Pse nuk ka krizë financiare te ne
Kanë filluar tërheqjet e depozitave nga bankat tona. Njerëzit frikësohen nga kriza e përgjithshme financiare që ka gllabëruar SHBA-të dhe Evropën Perëndimore. Deri tani, tërheqjet nuk janë shqetësuese, por mund të bëhen të tilla në të ardhmen. Njerëzit dëgjojnë ankesat e të afërmve të tyre emigrantë, sidomos në SHBA, ku ka papunësi të theksuar dhe bankat nuk japin më kredi. I pyesin: “A t’i tërheqim kursimet që kemi nëpër banka?”. Të shkretët emigrantë! ǒt’u thonë? “Po mirë, hiqini, për njëfarë kohe. Të jeni më të sigurt. Këtu ku jemi po bëhet nami”, - fraza të tilla dëgjohen nëpër komunikimet telefonike. Por a ka arsye të besojmë se do të goditet Shqipëria? Përgjigjja është e fortë dhe e prere: “Jo!” Ndoshta pak vetë e kujtojnë, por në vitet 1929-33 të Depresionit të Madh Ekonomik, ku të gjitha ekonomitë e botës u prekën kush më shumë e kush më pak, vetëm Shqipëria e Mbretit Zog nuk pësoi gjë. Në botë bëhej nami: rriteshin çmimet me vërtik, inflacioni shkonte një mijë për qind, vaporët me mallra derdheshin në det; tek ne ishte qetë, për një shkak të thjeshtë: sistemi ynë financiar bazohej në atë kohë mbi arin, jo mbi dollarin. Në mënyrë të ngjashme, mund të themi sot se nga lart 35 mijë apartamente të reja të ndërtuara dhe të shitura këto 10 vitet e fundit, vetëm një përqindje e vogël kanë ndërruar pronar nëpërmjet kredive bankare. Shumica janë blerë me para në dorë. Uria e bankave për të dhënë kredi për shtëpi u ndalua deri diku nga zakoni i parelinjve tanë, por edhe i emigrantëve, që më parë mbledhin paratë, pastaj blejnë një shtëpi apo investojnë. Ky zakon mund të cilësohet sot si shpëtimtar për të ardhmen e tregut bankar tek ne. Prandaj edhe është situata në të cilën bankat që në Shqipëri japin kredi për shtëpi, janë të sigurta, jo sepse janë të paprekshme nga kriza, porse nuk janë “hapur si uthulla në lakra”. Nuk kanë dhënë kredi pa hesap. Përqindja e kredive të pakthyera tek to nuk është shqetësuese. Megjithatë, njerëzit sërish po tërheqin depozitat. Thjesht dëmtojnë veten e tyre, pse tërheqja para kohe nënkupton që nuk do të marrin përqindjet e interesit për të cilat i kanë vënë ato para. Por dëmtojnë shumë edhe sistemin bankar. Nëse tërheqjet bëhen masive, do të shkaktojmë gjëmën me duart tona, pa ndonjë arsye të fortë për këtë, thjesht nga paniku që do të prodhojmë vetë. Dhe nuk është se nuk e kemi prodhuar edhe më parë, prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Ndoshta pak vetëve u kujtohet prilli i vitit 2001. Në këtë kohë, shumë emigrantë tërhoqën depozitat e tyre. Gati 70 milionë euro u larguan nga bankat në pak ditë. Thjesht për një frikë të kotë të përhapur përmes emigrantëve, e cila rezultoi tërësisht e pabazë. Ky largim parash të thata i futi në vështirësi bankat, pse duhej të bënin pagesat e përditshme. Ndërhyri banka jonë qendrore, e cila prodhoi para në kohë rekord dhe kriza u kalua. Po tani? Tani, edhe pse kriza është përhapur thellë në SHBA dhe ka hyrë edhe në shumë vende të zhvilluara të Evropës Perëndimore, kjo nuk do të thotë se do të vijë edhe tek ne. Kriza ka të bëjë me bankat investuese dhe me ato që japin kredi prej dhjetëra dekadash. Tek ne bankat tona janë relativisht të reja dhe nuk janë “komprometuar” me dekada kredidhënie pa shumë garanci për kthim të tipit të bankës “Hypo” në Gjermani, e cila desh falimentoi dhe që u desh ndërhyrja e shtetit gjerman për ta shpëtuar. Këtu tek ne nuk ka si të kemi të tilla raste. Pra, edhe paniku do të ishte fare i pabazë dhe thjesht i dëmshëm për sigurimin e parasë “kesh” për bankat. Depozituesit shqiptarë pranë të 25 bankave tregtare apo filialeve të tyre në vend, i kanë të gjitha arsyet të jenë të qetë dhe të mos tërheqin kursimet. Për këtë ia vlen që të gjithë specialistët bankarë të japin siguritë e tyre dhe mediat të flasin përherë me tone siguruese, jo thjesht për të larguar panikun. Porse realisht Shqipëria dhe sistemi ynë bankar nuk rrezikohen. Bankat tona kanë mbi 160 mijë depozitues. Mendoni sikur të gjithë këta në pak ditë të tërheqin depozitat, se çfarë do të ndodhë. Kriza e sotme financiare në botë sigurisht do të lërë pasojat e saj edhe tek ne, në formën e ushqimeve më të shtrenjta që do të marrim nga bota. Ndoshta dhe në formën e kredive më të vështirësuara tregtare që mund të marrë qeveria jonë nga bankat ndërkombëtare. Por sistemi bankar dhe i kreditit tek ne janë më se të shëndetshëm dhe nuk kemi arsye pse të shqetësohemi. E për më shumë, të fillojmë të tërheqim depozitat, kursimet tona të jetës.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli