E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publicisti Fahri Balliu, leksion në Universitetin e Brukselit për natyrën e enverizmit

Në Bruksel, u përuruan të përkthyera në gjuhën frënge dy libra të publicistit, botuesit dhe shkrimtarit Fahri Balliu, ku autori mbajti një leksion të hapur në sallën kryesore të Universitetit Ndërkombëtar të Brukselit. Më shumë se 200 të pranishëm, mes të cilëve shkrimtarë, diplomatë dhe eksponentë të diasporës, vlerësuan ligjëratën e shkrimtarit Balliu për krimet e përbindshme të diktaturës enveriste në ShqipëriNga Eden Babani, BrukselFotot nga Asllan Krasniqi Me nismën e Universitetit të Lirë Ndërkombëtar të Brukselit (L’Université Libre Internationale) dhe të Qendrës Europiane të Kërkimeve Ndërkombëtare dhe Strategjike (Centre Européen de Recherches Internationales et Strategiques – C.E.R.I.S), u përuruan në Bruksel dy libra të publicistit, botuesit dhe shkrimtarit Fahri Balliu: “La femme du diable” (“Zonja e djallit”) dhe “La dictature des sens” (“Diktatura e shqisave”), njohur në Shqipëri përkatësisht me titujt: “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” dhe “Panteoni i zi”. Të dy librat, përkthyer në gjuhën frënge, janë botim i Shtëpisë Botuese Favre. Mbrëmja përuruese u mbajt në një nga sallat e leksioneve të Universitetit të Lirë Ndërkombëtar, në prani të më shumë se dyqind bashkatdhetarëve nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera etnike me banim në Belgjikë, si edhe shumë të ftuarve vendas.Ishin të pranishëm: Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, në BE dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut, zonja Mimoza Halimi, si edhe Konsulli, zoti Naim Mandri. Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, e përfaqësonte Këshilltari i saj, zoti Gani Azemi.Tubimin dhe praninë e autorit dhe të zonjës Balliu, e nderuan gjithashtu: Rektori Karim P. Ouedraogo, Dekani Ramadan Gjanaj, Profesor Andre Miroir (drejtor i C.E.R.I.S.), Profesor Sulejman Gjanaj, nënkryetar i Partisë së Lëvizjes së Legaliteit (P.L.L), dhe punonjës të tjerë të Universitetit. Nga komuna e Skarbeekut (një ndër më të mëdhatë Brukselit, me përqendrimin më të madh të shqiptarëve), e përfaqësonte përgjegjësi i kulturës. Ishte i pranishëm edhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese Favre.Nga Parisi kishte ardhur Doktor i Shkencave Politike dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, njëherësh autor i librit “Historia e Mbretërisë Shqiptare”, Profesor Patric Najbor.Pas fjalës së hapjes nga ana e Rektorit Ouedraogo, përshëndeti dekani, zoti Ramadan Gjanaj. Në vijim, drejtori i C.E.R.I.S., Profesor Andre Miroir, duke iu referuar brendisë së librave të Balliut, solli konsideratat e veta lidhur me regjimet komuniste dhe udhëheqësit komunistë. Fjala e Profesorit, mes stilit filozofik-shkencor dhe atij letrar-ironizues, tërhoqi vëmendjen dhe duartrokitjet e dëgjuesve. Nga ana e tij, zoti Fahri Balliu falënderoi në fillim të pranishmit për nderin që i bënë me pjesëmarrjen e tyre në tubim. Rastin fatlum të takimit me ta, autori i librave përurues e vlerësoi si hap drejt një miqësie të ardhshme. Sot e tutje, tha ai, unë ju quaj miq të mi, të gjithë ju që jeni në këtë sallë. Në vijim, Balliu shpjegoi për të pranishmit shtysat që i nxitën dëshirën për të shkruar veprat në fjalë. Shkrimtarët dhe gazetarët, tha ai, i zbulojnë faktet jetësore hap pas hapi. Shtysa që t’i thonë ato, bëhet dora-dorës e papërmbajtshme. Atëherë, njeriu i penës ndjen nevojën t’i hedhë në letër dhe t’i bëjë të njohura për publikun e gjerë.Botuesi dhe drejtori i gazetës “55” shtoi se e kanë tërhequr tej mase hulumtimi mbi bëmat çnjerëzore të komunizmit në Shqipëri, krimet e përbindshme të të ashtuquajturve udhëheqës komunistë, gjysmakë për sa i takon formimit kulturor, perversë dhe gjakësorë në performancën e tyre kriminale. Në këtë linjë, ai shtjelloi karakterin e personazhit të tij historik në veprën “La femme du diable” (“Zonja e zezë”). Sipas hulumtimeve të zotit Balliu në burime arkivore, ai nuk ka mundur të gjejë as edhe një dokument ku Zonja e Zezë të ketë shprehur emocione njerëzore, me përjashtim të letrës që i ka shkruar emisarit jugosllav Dushan Mugosha. Hoxha dhe e shoqja, tha ai, ose Djalli dhe Zonja e Djallit, zgjodhën variantin më të keq të komunizmit real shtetëror, atë të Stalinit, duke e orientuar