sizmik ka vazhduar, gjë që është normale për raste të ngjashme me madhësi të tillë. Deri tani kemi rreth 100 pasgoditje, pak prej të cilave janë të madhësisë mbi 4. Mendojmë që pasgoditjet do të vazhdojnë për një periudhë disaditore, derisa dukuria të shuhet. Tërmeti ka ndodhur në një zonë shumë të njohur sizmike. Është pak a shumë zona ku ka ndodhur tërmeti i Dibrës i 30 nëntorit të vitit 1966. Bëhet fjalë për thyerjen tektonike aktive për zonën sizmogjene Elbasan- Dibër, mjaft e njohur në të shkuarën për tërmete të madhësisë së tillë, por edhe më të mëdha”, - bënë të ditur specialistët e Institutit të Sizmologjisë. Fatmirësisht, pavarësisht se tërmeti është konsideruar si më i fuqishmi gjatë këtyre 30 viteve të fundit, nuk ka pasur viktima në njerëz, ndërsa mbi 166 banesa janë shkatërruar pothuajse totalisht.
Banorëve që u janë rrënuar shtëpitë nga tërmeti, por jo vetëm ata, e kanë kaluar natën në qiell të hapur, si pasojë e frikës. “Të dhënat paraprake deri më tani tregojnë për disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në komunën Gjoricë dhe Ostren, si dhe disa banesa të tjera me dëmtime të rënda dhe të lehta në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht”, - bëri të ditur Ministria e Brendshme.
Përveç Dibrës, që ka qenë edhe epiqendra e tërmetit, tronditjet e tij janë ndjerë edhe në Shqipërinë Veriore dhe atë të Mesme, edhe pse më të lehta. Tronditjet e tërmetit janë ndjerë gjithashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Divizioni i Sizmologjisë në Ministrinë e Energjitikës dhe Minierave ka regjistruar tërmetin që ka ndodhur mbrëmë në Shqipëri dhe ka njoftuar se dridhjet e tokës janë ndjerë edhe në Kosovë. “Tërmeti është ndierë edhe në pjesën juglindore të territorit të Republikës së Kosovës”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjitikës dhe Minierave. Lëkundjet e tërmetit që goditi fshatrat e Dibrës në Shqipëri janë ndjerë të forta edhe në Maqedoninë Perëndimore dhe Qendrore. Sipas Institutit të Sizmologjisë në Shkup, qendra e tërmetit ka qenë rreth 110 kilometra në jugperëndim të Shkupit që korrespondon me fshatin Gjoricë në Shqipëri.
Dëmet
Pas tërmetit të fuqishëm që tronditi komunën Gjoricë në Dibër, është ngritur edhe Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencave Civile. Nga konstatimet e këtij të fundit, paraprakisht mësohet se janë dëmtuar rëndë dhe janë të pabanueshme 166 shtëpi, ndërkohë që janë dëmtuar edhe një qendër shëndetësore, tri shkolla dhe tri kabina elektrike. “Aktualisht është mbledhur Shtabi i Emergjencës Civile për prefekturën e Dibrës, në drejtimin e prefektit të këtij qarku, e cila në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale ka gati të gjithë ndihmën që do të nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar. Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion dy helikopterë për transportin e të gjitha ndihmave që do të nevojiten”, - bëri të ditur Ministria e Brendshme.
Prefekti i Dibrës, Xhafer Seiti, tha se, “tërmeti me magnitudë 7 ballë të shkallës Rihter, epiqendra e të cilit ishte në fshatin Gjoricë, rreth 19 km në juglindje të qytetit të Peshkopisë, ka shkaktuar dëme në banesa dhe objekte të tjera, por fatmirësisht nuk u regjistruan të lënduar në njerëz”. Sipas tij, pothuajse të gjithë banorët e fshatrave Gjoricë dhe Shupenzë, e kanë kaluar natën jashtë, nga frika e ndonjë tërmeti tjetër.
Në komunën e goditur nga tërmeti ka shkuar edhe vetë kryeministri Berisha, i cili ka siguruar të dëmtuarit se qeveria do t’i ndihmojë për të kaluar këtë situatë të vështirë. Berisha u tha banorëve se fillimisht do të ndihmohen për sigurimin e ushqimit dhe strehimit, ndërsa më pas, në bashkëpunim edhe me Shtabin e Emergjencave Civile, atyre do t’u riparohen dhe ndërtohen banesat e dëmtuara. Dibra njihet si një nga zonat më sizmike në Shqipëri. Specialistët thonë se zona Vlorë-Elbasan-Dibër, Korçë-Ohër-Peshkopi dhe zona jonike-adriatike, janë më të rrezikuarat nga tërmetet.
Shoqata e Ndërtuesve: Ndërtimet e reja, të sigurta
Shoqata e Ndërtuesve në Tiranë deklaron se ndërtimet në kryeqytet, por edhe në rrethe të tjera të vendit janë të sigurta për të përballuar tërmete me një fuqi si ai i pak para mesnatës së të dielës. Tërmete me një fuqi të tillë, sipas drejtuesve të kësaj shoqate, mund të përballojnë vetëm ato ndërtesa që janë ndërtuar nga kompani serioze në fushën e ndërtimit. Ndërsa, për sa i përket ndërtimeve informale, ato mbeten gjithmonë të rrezikuara. “Ndërtesat që bëhen nga kompani serioze, që kanë vite që zhvillojnë aktivitetin e tyre në treg, që projektohen nga arkitektë dhe konstruktorë seriozë, të cilët kanë një patentë të deklaruar, me një eksperiencë të gjatë në punë, i përmbahen të gjitha kushteve që kërkon zona sizmike për të ndërtuar, pra janë të sigurta. Problemi janë ndërtimet informale, të cilat janë pjesa më e pasigurt e të gjitha ndërtimeve që bëhen në Shqipëri, për shkak se merren njerëz pa eksperiencë, për shkak se merret 1 projekt që aplikohet në Tiranë dhe pastaj aplikohet në gjithë qytetet e Shqipërisë, ku ndryshon sizmologjia e zonës apo ka probleme të tjera”, - shprehet Ilir Hebovija, nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve.
ALSAT