E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqiptarët do marrin në vjeshtë lajmin e shkëlqyer të heqjes së vizave

Kryeministri ka deklaruar dje nga Himara se Lëvizja e lirë tashmë ishte një ëndërr e realizuar për shqiptarët dhe se në vjeshtë, të gjithë do të marrin përgjigjen më të shkëlqyer për aspiratën e tyre

“Kjo vjeshta do të jetë më e bukura dhe më e bardha stinë në historinë e shqiptarëve. Kështu ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp të mbajtur nga Himara, kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Shqiptarët do të gëzojnë vendimin e Bashkimit Evropian për të lëvizur të lirë në mbarë Evropën. Dua të theksoj se kjo përbën një arritje të pritur, ndoshta mbi 150 vjet”, theksoi gjatë kësaj konference kreu i qeverisë.
Sipas tij kjo është një arritje e pritur prej shumë kohësh nga qytetarët shqiptarë, të cilët do ta marrin përgjigjen më të shkëlqyer këtë vjeshtë.
“Unë gjykoj se nuk ka arritje më të madhe në rrafshin e lirisë, pas përmbysjes së diktaturës, se sa kjo. Liria e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë nuk kufizohet më vetëm në territorin e këtij vendi, por ridimensionohet në të gjithë territorin evropian”, nënvizoi kryeministri. “Kjo do të jetë vjeshta për shqiptarët”, shtoi kryeministri, duke ironizuar “vjeshtën e protestave” që paralajmëroi lideri i opozitës, Edi Rama në takimin e fundit me gazetarët, në fund të korrikut.
Kryeministri Berisha ndodhet prej disa ditësh me pushime në bregdetin e Jugut, në vilën qeveritare në Dhërmi, bashkë me familjen e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›