njëherësh drejt instalimit të komunizmit familjar, çka prodhoi tragjedi të mëdha në popull. Enver Hoxha vrau, burgosi, internoi dhe përndoqi vetëm bashkëkombës të vetët, tha ia. Ndryshe nga tiranë dhe diktatorë të tjerë që ka njohur historia botërore, nuk është gjetur deri më sot ndonjë dokument i cili të vërtetoje që, me urdhër të Enver Hoxhës, të jetë vrarë të paktën një njeri me kombësi tjetër, përveç asaj shqiptare. Makina propagandistike e udhëhequr nga Zonja e Djallit, u fryu borive të urrejtjes ndaj kosovarëve dhe çamëve, duke krijuar një ekuilibër të paprecedent në historinë rajonit: në dobi të të huajve, vrastar për shqiptarët. Falë këtij ekuilibri antikombëtar, çifti Hoxha synoi përjetësimin e pushtetit për vete dhe për pasardhësit. Froni i përgjakur mbi të cilin qëndroi çifti vrastar dyzet e kusur vjet, u ngrit mbi eshtrat e më shumë se 5000 të dënuarve me vdekje, të zhdukurve nëpër burgje e internime, mbi vuajtjet e më shumë se 66 mijë të internuarve në kampet e punës së detyruar. Instalimin e komunizmit familjar në Shqipëri, projektuar dhe jetësuar nga çifti Hoxha, po e vuajnë sot e gjithë ditën jo vetëm shqiptarët me banim në Republikën e Shqipërisë, por edhe ata të Republikës së Kosovës, të trojeve etnike dhe të diasporës, falë brezit të dytë të bllokmenëve që kanë uzurpuar kreun e Partisë Socialiste dhe që përpiqen me çdo kusht e me çdo mjet të pengojnë afrimin e Shqipërisë e të shqiptarëve me botën demokratike të Perëndimit. Rasti më i freskët është rrëzimi i Ligjit për Lustracionin nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ku gjallojnë shërbyes të ish-diktaturës komuniste. Rrëzimi i Ligjit në fjalë, është një goditje e rëndë për ish-të përndjekurit politikë, të cilët ngado që të vërtiten, ndeshen me persekutorët e tyre që kanë lëshuar rrënjë në gjykata, në prokurori, në administratën shtetërore, në noteri etj. Më tej, zoti Balliu solli shifra krahasuese mes krimeve të kryera nga Sigurimi i shtetit mbi afro tre milionë shqiptarë dhe atyre të kryera nga STAS-i mbi afro dhjetë milionë gjermanë të Gjermanisë Lindore. Duke vënë ballë për ballë shifrat e 250 të ekzekutuarve për motive politike në Gjermaninë Lindore dhe të mbi 5000 të dënuarve me vdekje me po ato motive në Shqipëri dhe në të njëjtën periudhë kohe dyzetvjeçare, për të huajt e pranishëm në tubim, komentet ishin të panevojshme.Lidhur me bashkëpunimin mes shërbimit sekret shqiptar dhe atij jugosllav, zoti Balliu tregoi në mënyrë të këndshme historinë e një fatkeqi nga Pogradeci, i cili, i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit, u dërgua diku te të afërmit e vet në Maqedoni, me qëllim spiunimi. UDB-a e arrestoi dhe pasi e ballafaqoi me emrin me të cilin njihej në dokumentet e Sigurimit shqiptar, e detyroi të pranonte dhe të nënshkruante një rekrutim të dytë, këtë herë për të spiunuar vendin e vet. Kthimi në Shqipëri i spiunit tashmë të dyfishtë, e vuri fatkeqin përballë së njëjtës provë. Sigurimi i Shtetit kishte dijeni për rekrutimin e tij të dytë. I befasuar dhe pa rrugëdalje, spiuni i pafat iu kthye oficerit të Sigurimi: “Pse s’thua, ju qenkeni e njëjta ndërmarrje!” Ngjarja për të qeshur e për të qarë, la përshtypje të madhe në sallë, sidomos te të huajt. Pyetjeve të Profesor Patric Najbor, autori i librit “Historia e Mbretërisë Shqiptare”, zoti Balliu iu përgjigj  me vlerësime për arritjet e Shqipërisë në periudhën e mbretërimit të Ahmet Zogut, qoftë në fushën e organizimit të administratës shtetërore, të policisë dhe të ushtrisë, qoftë në fushën e ekonomisë dhe të financave, qoftë në drejtësi, në arsim e kulturë, qoftë në atë të diplomacisë. Ka ardhur koha, shtoi ai, që të bëhet më shumë për të vënë në dukje të vërtetat historike që u shtrembërua nga historiografia komuniste.     Në përfundim të fjalës së vet, zoti Fahri Balliu, solli në kujtesë të pjesëmarrësve arritjet e sotme të qeverisë së Kryesuar nga Kryeministri Berisha. Unë, tha ai, kam shkruar një libër mbi përpjekjet e Berishës për të mposhtur kasandrat që pengojnë vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Do të shkruaj edhe shtatë të tjerë me qëllim që të vë në dukje qeverisjen e tij të vështirë, por të suksesshme.Në koktejin e rastit, të pranishmit bënë fotografi me autorin, morën autografe prej tij, si dhe shkëmbyen mendime dhe kartëvizita....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›