E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia dhe pjesa tjetër e botës...

Sondazhi i fundit në Serbi ka dëshmuar se Partia Radikale gëzon mbështetjen e 36,5% të votuesve, Partia Demokratike e Tadiçit 33,5% ndërsa Koshtunica, me koalicionit DSS-NS, gëzon mbështetjen e 12,5% të votuesve. Përpjekjet e Havier Solanës dhe Brukselit nga njëra anë dhe Presidentit Putin e Moskës nga ana tjetër, për të ndikuar tek ata që kanë vendosur të jenë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e këtij sondazhi ose të japin rezultatin e menduar nga këta strategë të pakarikuar me politikën moderne.

MSA dhe vizat

Investimi i Solanës për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë edhe pse ka dështuar në thelb, ka dhënë kontribut të dukshëm në reformimin e fjalorit të fushatës së zhvilluar nëpër të gjitha qytetet e Serbisë, madje edhe në pjesët e shtetit të Kosovës të banuar me serbë. Kryefjalë e të gjitha tubimeve elektorale ishte MSA-ja dhe pozicioni i Kosovës në këtë marrëveshje me BE-në.

Bartësi i listës "Për Serbinë evropiane", Boris Tadiç, më kot u mundua që, me një performancë të paparë, të bindë elektoratin jodemokrat se ajo çfarë ata kanë nënshkruar është në të mirën e ekonomisë dhe qytetarëve serbë, kur ata janë rritur dhe edukuar si në kishë, ashtu edhe në shkollë, se armiku i tyre është Perandoria Osmane e më pas Perëndimi.

T‘u thuash proevropianë është fjalë e madhe, por që të thuash se janë shumë më syçelur se radikalët e Sheshelit ose socialistët e Millosheviçit, ky është një fakt që vetëm sa i bën ata më të besueshëm përballë Rehnit, i cili është pa paragjykime dhe Solanës që ka nuhatje të jashtëzakonshme për sllavët e jugut.

Ndërsa firmosja e MSA-së ose liberalizimi i vizave për ithtarët e partisë së Tadiçit do të thotë se ka ardhur koha që edhe Serbia të futet në familjen evropiane, edhe pse këta njerëz kanë lëvizur drejt saj sa herë që kanë pasur punë. Partia e Tadiçit nuk frekuentohet nga njerëz që dalin me pushkë në krah, edhe pse pushkën e përdorin kur i duhet atdheut. Dhe Serbia është një nga vendet e rralla ku kontributin më të madh në luftë e kanë dhënë të moderuarit, ndërsa radikalët dhe nacionalistët në fushë-betejë kanë vajtur vetëm për të përdhunuar e vjedhur. I duhet kujtuar Solanës dhe Rehnit, që me rënien e Millosheviçit, posti i ministrit të Mbrojtjes në Serbi ishte ekskluzivitet i Partisë së Xhinxhiçit e më pas Tadiçit, jo se nuk u besonin aleatëve, por se parësore kishin dhe kanë mbrojtjen e atdheut, ndërsa policinë le ta keqpërdorë Koshtunica.

"Të dua më shumë"

Kryesimi në sondazh i radikalëve në Serbi ka shqetësuar botën joruse, duke harruar se në gjithë periudhën post-millosheviçiane ishte po kjo tablo elektorale. Dhjetëvjeçari i luftërave me gjithë botën në Serbi ka prodhuar vetëm radikalë që kanë ecur vërdallë Sheshelit për të vjedhur ndonjë varëse ose për të përdhunuar ndonjë boshnjake a shqiptare të pafajshme. Përfundimi i këtyre luftërave i ka lënë ata të papunë, ndërsa moszgjidhja e çështjes së Kosovës u ka lënë edhe një shteg se ku do të mund të marrin ndonjë lek pa djersë. Prezenca e Koshtunicës në krye të qeverisë demokrate u ka mundësuar këtyre njerëzve që fusin në punë të gjitha ato para të pista nga luftërat ballkanike, ndërsa policia që ai drejtonte është kujdesur për një qarkullim normal të mallrave dhe parave të paligjshme.

