E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse u shtrenjtua sigurimi i makines

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pranon se ishte ndërhyrja e këtij institucioni që detyroi kompanitë e sigurimit që të rrisin tarifat vjetore për sigurimin e automjeteve. Duket se me çmimet e ulëta, kompanitë nuk mund të mbulonin shpenzimet për dëmet, shpenzimet administrative dhe nuk mund të krijonin rezervat e detyrueshme teknike. Sipas një sqarimi zyrtar, AMF thekson se tarifat e aplikuara ishin nën primin e rrezikut, që do të thotë se produktit shitej nën kosto dhe nuk krijohej fondi i duhur për të kompnesuar dëmet. Për këtë arsye institucioni mbikëqyrës ndërhyri me mekanizmat e tij për të ndryshuar çmimet. “Në kushtet e një tregu të lirë e rëndësishme është të monitorohet angazhimi që operatorët financiarë kanë ndaj publikut dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura”, thuhet në sqarimin zyrtar të Autoritet të Mbikëqyjres Financiare.
Sipas ekspertëve të Autoritete të Mbikëqyrjes Financiare, pas liberalizmit të tregut të sigurimeve vitin e shkuar, tendenca ishte drejt uljes së çmimeve, prirje e kundërt me vendet e tjera që kanë kaluar më parë këtë proces.
Rritja e policës vjetore të sigurimit për automjetet ka shqetësuar qytetarët. Për mikrofonin e Abc News ata përgjigjen se do të jenë të detyruar të paguajnë çdo çmim për siguracionin e automjtetit të tyre, me qëllim që të jenë të rregullt.
Ndërkaq, kompanitë e sigurimit shprehen se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u bëri të ditur në fillim të këtij viti, se sigurimi i detyrueshëm motorrik nuk mund të ishte më i ulët se 10,800 lekë. E llogaritur kjo sipas formulave teknike përkatëse. Në fund të vitit të kaluar, AMF miratoi një rregullore të re që parashikonte mbikëqyrjen me bazë rreziku dhe mundësinë që të ndërhynte në çdo rast që vlerësonte rreziqe të shtuara në tregun e sigurimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›