E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valentina Leskaj: Pastërtia e figurave, ligji sbëhet dot brenda javës

Valentina Leskaj sqaroi dje në emër të PS-së, se socialistët nuk bojkotuan Komisionin e Ligjeve, por prej të paktën një jave kanë paraqitur dy kërkesa lidhur me shqyrtimin e projektligjit për dosjet

Valentina Leskaj sqaroi dje në emër të PS-së, se socialistët nuk bojkotuan Komisionin e Ligjeve, por prej të paktën një jave kanë paraqitur dy kërkesa lidhur me shqyrtimin e projektligjit për dosjet. “PS-ja ka kërkuar të sqarojë që ky ligj nuk është një ligj për hapjen e dosjeve dhe duhet që ta bëjë edhe njëherë të qartë për opinionin publik. Në fakt, projekti i paraqitur së fundmi nga PD-ja nuk është një ligj për hapjen e dosjeve, por është një ligj lustracioni, dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar javën e kaluar, që përveç afatit kohor, projektligji të ketë në themel rezolutën e Këshillit të Evropës, e cila i adresohet dhe në mënyrë specifike çështjes së lustracionit, por i adresohet edhe çështjes së hapjes së dosjeve”, - u shpreh Leskaj. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së shtoi se socialistët kanë kërkuar edhe pak më shumë kohë, në mënyrë që ky ligj të marrë seriozitetin dhe konsulencën e nevojshme me ekspertë brenda, pse jo edhe jashtë vendit. Numri një i socialistëve në Kuvend nënvizoi se PS-ja kërkon po ashtu respektimin e Kushtetutës së vendit e të rregullores së Kuvendit. “Pra, ne kemi kërkuar në komision që të respektohen këto gjëra: afatet, rezoluta e Këshillit të Evropës dhe Kushtetuta e vendit. Arsyeja pse deputetët u larguan dje, ishte fakti që komisioni u fut në shqyrtimin e ligjit nen për nen, që do të thotë se, pa kaluar në parim, u kalua në shqyrtimin nen për nen dhe Partia Socialiste nuk mund të hynte në diskutimin nen për nen, për një ligj për të cilin nuk ishte rënë dakord”, - deklaroi ajo. Leskaj tha se reflektimi i homologut të saj në PD, Astrit Patozi, për të dhënë kohë për të arritur një marrëveshje do të ishte i mirëpritur. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së shtoi se ligji për pastërtinë e figurës është një ligj e nuk mund të bëhet brenda një jave. Ajo sqaroi se Rezoluta e KE-së shprehet fare qartë, se masat për lustracionin duhet të kenë përfunduar deri në dhjetor të vitit ‘99 dhe në rastin e Shqipërisë, deri në dhjetor të viti 2001. Valentina Leskaj qartësoi edhe një herë, se PS-ja është e gatshme për hapjen e dosjeve, ndërsa ligji aktual nuk plotëson standardet për hapjen e tyre. E pyetur nëse mund të arrihet objektivi i shfaqur nga PD-ja për miratimin e ligjit brenda muajit korrik, ajo thotë: “Unë besoj që kjo kohë nuk është e mjaftueshme dhe besoj që edhe deklarata e OSBE-së dje ka qenë në këtë linjë. Besoj gjithashtu që nuk është vetëm deklarata e OSBE-së. Kini parasysh raportin e BE-së për parlamentin, për mënyrën e funksionimit të tij, ku një nga kritikat më të forta në raportin e fundit të BE-së ka qenë çështja e miratimit të ligjeve me nxitim në parlamentin shqiptar”. Sipas Leskajt, parlamenti është kritikuar edhe nga BE-ja e jo vetëm nga OSBE-ja. Ajo ftoi sërish mazhorancën të reflektojë lidhur me nxitimin dhe moskonsultimin me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›