Siguracionet e makinave, 2 deri në 3 herë më shtrenjtë
Të gjithë pronarët e makinave që kanë shkuar për të bërë siguracionin e detyrueshëm gjatë këtyre ditëve pranë kompanive të sigurimit janë përballur me një surprizë të pakëndshme, e cila ka të bëjë me rritjen e ndjeshme të policave. Kompanitë kanë dy-trefishuar policat e sigurimit duke rritur ndjeshëm koston e mbajtjes së një automjeti në vend. Të gjitha pikat e sigurimeve të kompanive të ndryshme që operojnë në këtë sektor kanë filluar të zbatojnë një tabelë të re çmimesh për siguracionin e mjeteve motorike.
Para datës 1 shkurt, çmimi i siguracionit për një autoveturë me fuqi deri në 1 600 kubik, lëvizte nga 4 500 deri në 6 000 lekë. Por pas kësaj date, çmimi për këtë siguracion ka shkuar rreth 14 mijë lekë ose mbi 3 herë më shumë. Ndërkohë, çmimi i Sigurimit të Detyrueshëm Motorik për një makine me motor më shumë se 1 600 kubik çmimi fillonte nga 6 500 lekë ndërkohë që tani kanë arritur në 14 600 lekë. Rritje ka për të gjitha llojet e siguracioneve duke filluar që nga motoçikletat e deti tek mjetet bujqësore apo dhe zjarrfikëset. Deri para 1 viti çmimet në tregun e sigurimeve ka qenë të fiksuara mes kompanive, me bekimin e Ministrisë së Financave.
Qeveria liberalizoi tregun e sigurimeve në shtator të këtij viti duke ia lenë në dorë kompanive vendosjen e primeve. Para liberalizimit të tregut, çmimi për sigurimin e makinave ishte standard, i miratuar nga Ministria e Financave. Me liberalizmin e tregut, tarifat thuajse u përgjysmuan. Vlera që kompanitë do të mendonin se plotësonte koston e tyre, ishte edhe vlera me të cilën ato do të gjykonin të dilnin në treg. Nisma rriti konkurrencën midis kompanive duke bërë që ato të luanin në treg me çmime minimale. Pikërisht kjo gjë bëri që primet e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik të uleshin me 11.2 për qind gjatë vitit 2011. Nisur nga kjo, kompanitë duket se e kanë parë të pamundur të vazhdojnë konkurrencën midis tyre. Kaq zgjati edhe periudha e çmimeve të ulta. Pas këtij veprimi, pritet që në treg të ndërhyjë sërish Autoriteti i Konkurrencës për të hetuar. Ajo çfarë po ndodh në tregun e sigurimeve është një pasqyrë e qartë e funksionimit të tregut në përgjithësi në vend. E. Senja
Shifër
11.2
për qind janë ulur primet e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik për vitin 2011. duket se kjo ulje ka bërë që kompanitë të lenë mënjanë garën e ashpër midis tyre për të ndërmarrë një dy-trefishim të primeve. Rritja ka filluar që në ditët e para të shkurtit
Rriten kontratat e sigurimeve, ulen të ardhurat
Kompanitë e sigurimeve kanë paguar më pak dëme gjatë vitit të shkuar ndaj atyre që kanë pësuar një aksident automobilistik. Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportojnë për ulje të të ardhurave të kompanive gjatë 2011 nisur edhe nga vendimi i qeverisë për të liberalizuar këtë treg. Kompanitë kanë realizuar rreth 4.3 miliardë lekë të ardhura nga Sigurimet Motorike ose rreth 400 milionë lekë më pak krahasuar me vitin 2010. Ulja e të ardhurave vjen për shkak të liberalizimit të tregut të sigurimeve, ku që prej shtatorit janë vetë kompanitë ato që vendosin tarifat për lloje të ndryshme siguracionesh, ndryshe nga sa ishte më parë kur ato përcaktoheshin nga Ministria e Financave. Duke pasur një konkurrencë të fortë midis tyre, kompanitë kanë qenë të prirura që të aplikojnë tarifa sa më të ulta ndaj të siguruarve. Një gjë e tillë ka sjellë në ulje të të ardhurave të tyre nga njëra anë por edhe ulje të masës së zhdëmtimeve. Mësohet se kompanitë kanë paguar rreth 1.7 miliardë lekë dëme për sigurimin motorik gjatë 2011 ose rreth 200 milionë lekë më pak krahasuar me vitin 2010.
Tregu i sigurimeve ka pasur një volum total prej rreth 8.3 miliardë lekë gjatë 2011 me një rritje vetëm 1.8 për qind. Pjesa dërrmuese e primeve bruto të kompanive përbëhen nga ato të sigurimit të detyrueshëm motorik.
