E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrajca, atje ku "vallëzojnë" malet

Përrenjasi është mbajtur në këmbë nga industria minerare. Tani, pas mbylljes së kësaj industrie, është e vështirë të kuptosh se si jeton ky qytet i ngritur dikur nga asgjëja. Disa minatorë kanë rimarrë një fije shprese, sepse një minierë diku afër ka nisur sërish të punojë, por të tjerët i mbajnë sytë nga djemtë në emigracion. Shumë kanë ikur. Të tjerë sillen vërdallë pa e ditur as vetë se si jetojnë.

Në Përrenjas mbërrijmë herët në mëngjes. Në Tiranë kemi lënë vapë, ndërsa këtu gjejmë një mot të grinjtë. Bën ca fresk dhe ne i shtojmë ndonjë bluzë veshjes sonë pranverore. Në fakt, ne jemi nisur për në Rrajcë, një zonë që është disa dhjetëra kilometra që këndej, porse e dimë se qyteti në thelbin e tij nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i krahinës së dëgjuar. Në Përrenjas na pret miku unë i kahershëm Kujtim Lëmaku. Kujtimi është shoferi i arsimit dhe i minatorëve. E kush më mirë se ai i njeh rrugët malore të këtyre anëve? Kështu që i lutemi të na shoqërojë deri lart, për në Rrajcë. Kujtimi, si gjithnjë i gatshëm, lë porositë e fundit. "Aman, se mos m‘i lësh mësuesit të vijnë në këmbë", i flet në telefon një kolegu të tij. Bashkë me Kujtimin shfletojmë edhe një herë shënimet që kemi marrë me vete.

Rrajca, të paktën si emër, nuk është e panjohur. Në kohë të PPSH-së u bë e famshme për folklorin dhe grupet e saj që ishin gjithnjë dhe kudo shumë të suksesshme. Në kohët tona u bë sërish e famshme për vrasjen e shumë djemve të saj në kufirin me Maqedoninë. Dikur vendi quhej Kastriçan. Rrënoja të vjetra dhe gjurmë arkeologjike janë gjetur në krejt zonën. Është tashmë shumë e njohur lidhja e këtyre anëve me kohën e Skënderbeut. Një fshat, lart në male quhet thjesht Skënderbe, ndërsa banorët këmbëngulin në bindjen e tyre se beteja e Torviollit, "bëma" e parë, e madhe e Skënderbeut është zhvilluar pikërisht në fushën në këmbë të fshatit të tyre, në atë të Domosdovës. Këdo që të pyesësh këtyre anëve do të të rrëfejë se si Skënderbeu asokohe ia mbathi kalit patkonjtë mbrapsht dhe osmanët e ligj kujtuan se kishte ikur. Kaq shënime kishim në bllokun tonë. Kujtimi na thotë se është mirë të kthehemi një herë nga qendra e komunës që është fare në të dalë të Përrenjasit, në anë të rrugës kombëtare që të çon për në Pogradec. Kujtimi e ka mirë, porse ne, me sa duket, e kemi llogaritur ditën gabim. Në oborr të komunës shohim shumë gjallëri. Makina që mbërrijnë me nxitim, njerëz që hynë e dalin disi të shqetësuar, biseda dhe urdhra me zë të lartë... Ǒtë ketë ndodhur vallë? Më në fund një kalimtar, jo nga njerëzit e oborrit të komunës, gjen pak minuta kohë të na shpjegojë: Pritet të vijë një delegacion i huaj. E kështu, ne, që nuk jemi të huaj, askush nuk ka kohë të na presë. Ne këtë e kuptojmë fare mirë dhe mundohemi të gjejmë ndonjë person tjetër që të na flasë për Rrajcën. "Të shkojmë një herë te një miku im këtu afër - Kujtimi është disi i shqetësuar - ai ka qenë edhe kandidat për kryetar komune. Me siguri do të na thotë dy-tri gjëra". Por, këto "dy-tri" gjëra nuk janë edhe aq të thjeshta. Ish-kandidati për kryetar na pret vërtet me mirësjellje, porse tërhiqet sakaq kur mëson se jemi gazetarë. "Ah, më vjen keq - përgjigjet me elegancë - nuk jam specialist për këto gjëra". Pastaj i përmend Kujtimit tonë një listë të tërë me emra. Për fatin tonë të keq, të gjithë ata nuk janë në Përrenjas, apo Rrajcë. Kështu vendosim të heqim dorë nga ideja për të takuar "specialistë" dhe vazhdojmë më tej. Tani kemi nisur vërtet të udhëtojmë drejt Rrajcës, jo asaj zyrtare, por asaj së vërtetës. Paralelisht me ne udhëtojnë edhe të huajt e shumëpritur, të cilët, pa e ditur, na kishin prishur punë në fillim. "Hija" e tyre do të na shfaqet edhe më pas.

