Po ma marrin pushtetin

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, deklaron se aftësia e UNMIK-ut për veprimtari në Kosovë si një administrate ndërkombëtare është sfiduar rrënjësisht nga veprimet e autoriteteve të Prishtinës, por edhe të serbëve të Kosovës, të cilët po mbështeten nga Beogradi. Ai e ka shprehur këtë në raportin prej 21 faqesh, që do të diskutohet në takimin e Këshillit të Sigurimit më 25 korrik, ku përfshihen zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë prej 1 marsit deri më 25 qershor. “Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon asnjë rol për UNMIK-un. Nuk përmendet askund Rezoluta 1244, megjithëse liderët kosovarë kanë mirëpritur praninë e vazhdueshme të UNMIK-ut për një kohë në të ardhmen”, shprehet kreu i OKB-së në raportin e tij, të publikuar nga e përditshmja kosovare “Express”. “Kosova ka aprovuar ligje, me qëllim që të marrë kontrollin ligjor dhe përgjegjësitë në fushat e rezervuara për shefin e UNMIK-ut”, thekson ai. Nga ana tjetër, serbët e Kosovës, me përkrahje nga Beogradi, kanë zgjeruar bojkotin ndaj institucioneve kosovare, duke thelluar edhe më shumë strukturat e tyre paralele, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, thuhet në raport. “Po ashtu, serbët e Kosovës në disa raste kanë ushtruar dhunë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj autoriteteve të Kosovës”, përshkruan situatën në Kosovë kreu i OKB-së. Ai përsërit se këto ngjarje kanë kontribuar në krijimin e një realiteti të ri, në të cilin UNMIK-u nuk mund të kryejë më pjesën dërrmuese të detyrave, siç ka bërë në të kaluarën. Sa i përket rikonfigurimit, ai thotë se kreu i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, do të angazhohet në një dialog me Beogradin lidhur me gjashtë fusha kryesore: policia, gjykatat, doganat, transporti dhe infrastruktura, kufijtë dhe kisha serbe. Ban Ki Mun bën të ditur se, pasi Këshilli i Sigurimit më 20 qershor nuk ishte në gjendje të jepte udhëzime, ai ka dërguar instruksione për Zanierin, që të fillojë rikonfigurimin e UNMIK-ut. Në raport përmenden ligjet më të rëndësishme që ka aprovuar Kosova, përfshirë Kushtetutën, dhe po ashtu përmendet edhe “vendimi i institucioneve kosovare për themelimin e nëntë ambasadave”. Fjala “ambasadë” në raport është vënë në thonjëza. Në një pjesë të raportit përshkruhet situata në pjesët e banuara me shumicë serbe. Ban Ki Mun thotë se qeveria e Serbisë është orvatur të ushtrojë autoritetin e saj në zonat me shumicë serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, siç janë hekurudhat dhe gjykatat serbe. “Beogradi ka udhëzuar serbët e Kosovës që të bojkotojnë rrogat nga buxheti i Kosovës, me qëllim që të marrin rroga nga Serbia. Kjo ka ndikuar më së shumti tek pjesëtarët serbë të SHPK-së, në pjesën jugore të Kosovës, si dhe stafin e Shërbimit Korrektues, gjykatësit dhe stafin e gjykatave në veri të Kosovës”. Më 22 maj, 48 serbë të Shërbimit Doganor kanë dhënë dorëheqje, ndërsa qeveria e Kosovës si përgjigje i ka suspenduar me pagesë, megjithëse disa nga këta serbë vazhdojnë të marrin rroga nga Beogradi, thuhet në raport. Sekretari i Përgjithshëm përmend edhe raste të kthimit të serbëve në institucione. “Një numër i vogël i përfaqësuesve politikë serbë, përfshirë dy ministrat serbë në qeverinë e Kosovës, disa pjesëtarë serbë të SHPK-së dhe Shërbimit Korrektues janë kthyer të punojnë në nivelin lokal dhe qendror”, - thuhet në raport. Ban Ki Mun ka shkruar edhe për organizimin e zgjedhjeve lokale nga Serbia, në 23 nga 30 komuna ku jetojnë serbët. “UNMIK-u nuk i ka penguar zgjedhjet, por as nuk i ka ndihmuar dhe ka shpallur rezultatin e tyre të pavlefshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se pas zgjedhjeve, zyrtarë të Serbisë në Kosovë dhe liderë të serbëve të Kosovës kanë filluar themelimin e strukturave komunale paralele, sipas ligjit të Serbisë. Gjithsesi, situata e përgjithshme e sigurisë mbetet e qetë në sipërfaqe, thotë Ban Ki Mun. Sipas tij, shpallja e pavarësisë, hyrja në fuqi e Kushtetutës dhe reagimet nga serbët e Kosovës dhe Beogradi kanë rritur tensionet mes komunitetit shqiptar dhe atij serb, duke përmendur edhe protestat e dhunshme në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë një polic ukrainas. Në raport janë dhënë raste të gjetjes dhe konfiskimit të sasive të mëdha të armëve dhe municionit nga shqiptarë dhe serbë, por edhe narkotikë. Për shkak të mosfunksionimit të doganave në veri, Ban Ki Mun thotë se kontrabanda është rritur, veçanërisht derivatet e naftës, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës. Për kthimin e të zhvendosurve thuhet se ka pësuar një rënie, për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë, gjatë periudhës janar-maj. Edhe në këtë raport nuk thuhet askund që Kosova është nën sovranitetin serb, dhe po ashtu mungon harta e Kosovës në faqen e fundit të raportit.