E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse pikë doganore në Trebisht dhe jo në Miresh?

Ne, kryepleqtë e disa fshatrave të Gollobordës, nuk jemi dakord me vendimin e qeverisë për hapjen e pikës doganore në Trebisht, në kufirin shqiptaro-maqedonas. Ajo nuk u shërben gollobordasve, pjesës më të madhe të kësaj zone, për disa arsye:

-Pika doganore me shtetet fqinje hapen për t‘u shërbyer qytetarëve të zonës e më gjerë, atje ku popullsia është më e madhe;

-Pika doganore e Trebishtit u shërben vetëm 1400 banorëve që përbën Komuna e Trebishtit, kurse pika doganore më e përshtatshme, u shërben 4600 banorëve të komunës Ostren, mbi 200 të komunës Gjoricë, por edhe disa fshatrave të Komunës Zerqan.

-Mireshi ka qenë pikë doganore e hershme, që është mbyllur në vitin 1949, kur u prishën marrëdhëniet me shtetin fqinj. Nga kjo ish-doganë, deri në vitin 1949 janë transportuar me mijëra ton krom nga miniera e Bulqizës për në ish-Jugosllavi.

-Për hapjen e pikës doganore të Mireshit nuk është e nevojshme të investohet asnjë metër rrugë të re, sepse rruga kombëtare që lidh Bulqizën me Peshkopinë dhe Librazhdin është vetëm 15 metra larg urës (e cila është në gjendje të mirë edhe aktualisht) e që lidh shtetin tonë me Maqedoninë. Kjo pikë është vetëm 500 metra larg autostradës së shtetit fqinj dhe 2 km larg Dibrës së Madhe, një qendër e rëndësishme tregtare.

-Buzë rrugës ku ka qenë ish-pika doganore e Mireshit ekziston edhe sipërfaqja e tokës, e blerë nga qeveria e Zogut, ku ka qenë ish-godina e doganës. Pra, nuk ka nevojë as për shpronësim toke. Për më tepër, kjo pikë ndodhet në një pozicion shumë të favorshëm strategjik, buzë Drinit të Zi dhe nuk bllokohet as gjatë dimrit të egër për këtë zonë.

(Vijojnë nënshkrimet e kryepleqve të 9 fshatrave)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›