Dajë Besim "Ligjvënësi"

"Qënka rrugë e mirë", thotë me gëzim njëri prej nesh kur makina jonë udhëton për pak kohë mbi një rrugë të ngushtë vërtet, por fare mirë të asfaltuar. Por gëzimi i tij vazhdon fare pak. Ja ku nis rruga e përbaltur, e cila është bërë edhe më e vështirë për shkak të një shiu të beftë që nis të bjerë. "Kjo është Rrajca-Fushë" bën me dorë Kujtimi mbi një hapësirë të pamatë që shkon deri atje ku nis Qafë-Thana. Ne kalojmë përbri disa shtëpive të reja, të ndërtuara me shije dhe na kujtohet se banorët e këtyre anëve kanë qenë jetë e mot të njohur si mjeshtër të punimit të gurit dhe të drurit. Kur kishin kohë atëherë kërcenin. E lëmë pas hekurudhën dhe futemi edhe më në brendësi. Atje, në anë të një dyqani të vogël, një plak me qeleshe është duke pritur të bjerë pak rrebeshi. Kujtimi e fton të vijë me ne dhe kështu njihemi me Dajë Besimin, një plak i zgjuar dhe i qeshur që shet ende në pazarin e Përrenjasit.

Daja ruan zakonet e vjetra. "Do të vini se s‘bën të pini një kafe në shtëpi. Kështu e kemi ne këtej. Unë në klub nuk futem, kështu që nuk keni nga të luani". Që në fillim e kuptuam që Daja është i pakënaqur me plot gjëra që i kanë bërë "kto t‘rinjtë". Më e parë nga të gjitha është se nuk ka drejtësi. "Ah, more çuna nuk mbahet derri për bishti more jo". Pastaj me dajën bëjmë një shëtitje nëpër lagjet e fshatit. Këndej më lart rrugët nuk janë edhe aq të përbaltura dhe mes gjelbërimit të shtëpive të Rrajcës dhe me bisedën juridike të Dajë Besimit, nisim ta ndjejmë veten fare mirë. Daja ka një histori të ndërlikuar. Ka vuajtur ca, sepse nuk pranonte të futej në kooperativë, pastaj e akuzuan se kishte strehuar disa njerëz që donin të arratiseshin, pastaj... Por të gjitha i rrëfen sikur të kishin qenë krejt normale. "Ashtu ishte koha atëherë", thotë plaku si përhumbshëm.

"Më mirë po shkojmë te shpia poshtë se n‘konak asht pak ftoftë". Daja na flet për Rrajcën, për sensin e tyre të punës, për lidhjen e vjetër me Strugën, për mikpritjen, sensin e humorit dhe dashurinë për vallen dhe muzikën. Atëherë, sikur të na ketë dalë vetë në shteg, ne e pyesim: "Po përse jeni kaq të njohur për vallen dhe për këngën popullore? Përse të mos ishte kështu edhe në ndonjë krahinë tjetër?". Daja e ka përgjigjen të shpejtë. "Kush punon kërcen. Atij i ka lezet". Plaku këmbëngul që ne të shënojmë në blloqet tanë edhe "ilaçin" që ka ai për padrejtësitë e sotme. "Nuk duhen aq shumë ligje sa po bajnë kta të ritë tashti. Mjaftojnë vetëm katër dhe këto janë...". Ne i premtojmë dajës se do t‘i botojmë katër ligjet e propozuara prej tij. "T‘i lexojë kush t‘i lexojë. T‘i kuptojë kush t‘i kuptojë. Unë kam të drejtë me i thanë", na thotë plaku simpatik. Sipas zakonit plaku na përcjell deri te dera e oborrit. Ne i kthehemi sërish shtigjeve të përbaltura.

Këpucët e bardha mbi baltë

Ndalojmë një copë herë përbri një shkolle të mesme. Kujtimi i njeh thuajse të tërë mësuesit. Ndërsa rrimë e presim Kujtimin të gjejë ndonjë mësues historie, apo ndonjë vendas tjetër, na bëjnë përshtypje nxënësit e shkollës. Janë të gjithë të veshur fare mirë me rroba të modës së fundit madje. Vetëm duket se e kanë një huq. Të tërë kanë veshur këpucë sportive të bardha. Shumë prej tyre i fshijnë sapo kapërcejnë ndonjë pellg me baltë, porse të tjerët nuk duket se ndjehen keq. Për ta ka rëndësi që me baltë apo pa baltë këpucët janë të modës së fundit. Nga larg duket sikur papritur një pirg dëbore është rrëzuar papritur mbi rrugën e përbaltur. Qetësohemi disi kur shohim punëtorë që punojnë për shtrimin e rrugës dhe atëherë mundohemi të imagjinojmë se si do të duken këpucët e bardha mbi asfalt. Atëherë po që nxënësit do të ndjehen krenarë. Kur ndjehen kështu mbi baltë, po mbi asfalt?

