Shtyhet gjykimi për Albin Kurtin, reagon lideri i “Vetvendosja”
PRISHTINE - Shtyhet gjykimi i Albin Kurti për datën 22 shkurt. Kështu u vendos sot në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë nga një panel i përbërë prej gjykatësve të EULEX it dhe gjykatësve të Kosovës. Në një njoftim të zëdhënëses së EULEX-it Kristina Herodes, "arsyeja e shtyerjes ishte që të pandehurit t'i jepet një kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij, në përputhje me dispozitat relevante të kodit të procedurës penale". Por pavarësisht gjykimit, Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se me rihapjen e procesit gjyqësor kundër tij, misioni i EULEX-it ka dëshmuar veten se po vazhdon avazin e vjetër të UNMIK-ut dhe se në fakt ky mision paraqet vetëm një UNMIK të ri, ndërsa ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet në seancën e nesërme gjyqësore për ngjarjet e 10 shkurtit. Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, procesin kundër tij e quan të montuar politikisht, duke thënë se me këtë proces gjyqësor EULEX-i po e konfirmon komplet analizën e “Vetëvendosje”-s se ai në fakt paraqet vetëm një UNMIK të ri. “Unë nuk shkoj në Gjykatë të Qarkut. Seanca gjyqësore janë të caktuara po në ditët në vijim, por nuk do të shkojë në asnjërën prej tyre vullnetarisht. Do ta vazhdojë aktivitetin sikurse çdo ditë, dhe çka do të ndodhë në të ardhmen nuk e di, por nuk e kam ndërmend ta shkeli parimin”, ka thënë Kurti. Kurti nuk e përjashton mundësinë e arrestimit të tij nga EULEX-si, pasi që sipas tij EULEX-i bazohet në Rezolutën 1244 dhe në gjashtë pikshin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki- Mun. Kurti akuzohet për organizimin e një turme që ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më 10 shkurt 2007. Lëvizja “Vetëvendosje!” ka mbajtur një demonstratë paqësore në Prishtinë, por ndaj së cilës është ndërhyrë dhunshëm nga policia e UNMIK-ut. Si pasojë dy protestues paqësorë u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën dhe lënduan. Por pavaresisht kesaj policët rumunë nuk kanë dalë para drejtësisë, por pak kohë pas vrasjes, ata janë kthyer në shtëpi. (d.b/BalkanWeb)