Rustem Gjata: Emërimet e Topit, me pëlqimin e Kuvendit

Ndërsa pritet që të nisë shqyrtimi i 6 gjyqtarëve të dekretuar nga presidenti për Gjykatën e Lartë, rikthehet sërish diskutimi nëse ata mund të shqyrtohen ose jo. Sipas ndryshimit më të fundit të Rregullores Parlamentare, në nenin 111 parashikohet shqyrtimi i kandidaturave për organet kushtetuese dhe të krijuara me ligj. Në këtë pikë, anëtarët socialistë në Komisionin e Ligjeve pritet që të kundërshtojnë shqyrtimin e 6 gjyqtarëve, me argumentimin se ata nuk janë kandidatura, por dekrete emërimi, ndaj si të tillë nuk mund të shqyrtohen. I pyetur nga “Korrieri” nëse 6 gjyqtarët e dekretuar së fundmi për Gjykatën e Lartë janë kandidatura apo emërime, juristi i njohur Rustem Gjata thotë se vetë Kushtetuta e përcakton që ata janë emërime, por që pëlqimin e marrin nga Kuvendi. “Atë e thotë edhe Kushtetuta vetë. Ato janë emërime, por që kërkojnë edhe pëlqimin e parlamentit. Presidenti i emëron, por pëlqimin përfundimtar e jep Kuvendi. Ai konsiderohet i emëruar, por nuk mund ta marrë detyrën dhe të ushtrojë funksionet pa dhënë më parë pëlqimin Kuvendi”, thotë juristi Gjata. Ndërkohë, anëtarë të Komisionit të Ligjeve argumentojnë se “kandidatë” cilësohen në rastet kur janë dy persona të dekretuar për një vend. Në këtë rast, parlamenti shqyrton edhe nëpërmjet seancave dëgjimore, se cili prej tyre është i përshtatshëm për atë post. Ndërsa në rastin aktual janë 6 gjyqtarë për 6 vende, dhe si të tillë opozita pritet të argumentojë se ata janë emërime dhe jo kandidime. Debati që pritet të nisë në Komisionin e Ligjeve është nëse gjyqtarët do t’i nënshtrohen rregullores së re apo jo, ndërsa juridikisht asnjëri nga argumentimet, as ai i mazhorancës, por as ai i opozitë nuk bie. Në këtë pikë, pritet që të ketë debate të ashpra mes anëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës. Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve i thanë para dy ditësh “Korrierit”, se mazhoranca është e vendosur për të zbatuar rregulloren e re, duke shqyrtuar dekretet e presidentit. Këto kundërshtime pritet që të sjellin edhe bojkotimin e shqyrtimit dhe të seancave dëgjimore të gjyqtarëve që janë dekretuar nga presidenti Bamir Topi për Gjykatën e Lartë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që votimi i tyre të bëhet sërish vetëm me votat e mazhorancës. Gjyqtarët e dekretuar që presin të marrin pëlqimin e Kuvendit janë Aleksandër Muskaj, Ariana Fullani, Andi Çeliku, Evelina Qirjako, Majlinda Andrea dhe Guxim Zenelaj.