E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova skandal diplomatik në Kroaci, zv/ambasadori arrestohet i dehur

kosovePrishtinë- Kosova prodhoi një skandal të ri diplomatik. Një zyrtar i lartë i ambasadës kosovare në Zagreb është arrestuar, e më pas është liruar, në gjendje të dehur. KTV-ja mëson se bëhet fjalë për zv/ambasadorin Urtak Hamiti, i cili e ka dëmtuar gjithashtu veturën zyrtare të shërbimit diplomatik.

Ministria e Jashtme është duke e shqyrtuar incidentin dhe do të veprojë në bazë të rregulloreve.

I dehur, për toke, i rrethuar me policë dhe një veturë diplomatike të dëmtuar afër. Burimet i kanë konfirmuar KTV-së se personi i arrestuar në Zagreb është Urtak Hamiti, zv. ambasador i Kosovës në Kroaci. Skandalin e ri diplomatik të Kosovës e ka pasqyruar gjerësisht televizioni kroat Nova, në versionin elektronik të saj, Dnevnik. Sipas përshkrimit të saj, zyrtari kosovar ka çmendur njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare.

Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar. Dëshmitarët i thanë policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.

Në ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar për Dnevnik arrestimin e zyrtarit të saj, por pohojnë se nuk ka pasur aksident trafiku. Madje, ambasada e Kosovës e mohon edhe gjendjen e dehur të zyrtarit. Sipas ambasadës, e gjithë ngjarja ishte keqkuptim dhe zyrtari ishte liruar pas 10 minutash. Sipas burimeve të Dnevnikut, zyrtari kosovar u lirua pasi që thirrej në imunitet.

Zv/ministri i Jashtëm, Petrit Selimi i ka thënë KTV-së se shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj është duke e shqyrtuar incidentin dhe të gjitha rrethanat dhe se do të veprojë konform rregulloreve. Ne presim sjellje shembullore nga diplomatët e Republikës së Kosovës, ka thënë Selimi.

Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, nga LDK-ja. Ai ishte emëruar në shërbimin dipmolatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni.

Marrë nga Koha Ditore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›