Tejmbushja e koshave nga plehrat, makthi i kryeqytetasve!
Gjatë një vëzhgimi të kryer dje nga “Gazeta 55” në Tiranë konstatuam se në pothuajse të të gjithë mjediset si parqet, lulishtet dhe rrugët në zonën e unazës, Ali Demit, Selitës, Laprakës, Kombinatit madje edhe ne zonën e ish-Bllokut, koshat e tejmbushur po kthehen në një problem mjaft serioz si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Qytetarët ndihen mjaft të shqetësuar për këtë situatë dhe i druhen përhapjes, jo të një epidemie por të një pandemie që mund të krijohet nga era kundërmuese që kanë kazanet e plehrave. Të njëjtin shqetësim shprehën edhe pronarët e lokaleve e fast-foodeve, pasi era e keqe e plehrave në të shumtën e rasteve “pushton” bizneset e tyre. Koshat e plehrave tejmbushjen jashtëmase saqë kanë ndryshuar edhe relievin e Tiranës, ku kodrave dhe maleve të saj natyrore i janë shtuar edhe malet e kodrat me plehra. Realisht situata e koshave në rrugët e Tiranës është shumë shqetësuese për dy arsye; ajo që është e para dhe më themelorja është se plehrat po vënë në rrezik shëndetin e njerëzve, dhe pika e dytë është se nuk është aspak dinjitoze që kryeqyteti të ballafaqohet me këtë situatë aspak të këndshme. Stina e verës sidomos temperaturat e lartë që këtë vit i kanë kaluar kufijtë e tyre në Shqipëri, e përkeqëson akoma më shumë gjëndjen. Tani qytetarëve të Tiranës përveçse u duhet të shohin këmbët e tyre ku shkelin meqënese gjëndja e rrugëve i detyron të bëjnë një veprim të tillë, duhet të bllokojne edhe hundën në mënyrë që të mos nuhasin erën e padurueshme të kazanëve të plehrave. Edhe pse i dhimbshëm ky është realiteti që qytetarët e Tiranës hasin çdo ditë e më shumë, një realitet ku Bashkia e Tiranës refuzon ta pranoj. Dikur por dikur ama, sepse që prej asaj kohe ka kaluar aq shumë kohë sa nuk mbahet mend, vendet e plehrave spërkateshin me klor për të zhdukur mikrobet, dhe për të ndaluar epidemitë e ndryshme nga era e keqe e kontenierëve të plehrave dhe nga temperaturat larta të pranverës apo verës. Të pyetur për këtë problem punonjës të bashkisë pretendojnë se nuk përdoret më klori i presuar pasi ai lë gjurmë, por ne përdorim një tjetër kimikat dezinfektues, emrin e të cilit nuk e thonë. Kjo gjë nuk është aspak e vërtetë sepse të gjithë ne jemi dëshmimtar të përditshëm të situatës.
Po sot çfarë masash po merr Bashkia e Tiranës për të sistemuar dhe rregulluar këtë emergjencë?Asnjë masë!Bashkia e cila ka në dorë këtë fenomen eshtë organ i vetëm kompetent për këtë situatë që është mjaft shqetësues për të gjithë kryeqytetasit,nuk ka marrë asnjë masë. Prej mëse katër vjetësh, ky problem nuk po zgjidhet dhe Bashkia e Tiranës nuk heq dorë nga justifikimet duke u shprehur se shkak i vonesave ose mos pastrimit të plehrave është edhe problemi me pagat e mbetura pezull për punëtorët e mirëmbajtjes nga firmat e pastrimit.I keni parë slloganet ambientaliste që bashkia ka vendosur nëpër ambiente publike me qëllim që të mbahet pastër ambienti nga ana e qytetarëve?Normalisht që i keni parë ,por mos u habisni kur t’i shikoni ato sllogane të ngjitura në muret e bashkisë ose në rrugët që të çojnë për në Pezë. Me pak fjalë Bashkia e Tiranës nuk është e aftë të zgjidhë një problem kaq të vogël siç është ajo e pastrimit të koshave.Kjo është e vërteta e hidhur e kryeqytetit,që fal bashkisë Tirana ngjason si kryeqyteti i Somalisë ose Kongos!Shpresojmë që tani që Z.Rama ka shkuar me pushime në Dubai të ketë mësuar diçka rreth sesi mund të mbahet pastër një qytet,mëqënëse në Paris nuk arriti dot të mësonte se si priteshin thonjt!
Përgatiti Redi Agolli