E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse pikërisht tani?

SHBA-të dërgojnë një përfaqësues të nivelit të lartë për bisedime me Iranin

I ka lënë të gjithë në pikëpyetje takimi i djeshëm në Gjenevë mes përfaqësuesve të BE-së e Këshillit të Sigurimit dhe Iranit. Krejt ndryshe nga radhët e mëparshme, dhe për herë të parë në këtë takim mori pjesë një zyrtar i lartë amerikan, duke shënuar kështu kontaktin e parë të nivelit më të lartë mes SHBA-ve dhe Republikës Islamike që prej ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979. Lajmi bëri bujë në mediat e mbarë botës, jo vetëm për këtë fakt, por mbi të gjitha, për arsyen e këtij ndryshimi radikal në politikën e jashtme amerikane kundrejt Iranit. Ajo çka bën më shumë përshtypje, është fakti se vendimi i Uashingtonit për të dërguar numrin tre të Ministrisë së Jashtme amerikane, Uiliam Bërns, të marrë pjesë në këto bisedime, nuk vjen në një moment të favorshëm nga pala iraniane. Përkundrazi, asnjëherë më shumë se ditët e fundit, Irani ka bërë të qartë objektivat e tij dhe faktin se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Vetëm pak ditë më parë, Republika Islamike testoi një grup raketash balistike, ndërsa të enjten një zyrtar amerikan paralajmëroi se Evropa ndodhet nën kërcënimin e armëve bërthamore të Iranit. Pikërisht dje, përpara fillimit të takimit, një zyrtar i lartë iranian hodhi poshtë mundësinë e pezullimit të programit për pasurimin e uraniumit. Sipas analistëve, tani mbetet për t’u parë sesi do të reagojë Irani ndaj stimujve ekonomikë të Perëndimit për të ndalur aktivitetin e tij bërthamor. SHBA-të dhe Irani nuk kanë marrëdhënie diplomatike që nga Revolucioni Iranian i vitit 1979 dhe pengmarrja në ambasadën amerikane në Teheran. Kontaktet zyrtare mes dy vendeve kanë qenë tepër të limituara, megjithëse vitin e kaluar ata u takuan në nivel ambasadorësh për të diskutuar mbi sigurinë në Irak.

Që nga viti 2002, kur presidenti amerikan Xhorxh Bush e quajti Iranin si një prej vendeve që formojnë axis-in e djallit, administrata e tij ka insistuar se nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin, derisa ai të vendosë të pezullojë programin e pasurimit të uraniumit, për të cilin Uashingtoni thotë se mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore. Por zyrtarë amerikanë thanë se prezenca e Bërns në këto bisedime është ngjarje që ndodh vetëm një herë dhe se ai ndodhet në Gjenevë jo për të negociuar, por për të dëgjuar. Ndërsa ka nga ata që mendojnë se, ndërsa kanë mbetur vetëm 6 muaj nga fundi i presidencës së tij, Bush ka vendosur të ndërmarrë një përpjekje më pragmatiste. Raportet e fundit në mediat amerikane thonë madje, se SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e hapjes së një misioni diplomatik në Teheran, i cili do të ishte i pari që pas krizës së pengjeve amerikane rreth 30 vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›