Qeveria shton kuotat për mastera dhe doktoratura
Këshilli i Ministrave vendosi dje të ndryshojë një sërë vendimesh që kanë të bëjnë me kuotat dhe tarifat e universiteteve publike. Në këtë mënyrë, me vendimin e djeshëm të këshillit të ministrave, u shtuan një master i ri të nivelit të parë, në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Politeknik të tiranës, përkatësisht Matematikë dhe Inxhinieri Fizike.
Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, ky master do të ketë tarifë vjetore 56.000 lekë për studentët që do ta vijojnë për herë të parë një program të ciklit të dytë të studimeve, dhe 70 mijë lekë për ata që vijojnë një program të dytë të ciklit të dytë të studimeve.
Po dje Këshilli i Ministrave vendosi të shtojë pesë kuota në programin e Doktoraturës së mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Këto kuota do të shërbejnë për të gjithë aplikantët nga trojet shqiptare, pra Kosovë, maqedoni, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, që kanë aplikuar.
“Për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë përcaktohen 5 (pesë) kuota, të cilat administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kërkesat e institucioneve përkatëse zyrtare të vendeve nga vijnë kandidatët. Kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.” – përcakton vendimi i qeverisë.
Ndërsa në programet e Doktoraturës të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe në mjekësi qeverioa ka përcaktuar 50 kuota shtesë për aplikantët nga trojet shqiptare.
“ Për kandidatët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, përcaktohen 10 (dhjetë) kuota në programet e studimeve të doktoratës në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe 40 (dyzet) kuota në programet e studimeve të doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë. Këto kuota administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kërkesat e institucioneve përkatëse zyrtare të vendeve nga vijnë kandidatët.” – përcakton vendimi.
Gjithashtu, edhe në doktoratën e gjeologji minierave janë përcaktuar kuota shtesë për shqiptarët nga trojet.
“Përcaktohen 10 (dhjetë) kuota për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, të cilat administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare përkatëse.” – përcakton vendimi.
Ndërkaq, Këshilli i Ministrave vendosi dje çeljen e programit Master i Nivelit të Parë në Fizioterapi, pranë Fakultetit të Infermierisë të Universitetit të Tiranës.
“Programi i studimit “Master i nivelit të parë” (MNP) realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është një vit akademik. Ky program studimi ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2009-2010. Kuota e pranimeve në këtë program, për vitin akademik 2009-2010, të jetë 30.” – përcakton vendimi i qeverisë.
Tarifa vjetore e shkollimit, për studentët, që do të regjistrohen në këtë program studimi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, të jetë 60 000 lekë.