Kujtimi kthehet sërish vetëm. "Nuk ka njeri nga ata që kërkojmë, të tërë kanë dalë të presin të huajt", ngre supet ai. Ne mundohemi ta qetësojmë duke i shpjeguar se kemi hequr dorë nga ideja e "specialistëve", por kjo nuk e ngushëllon aspak Kujtimin e mirë. Më në fund e takojmë një mësues, por sërish nuk kemi fat. Ramadan Çela, mësuesi na pret me shumë mirësjellje, por edhe ky nuk mund të na ndihmojë. Mësuesi i matematikës ka qenë deri vonë oficer në Pogradec, tani është i gatshëm të na ndihmojë, por nuk e di se si. "Unë vetë jam nga Mokra - bën shenjë nga malet përballë nesh - nëse prisni të ikin këta të huajt unë ju lidh me kolegët e mi që janë marrë vërtet me këtë punë". Kujtimi mërzitet edhe më. "Çfarë tersi sot", psherëtin ai.

Te Mjeshtri i Madh

E ndërsa e qetësojmë disi Kujtimin, i cili ende e ndjen veten në siklet për atë që ai e quan "detyrë e pakryer për shokët e mi", na kujtohet se kohë më parë kemi lexuar shumë shkrime për një figurë shumë interesante. Ishte një njeri i njohur në Librazhd, i lindur në Rrajcë, që kishte bërë shumë emër si koreograf e valltar i njohur, si drejtues shoqatash kulturore e ansamblesh. Kishte pasur më pas një fatkeqësi të rëndë. Nga një diabet tinëzar, të padiagnostikuar me kohë, i kishin prerë të dyja këmbët mbi gju. Na u kujtua edhe emri: Sadi Halili i Librazhdit. Ja se ku e gjetëm pra edhe ne, më në fund "specialistin" tonë. Por kësaj radhe e gjetëm atë të vërtetin.

Në Librazhd, krejt pranë qendrës trokasim në derën e një apartamenti. Na ftojnë menjëherë brenda. Duket se kemi të bëjmë me një shtëpi ku mysafirët janë një gjë e zakonshme. Sadiu na pret si miq të vjetër. Ai ka lindur në Sutaj, në Rrajcën e vjetër, në vitin 1944. Djali i një minatori në një familje me shtatë fëmijë. "Vallen e kam nisur që fëmijë. Nëntë vjeç kam dalë në skenë. Kjo ndodhi në Pogradec, ku nëna dha shfaqje si valltare me grupin e fshatit. Kishim me vete madje edhe vëllanë e vogël, asokohe i lidhur në djep. Kështu e nisa këtë rrugë...". Bashkë me Sadiun dhe Feridenë, edhe ajo valltare dikur shumë e njohur në aktivitete kombëtare, shfletojmë dosje, kujtime, foto... Emra të njohur të artit, vende brenda dhe jashtë, koncerte dhe çmime pa fund, shoqata dhe emra ansamblesh kulturore, kryetar i të cilave Sadiu ka qenë e është, të gjitha na kalojnë para syve. Sadiu, koreograf e studiues i pashtershëm, rri e kujtohet gjatë para çdo fotoje a dokumenti.

"Po lidhjet me Rrajcën?", e pyesim. "Ah, po ajo më ka dhënë gjithshka - përgjigjet me një buzëqeshje që nuk i është ndarë që nga fillimi - më ka dhënë jetën, më ka dhënë gruan, miqësinë, dashurinë për vallen, muzikën, për të bukurën, më ka mësuar se si të sillem me njerëzit, por edhe forcën e vullnetit. Unë jam i bindur se dashuria e atyre njerëzve për të bukurën lidhet pikërisht me disa anë të karakterit që unë rrallë i kam hasur në vend tjetër. Shkoj shpesh në Rrajcë, atje kam një vëlla. Çmallem...". Edhe pse me këmbë të prera, Sadiu (Artist i Merituar dhe Mjeshtër i Madh) nuk e ka ndërprerë aspak punën. Vazhdon të punojë me fëmijë e të rinj me qëllim që "vallja e Rrajcës" dashuria më e madhe e jetës së tij të mos reshtë së jetuari. Udhëton shpesh për në Maqedoni, ku është shumë i njohur dhe i vlerësuar. I kërkojmë ndjesë Sadiut. Për jetën dhe "aventurën" e tij artistike nuk do të mjaftonte një seri e tërë me libra. Njësoj si në Rrajcë, ai na shoqëron deri në të dalë të oborrit të pallatit. Lëviz me një karrocë me bateri. Ne bëjmë mund që ta ndjekim nga pas. "Ky edhe pa këmbë ka mbetur valltar", thotë njëri prej nesh. "Ja këta tre çunat këtu i mësoj unë për valle", na prezanton ai me kënaqësi tre djem të vegjël që e lënë sakaq lojën që kanë nisur.

