FAJI NUK ËSHTË NË KUTI
Nga Hajdar NOKA -jurist-
1. Në fjalorin dhe veprimin politik të ditës, kërkesa për “hapjen e kutive” po merr përmbajtje urdhëruese-kërcënuese. Nga vjen kërkesa urdhëruese për hapjen e kutive të 28 qershorit 2009? Çfarë përmbajtjeje ka një kërkesë e tillë? A ka bazueshmëri në ligj? A mundet vërtet të hapen kutitë? Me çfarë mjetesh ligjore hapen kutitë? Nga kush? Kur? Përse kërkesa, pavarësisht nga forma dhe përmbajtja i drejtohet qeverisë?
2. Në të gjitha këndshikimet, vlerësimet, analizat e mundshme dhe nga cilido interes politik që kërkon të ndjekësh apo mbështetësh, kërkesa për hapjen e kutive, tani, pas përfundimit të kohës zgjedhore është e pakuptimtë. Është një kërkesë pa lëndë. E marrë seriozisht, është tregues i një vetëdije politike në ethe. Sepse, është një kërkesë që shkel Kushtetutën e vendit, institucionet kushtetuese e ligjore dhe ligjin. E ngritur thellësisht mbi pamundësinë ligjore.
3. Pavarësisht orientimit politik, cilido që ka edukim ligjor, e di se nuk mund të ketë “hapje të kutive” për qëllime politike, pas përfundimit të kohës zgjedhore. Së pari, asnjë mjet ligjor në ligjin zgjedhor në fuqi nuk e parasheh; së dyti, hapja e kutive për qëllime të leximit politik të materialit zgjedhor bëhet vetëm brenda kohës zgjedhore, mbi bazën e një ankimi zgjedhor dhe vetëm nga institucioni zgjedhor. Nuk ka “hapje të kutive” për qëllime politike pas përfundimit të kohës zgjedhore pa rrëzim të institucioneve zgjedhore të caktuara nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor në fuqi, KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë, që kanë shqyrtuar dhe vendosur mbi rastet e ankimeve zgjedhore. Atëherë, përse “hapja e kutive”, si kërkesë politike nuk bëhet debat i ballafaqimit të opinioneve politike e ligjore në Kuvend, por hidhet drejt për drejt në rrugë?
4. Në asnjë germë të ligjit nr. 10019, dt. 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, mbi bazën e të cilit u zhvilluan zgjedhjet e 28 qershorit 2009, nuk lexon hapje të kutive për qëllime të leximit politik të votës zgjedhore apo për qëllime të verifikimit të ligjshmërisë së administrimit të materialit zgjedhor nga ana e komisioneve zgjedhore, pas përfundimit të kohës zgjedhore. Tani që koha zgjedhore ka përfunduar, nevoja apo interesi politik për identifikim të problematikave të mundshme zgjedhore nuk është çështje politike, por çështje që ndjek interesa thjesht njohjeje të problematikave. Kualifikimi i nevojës apo interesit politik për njohje të problematikave të mundshme zgjedhore, në çështje politike, shndërrimi i tyre në veprim politik refuzues, mospjesëmarrës në institucionet politike, më tej, hedhja në rrugë e partisë me kërcënim për përdorim të fuqisë politike për bllokim të shtetit, nuk janë kurrsesi elementë të së drejtës së informimit apo transparencës, siç pretendohet.
5. Në bazë të marrëveshjes ligjore PD-PS, ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, partitë politike, në cilësinë e subjekteve zgjedhore, lexojnë vetë votën zgjedhore, me anën e komisioneve zgjedhore vendore, që janë struktura thellësisht partiake, që i formojnë vet partitë politike, me njerëz të strukturave të tyre organizative territoriale. Vetëm rastet e mospajtimeve të vullneteve të komisioneve politike vendore në leximin e votës zgjedhore janë objekt i verifikueshmërisë nëpërmjet hetimit administrativ apo gjyqësor. Në të gjitha rastet, kur nuk ka ankim zgjedhor, nuk ka hetim administrativ ose gjyqësor, sepse nuk ka çështje zgjedhore. Ky është rregulli ligjor, marrëveshja ligjore PD dhe PS, që përmban Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje ligjore PD-PS, KQZ-së i është dhënë detyra ligjore, si autoriteti më i lartë zgjedhor shtetëror, që të shqyrtojë ankimet zgjedhore në rrugë administrative dhe të vendosë mbi ankimet zgjedhore. Vendimet e KQZ-së mbi ankimet zgjedhore i nënshtrohen vetëm kontrollit gjyqësor, që ushtrohet nga autoriteti i posaçëm, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës Apelit, Tiranë. Vendimet e autoritetit gjyqësor mbi ankimet zgjedhore, nuk i nënshtrohen asnjë verifikimi tjetër institucional apo ligjor.
