E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse s’kërkuam një Gji Historik

Në Shqipëri po zhvillohet një nga debatet më fisnikë që është hapur ndonjëherë në median shqiptare: Ka humbur apo jo Shqipëria ato 354 kilometra katrorë në marrëveshjen për kufijtë detarë më Greqinë? Jam krenare që këtë debat e kanë hapur kolegë të “Gazetës Shqiptare” që në pranverë të këtij viti dhe shumë entuziaste që debati ka përfshirë media të tjera, specialistë e shoqërinë civile. Sipas burimeve diplomatike për “Gazetën Shqiptare”, matjeve dhe deklaratave tashmë publike të kolonelit në rezervë, ish-drejtorit të Institutit Shqiptar të Hartografisë Myslim Pashaj, ne i kemi humbur fare lehtësisht ato. Qeveria është mjaftuar me ndonjë deklaratë të shkurtër për shtyp lidhur me këtë temë kaq të ndjeshme dhe nuk ka bërë sqarime të mëtejshme ndërkohë. Daljet në publik të zyrtarëve që kanë bërë marrëveshjen kanë ngritur më shumë pikëpyetje se më parë dhe sqarimi i zyrtar i lë vendin (si në shembujt më të shëmtuara të transparencës) shoë-t në sallone të manipuluara televizivë. Siç ndodhi në sallonin e Blendi Fevziut në Klan, ku edhe pse vetëm me dy të ftuar (zakonisht ka katër të tillë) realizoi emisionin më me ritëm e ankth që të ketë bërë më parë. Mes presioneve, ndërrimit të hartave, kalimit nga një temë në tjetrën pa mbyllur një fjali, gjithësesi u kuptua që koloneli në rezervë Myslim Pashaj ka të drejtë: Pala shqiptare ka shkuar në marrëveshjen për kufijtë me Greqinë fare e papërgatitur, për të realizuar atë që grekët kanë dëshiruar të bëhet për kufijtë detarë. Zëvendësshëfi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kristaq Gërveni, në atë debat të pabarabartë televiziv tregoi se ishte më shumë i shqetësuar për të drejtat e ishujve grekë sesa të ujrave shqiptarë; sikur dikush t’i kishte thënë: Shkoni në takim, por bëni ç’duan grekët se respektojnë marrëveshjen sipas ligjit ata. Sigurisht që grekët respektojnë marrëveshjet, ligjet më shumë se ne dhe sidomos nuk shiten e nuk shesin kufijtë e vendit të tyre. Greqia është në BE, kaloi Italinë në mirëqënie dhe proteston kur dikush guxon t’i dhunojë të drejtat, por është e faktuar që abuzon kur ka përballë budallenj. Me Maqedoninë po vuan për çështjen e emrit; nuk dorëzohet kollaj ky vend kryeneç. Ndërsar me Shqipërinë sa vjen dhe e ka më të lehtë; arrin të realizojë çfarë i duhet dhe të gjitha forcat politike greke në pushtet kënaqin lehtësisht atë elektorat të tyrin që e sheh Shqipërinë si Vorio Epirin e mohuar. Kur Myslim Pashaj (që prej mediave pranë kryeministrit Berisha paraqitet si një pensionist i lajthitur) foli për Sarandën me termin “Gji Historik”, nuk iu la kohë të shpjegohej në Tv Klan, u kuptua se po thonte një gjë absurde. Në google lexuesit mund të zbulojnë vetë c’është Gjiri Historik dhe të njohin historinë e vendeve që kanë luftuar për këtë dhe kanë përfituar në dobi të vendit. Që Saranda të mos konsiderohej Gji Historik u interesonte grekëve dhe z. Kristaq Gërveni nuk shpjegoi se pse pala shqiptare s’e kërkoi këtë. Në kakofoninë e shkaktuar në sallonin e Fevziut një gjë u kuptua qartë: Kolonel Pashaj dukej si përfaqësues i palës shqiptare, ndërsa z. Gërveni si titullar i Shtabit të Ushtrisë Greke, edhe pse foli shqip.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›