Në muzg marrim udhën e kthimit. I hedhim edhe një herë sytë andej nga janë malet e Rrajcës. Dy gjëra na jehojnë në veshët tanë. Shushurima e Shkumbinit dhe ajo shprehja "e artë" që pat lëshuar Dajë Besim "Ligjvënësi": "Ah more çuna, po kush punon kërcen!".

Dritëro Agolli për Mjeshtrin

"Sadinë e kam pasur mik qysh kur kam qenë i ri. Shumë herë e kam takuar në udhëtimet në Librazhd e jo vetëm që më binte rruga, por me dëshirën e mirë për ta takuar. Të gjithë shokët, valltarë, piktorë, poetë mblidheshin në ndonjë kafene e më pas, kur u ndërtua ‘Turizmi‘ mblidheshim atje, për të diskutuar për problemet e artit, veçanërisht për valltarët me nam të krahinës së Librazhdit.

... Ai ishte si një rrobaqepës, që e do kostumin të jetë i përsosur, që nga kopsat e deri te jaka, kështu e kërkonte vallen, që të ishte e përsosur që nga lëvizja e këmbëve dhe gishtave dhe nga ky pasion ai në shumë çmime të merituara është lavdëruar në të gjitha gazetat dhe është dekoruar për miretatat e tij të padiskutueshme, jo me hatër, por me drejtësi. Ai ka një meritë tjetër, se i do të gjitha artet, muzikën, pikturën, letërsinë, dhe mendoj se këto artet e tjera e kanë ndihmuar për arritje të mëdha. Artet ndihmojnë njëra-tjetrën si enë komunikuese. E kanë ndihmuar në arritje dhe në shpirtgjerësi. Ai nuk kishte kurrë smirë dhe nuk merrej me thashetheme, por me gjithë rrethet ishte shok që gëzohej kur kishin sukses dhe i uronte me gjithë shpirt që të ngriheshin edhe më shumë. Me një fjalë, ai është njeri i vërtetë dhe artist i vërtetë. Tek ai bashkohet edhe njeriu, edhe artisti.

Kur mora vesh për fatkeqësinë e këmbëve, ç‘është e vërteta u dëshpërova shumë që i ndodhi atij, ndryshe një valltar me këtë fatkeqësi, ndryshe një piktor, apo një shkrimtar, por ai është një njeri me vullnet të madh që i bëri sfidë kësaj fatkeqësie. Besoj se edhe këtu e ndihmoi pasioni për artin dhe vullneti i fortë për të punuar e jetuar, për të këshilluar të tjerët që të rritet tradita e krijuar prej tij...

... Më kujtohet një festival që ai ka shkëlqyer. Kostumet e bukura, dinamizmi i valltarëve të bënin të jetoje çaste që kurrë s‘të shkiten nga mendja. Këtu gërshetoheshin traditat e gegëve dhe toskëve, si ndodh te Këlcyra me Përmetin dhe kjo larmi e bënte festivalin më të plotë dhe mahnitës. I uroj tërë të mirat mikut tim të çmuar Sadi Halilit

Dritëro Agolli

Tiranë, më 27 nëntor 2004".

(Cituar nga: Zyba Bashmili, Kur shpirti vallëzon, "Toena", Tiranë 2005)

Katër ligjet e Dajë Besimit

T‘i pritet ... cilitdo që përdhunon.

Të korruptuarit të varen në litar.

Cilido që kapet duke vjedhur, t‘i pritet një këmbë e një krah.

Për rrahje, dënimi i vetëm duhet të jetë 25 vjet burg. Për vrasje, ndëshkimi i vetëm është dënimi me vdekje.

Pasaporta e një komune

Vendndodhja: Në Rrethin e Librazhdit, mes kufirit me Maqedoninë, Qafës së Thanës dhe luginës së Shkumbinit

Qendra: Rrajcë

Popullsia: 10.600 banorë

Fshatrat: Rrajcë, Sutaj, Skënderbej, Bardhaj, Katjel, Kotodesh, Urakë

Sipërfaqja 8.3 kilometra katrorë

Arsimi: 6 kopshte fëmijësh, 5 shkolla fillore, shkolla 8-vjeçare, 2 shkolla të mesme

Biznese të regjistruara: 38



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›