Ky është përsëri rregulli ligjor, marrëveshja ligjore e PD-së dhe PS-së, që përmban Kodi Zgjedhor, në bazë të të cilit, PD dhe PS kanë vendosur bashkërisht me ligj, veç të tjerash, edhe në lidhje me mënyrën se si do të zgjidhen rastet e ankimeve zgjedhore, autoritetin, që i jepet e drejta dhe kompetenca të vendosë në lidhje me këto ankime dhe se, kur do të quhet i përfunduar procesi zgjedhor.
Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, nuk e bëri populli në rrugë, por është ligji i përbashkët i PD-së dhe PS-së. Tani, ligji nuk mund të anashkalohet me sofizma politike. Sofizmat e teorisë politike nuk mund të shkelin dhe as zëvendësojnë përcaktimet dhe rregullat konkrete të ligjit të posaçëm të përbashkët, të paravendosura.
6. Cili është autoriteti shtetëror, që ka detyrë ligjore administrimin e materialit zgjedhor pas zgjedhjeve dhe çfarë ndodh me materialin zgjedhor?
Në bazë të ligjit nr. 10019, dt. 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 178/1, asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së. Në bazë të nenit 178/6, me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Ky është përsëri rregulli ligjor, marrëveshja ligjore e PD-së dhe PS-së, që përmban Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. A është djegia e fletëve dhe kundërfletëve të votimit nga ana e KQZ-së, pas përfundimit të kohës zgjedhore, marrëveshja politike PD dhe PS, në plotfuqishmëri ligjore?
7. Përse kërkesa për hapjen e kutive, tani, pas përfundimit të kohës zgjedhore i drejtohet qeverisë? Në asnjë germë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nuk lexohet se qeveria përgatit, mbikëqyr, drejton, administron dhe shpall rezultatet e zgjedhjeve. Në asnjë germë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor nuk shkruhet se qeveria është përgjegjëse për cilësinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor politik. Qeveria nuk numëroi, nuk lexoi, nuk vlerësoi dhe as ndau votën zgjedhore subjekteve politike konkurruese, por ishin komisionet zgjedhore vendore, me përbërje thellësisht dhe numerikisht të barabartë politike, PD-PS. Të hedhësh në rrugë militantët për të protestuar kundër qeverisë, duke i ushqyer ata me dyshimin e vjedhjes së votës, do të thotë të manipulosh ndjesitë e tyre politike. Të manipulosh do të thotë të keqpërdorësh. Rrethimi i qeverisë me protesta, që kanë ushqim thellësisht iluzionist e manipulativ është një lloj agresioni politik.
8. Kërkesa për “hapjen e kutive” për qëllime politike, tani, pas përfundimit të kohës zgjedhore, me nënkuptimin e vjedhjes së votës, përmban pohime të ulëta për standardin kulturologjik dhe ligjor të shoqërisë shqiptare në tërësi. Një etiketë-njollë, që me shumë “trimëri” ia vëmë vetes.
Kërkesa fyen sistemin politik të demokracisë parlamentare në Shqipëri. Kërkesa fyen angazhimin, kontributet, sakrificat, pësimet, mësimet dhe edukimin politik të disa brezave politikanësh, aktivë ose jo.
Hedhja në rrugë e partisë, kërcënimet dhe ultimatumet, me nënkuptimin e përdorimit të përfaqësimit politik për bllokim të funksionalitetit kushtetues e ligjor të organeve shtetërore, vendore a qendrore, vë në dyshim kulturën dhe edukimin shtetëror të organizimeve politike në vend. Rruga popullore, si lëvizje jashtë sistemit ligjor në fuqi, shemb sistemin.
9. I duhet dhënë fund kalimit mendjelehtë dhe me arrogancë të subjekteve politike mbi institucionet kushtetuese e ligjore dhe mbi ligjin. Partitë politike janë një prej instrumenteve shoqërore vepruese në shtet. Kufijtë e lejimit dhe veprimit politik janë në kornizën e ligjit kushtetues, parimet themelore, neni 9 dhe ligjin për partitë politike. Organizimet politike nuk duhen përdorur si furtunëbërës, që kanë të drejtën dhe autoritetin të përmbysin dhe shembin, të bëjnë, zhbëjnë dhe ribëjnë, sa herë ndërrojnë prijësit “mendjendritur”.
Duhet maturi politike, përgjegjshmëri kushtetuese dhe ligjore në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve të veprimit politik për përmbushjen e qëllimeve politike.
Duhet të kujtojmë se është harxhuar shumë energji për të disiplinuar politikën, sjelljen e politikës në institucione, ushtrimin e veprimit politik në bazë të ligjit. Është një standard i arritur. Standardi i kërkuar i politikës sot është komunikimi. Komunikimi në institucione. Komunikimi në bazë të ligjit.