E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca Gjyqësore, gjyqtarët apel ekzekutivit për miratimin e draftit

Të hënën mblidhen kryetarët e gjykatave nën drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj. Gjyqtarët: Ky projektligj do 3/5 në Parlament, i bëjmë apel edhe opozitës për kalimin e tij

Kryetarët e gjykatave, shoqatat e gjyqtarëve, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues ndërkombëtarë do i kërkojnë ekzekutivit të kalojnë sa më parë projektligjin për “Konferencën Gjyqësore” në qeveri dhe më pas në Kuvend. Por, duke qenë se është një ligj që do 3/5 në Parlament, komuniteti i gjyqtarëve i drejtohet edhe opozitës që të japë kontributin e saj, që ky ligj të kalojë sa më parë. Ditën e djeshme ka pasur një takim të Unionit të Gjyqtarëve, për të diskutuar për draftin e përgatitur, ndërkohë që i paraprin takimit të ditës së hënë ku pritet të jenë të pranishëm të gjithë kryetarët e gjykatave në vend, drejtuesit e shoqatave dhe ndërkombëtarët që kanë ndihmuar në përgatitjen e këtij drafti. Drafti për “Konferencën Gjyqësore” ka përfunduar dhe pritet që së shpejti të kalojë në qeveri për miratim. Por, që të kalojë në Parlament duhet patjetër të ketë edhe votat e opozitës, ndaj dhe në drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, pritet që në përfundim ky takim të dalë me një deklaratë të përbashkët, ku t’i kërkohet ekzekutivit kalimi i draftit në qeveri dhe më pas në Kuvend. Sipas burimeve nga gjyqësori, drafti i përgatitur, me disa të meta të vogla që pritet të ndryshojnë, është i mirë dhe se për përgatitjen e tij janë angazhuar ekspertë nga Ministria e Drejtësisë, ndërkombëtarë dhe grupi i interesit që janë gjyqtarët. Projektligji i ri për Konferencës Gjyqësore ka disa risi krahasuar me të mëparshmin, i cili u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Tri do të jenë risitë e këtij drafti: përfshirja e të gjithë gjyqtarëve në votimin e kandidaturave për në KLD, raportimi i anëtarëve të zgjedhur herë pas here në mbledhjet e Konferencës Gjyqësore, lidhur me punën e bërë në mbrojtje të interesave të gjyqtarëve, si dhe mbledhja e Konferencës Gjyqësore 1 muaj pas mbarimit të mandatit të anëtarit të KLD-së.

Përgatitja e draftit

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë bëjnë të ditur se për përgatitjen e këtij projektligji, që shumë shpejt do të kthehet në ligj nga Parlamenti, është impenjuar një grup i madh pune, përfshi ndërkombëtarët e dy misioneve EURALIUS e OPDAT, gjyqtarët e të gjitha gjykatave në vend dhe specialistët e Ministrisë së Drejtësisë. Gjithçka, sipas burimeve zyrtare, është draftuar dhe u ka shkuar kryetarëve të të gjitha gjykatave në vend për mendim dhe afati i fundit për dorëzimin e mendimeve dhe sugjerimeve për draftin ka qenë data 10 shtator e këtij viti. “Çdo kryetari gjykate i është lënë dy javë kohë për ta parë me kujdes draftin dhe në bashkëpunim me gjyqtarët e gjykatës ku ushtron funksionin, të hedhë mendimet për sugjerime apo për pranim të këtij drafti”, - përfundojnë burimet zyrtare nga institucioni i drejtësisë. Projektligji pritet të kalojë shumë shpejt për miratim dhe shihet si një domosdoshmëri, pasi KLD-ja është duke funksionuar me katër anëtarë, të cilëve u ka përfunduar mandati.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›