Kalimi i socialistëve të Millosheviçit dhe radikalëve të Sheshelit nuk ishte një handikap i madh për këto parti, sepse ishte Koshtunica ai që kujdesej, si për familjen e Millosheviçit, ashtu edhe për vrasësit e UDB-së. Çdo lëvizje e një zyrtari kundër këtyre oligarkëve do të thoshte vdekje. Këtë, Kryeministri Xhinxhiç nuk e besoi dhe u vërtetua. Gjithçka që ka ndodhur pas vrasjes së Xhinxhiçit ishte heshtje kundër krimit, si për ata të luftës, ashtu edhe për ata të pasurisë kombëtare. Asnjëri prej tyre nuk u arrestua, ndërsa pas aksioneve të mëdha policore, prapa grilave përfunduan vetëm ata që u zgjodhën pas vitit 2000.

Në një shtet të tillë, ku zyrtarisht në pushtet ishin partitë demokratike dhe sundonin radikalët, ndikimi mund të bëhet vetëm e vetëm nga brenda. Gabimin e BE-së e përsëriti edhe Moska zyrtare me në krye Presidentin Putin. Premtoi ndihma dhe nisi konserva me peshq drejt Kosovës, premtoi mbështetje dhe i nisi një letër dashurie liderit të DSS-së Koshtunica, ku përfundonte: "Të dua më shumë".

Mbështetja ruse dhe rezultatet e mosbindjes ruse në Serbi kanë histori shumë të çuditshme. Në të kaluarën, dashurinë më të madhe për Serbinë gjithmonë e ka shprehur Rusia, dhe vetëm mosdashja e Rusisë i ka sjellë Beogradit prosperitet, siguri dhe mirëqenie të paparë. Historia ka dëshmuar se në prag të zgjedhjeve, radikalët dhe nacionalistët në Serbi kanë marrë mesazhe nga më të ndryshmet nga kjo botë, por Moska dhe Putini e shprehën në mënyrën më të çuditshme të mundshme. I premtuan mbështetje për Kosovën dhe i dhanë Mitrovicën Veriore, u premtuan ndihma dhe u japin konserva, u premtuan gazsjellës dhe siç duket do të marrin ndonjë molekulë ose bombolë gazi.

Nga ana tjetër, babagjyshi rus i Vitit të Ri nuk mund të bindë demokratët serbë të Tadiçit e aq më pak liberalët e Jovanoviçit se Rusia na e dashka të mirën më shumë se BE-ja. Tashmë për të lëvizur nëpër Rusi ata e dinë se duhet të marrësh leje nga vëllai, përkatësisht i biri i Millosheviçit, ndërsa nëpër shtete e BE, leje do të marrësh në ambasadat që janë në Beograd. Kjo normalisht nuk vlen për demokratët e Koshtunicës dhe radikalët e Sheshelit, sepse pema familjare e këtyre partive është shumë kriminale, edhe pse nuk janë nga Sicilia.

Edhe pse e akuzojnë BE-në dhe Solanën për MSA-në dhe shitjen e Kosovës, ata e dinë fare mirë se cila është formula e humbjes së tyre në këto zgjedhje. Pjesëmarrja e të rinjve në këto zgjedhje do të thotë humbje për radikalët, të cilët vazhdojnë të jenë të bindur se serbët janë popull qiellor, dhe pa ata bota as që mund të mendohet. Batuta që sot qarkullon te të rinjtë evropianë dhe ka prejardhje nga Serbia, më së miri e pasqyron realitetin serb:

Sondazhi i zhvilluar në gjithë botën me pyetjen: "Cili është mendimi juaj personal për mungesën e ushqimit në pjesën tjetër të botës?" kishte një rezultat fatal:

- Në Afrikë nuk e dinin ç‘është ushqimi;

- Në Evropën Perëndimore nuk e dinin ç‘është mungesa;

- Në Evropën Lindore nuk e dinin ç‘është mendimi personal;

- Në Serbi nuk e dinin se ç‘është pjesa tjetër e botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›