Publicisti Balliu takohet në Nju Jork me politikanët Dana Perino dhe Ari Fleçer
Drejtori i gazetës “55” ka marrë pjesë në Konventën Vjetore të Partisë Republikane për rajonin e Nju-Jorkut, ku edhe ka patur takime me eksponentë të PR-së si dhe të komunitetit shqiptar atje. Të pranishmit kanë shprehur interes për monografinë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, së cilës i kanë uruar të njëjtin sukses tek publiku amerikan, siç ka patur më herët në Shqipëri, Maqedoni, Francë e Zvicër
Publicisti Fahri Balliu, botuesi i gazetës “55” ka marrë pjesë dje, si i ftuar nderi në Konventën Vjetore të Partisë Republikane të rajonit të Nju-Jorkut, një aktivitet partiak me mjaft influencë në jetën politike të atij shteti. Zoti Balliu ndodhet në SHBA për një vizitë pune disaditore, si dhe për promovimin zyrtar të monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Gjatë punimeve të konventës, publicisti Balliu pati takime me eksponentë të Partisë Republikane Amerikane, me përfaqësues të diasporës shqiptare, të cilët militojnë në radhët e kësaj partie si dhe me mjaft personalitete të njohura të jetës kulturore në shtetin e Nju-Xhersit. Drejtori i gazetës “55”, gjatë punimeve të Konventës pati një takim me znj.Dana Perino, ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, gjatë fundit të mandatit të dytë të presidentit Xhorxh.Ë.Bush. Zonja Perino shprehu interes të veçantë për monografinë “Black Lady”, versioni anglisht i “Zonjës së Zezë...”, dhe u shfaq e bindur se libri do të ngjallte interes edhe për publikun e gjerë amerikan, i cili ka shumë nevojë për dëshmi të tilla për egërsinë e diktaturave komuniste në vendet evropiane. Zoti Balliu pati një takim miqësor edhe me Ari Fleischer, ish-sekretar për shtypin i presidentit Bush në vitet 2001-2003, dhe aktualisht këshilltar ndërkombëtar për mediat i kryeministrit të Kanadasë Stefën Harper, të cilit gjithashtu i dhuroi monografinë e tij “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Gjatë punimeve të konventës, drejtori i gazetës “55” pati një takim edhe me Kryetarin e Partisë Republikane për zonën e Ëestchetrit, Douglas Colte.
Një takim të përzemërt, publicisti Balliu pati me ish-kongresmenin republikan Xhozef Diougardi, president i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, bashkëshorten e tij Shirli Diougardi, shkrimtare dhe këshilltare për çështjet e Ballkanit si dhe të bijën e tyre, Kara Diougardi, një idhull i rinisë amerikane dhe anëtare e panelit të jurisë në spektaklin e shumëndjekur “American Idol”.
Libri i shkrimtarit dhe botuesit Fahri Balliu “Black Lady” (frëngjisht “La Femme du Diable”, i publikuar së pari në shqip me titullin “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” (monografi që në Shqipëri ka njohur disa ribotime), u prit me interes të jashtzakonshëm në mesin e atyre që patën rastin të marrin kopjen e këtij libri. Ata e falenderuan dhe e përgëzuan autorin e librit, publicistin Fahri Balliu, shkrimtar dhe drejtor i gazetës “55”, për kontributin dhe shprehën bindjen se monografia do të njihte një sukses, jo vetëm mes komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe tek publiku i gjerë i “botës së re”.
...