E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti grek vizitë në familjen e rrëmbyesit të autobusit

MAT-Disa gjethe dhe kokrra ulliri, fryt i punës dhe shpirtit të tij "udhëtuan" që nga Greqia tek shtëpia e mbetur përgjysmë në fshatin Patin të Matit. “Gazeta Shqiptare” publikoi sot lajmin se një prift ortodoks u kujtua për emigrantin e pafat që la pas legjendë. Por, jo shteti i tij, po kaq inferior e i paaftë sa këtu e 10 vjet më parë. Ky i fundit mori "meritat" e grekëve, ekzekutoi pabesisht me snajper, Flamur Pislin. I riu nga Mati tentoi të vinte në vend dinjitetin e shqiptarëve, atë çka qeveritarët dhe politikanët e vendit të tij nuk arrijnë ta mbrojnë as sot, por u vra si terrorist. Koha flet, shkruan padrejtësitë - rehabiliton viktimat e shtetarëve dështakë. Një klerik grek dhe të njohurit e tij dëshmojnë kush ishte në të vërtetë Pisli, që tronditi e njëkohësisht preku fort opinionin e shëndoshë në vendin fqinj. Theodhoros Doshidhis ka lënë Selanikun dhe ka shkuar tek banesa e djalit shqiptar, që e kishte shumë për zemër. Tri ditë më parë, prifti ka bujtur në shtëpinë e Nuredin Pislit, babait të emigrantit. Kleriku u ul në odën e Flamurit, çoi lule në varrin e tij. "Solla kokrrat e ullirit që mbolli në bahçen time Fatmiri. Familja ime dhe banorët e fshatit gëzonin respekt dhe e donin shumë djalin tuaj", - ka thënë Doshidhis. Të prekur nga vizita e befasishme, të thërrmuar në shpirt nga dhimbja, prindërit dhe të afërmit e Flamur Pislit kanë shtangur nga habia nga mesazhi që vetë Zoti ua dërgoi pas kaq vitesh si ngushëllim.

Theodhoris Doshidhos gjatë vizitës në familjen e Nuredin Pislit u shpreh se, shteti shqiptar gaboi me vrasjen e djalit të tyre, Fatmirit. "Edhe pengjet që ndodheshin në autobus kanë qenë në mbështetje të tij, pasi i riu shqiptar kërkonte djersën dhe mundin e tij", - është shprehur prifti. Sipas tij, dy shtetet, Shqipëria dhe Greqia, janë të vonuar shumë me hetimet dhe se duhet të zbardhin të vërtetën e ngjarjes së rëndë të ndodhur 10 vjet më parë. I përlotur dhe i emocionuar, babai i Flamurit ka falenderuar me shpirt priftin grek për vizitën, interesimin dhe vlerësimin ndaj të birit të vrarë. "Nuk e prisja. Më duket sikur më është ngjallur djali që ia morën jetën që i dha Zoti. Ju jeni grek dhe nderoni tim bir, ndërsa shteti shqiptar është treguar indiferent për zbardhjen e ngjarjes", - ka deklaruar Nuredin Pisli. Babai i emigrantit të vrarë i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit që të zbardhë shkaqet e vrasjes së Fatmirit dhe autorët e pandëshkuar deri tani të vihen para Drejtësisë. Vetëm dhjetë ditë më parë, Nuredin Pisli tentoi të takonte kryeprokuroren Ina Rama në Mat për të kërkuar rihapjen e hetimeve, por më kot.

I detyruar nga kushtet e këqija ekonomike në familje, në vitin 1996 Flamur Pisli emigroi në Greqi, ku u punësua nga familja e një polici. Pas dy vjet e gjysmë punë, i riu shqiptar nuk merr frytin e punës dhe djersës së tij. Përkundrazi, përjeton ferrin. I futur në kurth nga punëdhënësi, Pisli përfundon në burg ku rrihet barbarisht. Del nga burgu më shumë i vdekur se i gjallë. Kthehet në shtëpi vetëm sa për të marrë "frymë" dhe më këmbë kalon malet dhe kthehet tek polici xhelat për të marrë paratë që i takonin. Ndërsa ka plagosur policin grek, emigranti shqiptar mori peng një autobus me pasagjerë. Për orë të tëra, Pisli u ndoq nga policia greke deri në kufi dhe më pas nga policia shqiptare në brendësi të territorit tonë. Ndërsa policia greke tregoi profesionalizëm duke negociuar me "pengmarrësin" (dha si garanci pas kërkesës së Pislit shumën prej 50 milionë dhrahmish), nuk ndodhi kështu me policinë shqiptare. Flamur Pisli u qëllua për vdekje me snajper në dalje të Elbasanit, në Qafë-Krrabë. Emigranti jo vetëm u vra, por u akuzua si terrorist dhe për vrasjen e një pengu dhe një gazetareje greke. Sipas familjarëve, këta dy të fundit nuk u qëlluan nga djali i tyre, por nga policia shqiptare.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›