E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet garancia pasurore 100 mijë euro, Taçi rikthehet në qeli

Avokatët mohojnë që klienti i tyre ka qëlluar mbi Bazen, kërkojnë masë më të butë nga gjykata. Haxhia: Për shkak të biznesit që ka, nuk përbën rrezik largimi, nuk përbën rrezikshmëri

Gjykata refuzoi dje garancinë pasurore të ofruar në këmbim të lirisë nga avokatët e biznesmenit Rezart Taçi, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” për të. Avokatët e Taçit ofruan për gjykatën si garanci pasurore shumën 100 mijë euro, më shumë seç parashikon ligji si gjobë për masën e dënimit nëse biznesmeni shpallet fajtor për veprën penale “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim. Por, shuma e ofruar nga avokatët Maks Haxhia e Artan Hajdari nuk është pranuar nga gjyqtarja që caktoi masën në mungesë, Fahrije Budo, pavarësisht argumenteve të përdorura nga pala mbrojtëse. Burime të besueshme brenda sallës së gjyqit u shprehën për “standard” se gjatë gjithë seancës së vleftësimit të masës së arrestit, i akuzuari për rrahjen e gazetarit Mero Baze nuk ka folur asnjë fjalë, duke ua deleguar mbrojtjen avokatëve të tij. I vetmi moment ku Rezart Taçi ka folur për gjykatën ka qenë momenti i saktësimit të gjeneraliteteve të tij, kur është pyetur nga gjykata nëse ishte personi me këto gjeneralitete për të cilin ishte caktuar masa në mungesë. Prokurori Gjergji Tako ka folur i pari, duke referuar akuzën para gjyqtares Budo dhe duke kërkuar që masa e arrestit e caktuar në mungesë të ngelet në fuqi, duke e lënë në qelitë e paraburgimit biznesmenin Taçi. Ndërkohë që avokatët Haxhia dhe Hajdari, përmes argumenteve ligjore kanë bërë mbrojtjen e klientit të tyre, duke rrëzuar akuzën e prokurorit dhe duke deklaruar se Rezart Taçi nuk ka qëlluar mbi Bazen. Ndërkohë që, lidhur me masën e arrestit të caktuar, për shkak të faktit se klienti i tyre është biznesmen dhe nuk përbën rrezikshmëri shoqërore, ata ofruan 100 mijë euro garanci pasurore në këmbim të lirisë, duke siguruar se Rezart Taçi nuk do të largohej në asnjë mënyrë nga vendi. Avokati Maks Haxhia tha se “kjo kërkesë bazohet në faktin se vepra penale për të cilën dyshohet se e ka konsumuar klienti im nuk paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për shkak të biznesit dhe punës që ka ai, nuk paraqet rrezik për largimin nga vendi”. Seanca gjyqësore për vleftësimin e masës së arrestit për Taçin filloi mesditën e djeshme, pas urdhërimit nga gjykata për policinë e kryeqytetit që i akuzuari të shoqërohej dje në gjykatë në orën 12:00. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe vijoi për rreth 40 minuta, ndërkohë që në ambientet e jashtme të gjykatës ndodheshin një numër i konsiderueshëm familjarësh, të afërmish dhe miq e shokë të biznesmenit Rezart Taçi. Gjatë seancës së djeshme, u bë vetëm vleftësimi i kushteve të zbatimit të masës, pasi tri ditë më parë, gjyqtarja Budo kishte caktuar në mungesë masën e arrestit për Rezart Taçin, president i kompanisë “Taçi Oil”, ndërkohë që pak minuta më pas u caktua masa për dy badigardët e tij, Bledar Liro e Irgen Selfo. Vepra penale për të cilën akuzohet biznesmeni Taçi rrezikon 3 vjet burg deri në 10 milionë lekë gjobë.

Vetëdorëzimi

Presidenti i kompanisë “Taçi Oil” u vetëdorëzua tri ditë më parë në policinë e kryeqytetit, pasi mësoi, sipas tij dhe avokatëve, për masën e arrestit, caktuar në mungesë. Përpara vetëdorëzimit në polici, Rezart Taçi ka deklaruar për mediat se situata e krijuar është vetëm strategji e një lufte ndaj tij dhe bizneseve që disponon, duke hedhur poshtë akuzat e gazetarit për konflikt fizik me të. Gjithashtu, Rezart Taçi ka hedhur poshtë akuzat për ushtrim dhune ndaj gazetarit Mero Baze, duke deklaruar se nuk është në edukatën e tij dhe të familjes përdorimi i dhunës. “Jam i gatshëm të respektoj në çdo moment çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret, vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, por nuk mund të mos shpreh bindjen time të plotë se e gjitha kjo situatë është rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë ndaj personit tim dhe bizneseve që unë zotëroj. Dua të theksoj faktin se nuk është në edukatën dhe formimin tim personal përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave, prandaj hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj personit tim. Sapo rashë në dijeni të vendimit të gjykatës, vihem në dispozicion të drejtësisë dhe shpreh bindjen se rasti në fjalë do të trajtohet në bazë të ligjit”, - u shpreh Taçi. Ndërkohë që avokatët e Taçit kanë ndërmarrë edhe një tjetër hap ligjor pas vetëdorëzimit të Taçit, duke bërë denoncim pranë organeve të prokurorisë për gazetarin Mero Baze. Ndërsa lidhur me masën e lënë në fuqi dje, avokatët kanë deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për ta ankimuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›