E Diel, 1 Nëntor 2026

James Cameron, ish-gruaja rrefen jeten e trazuar te krijuesit të “Avatar”

LOS ANGELOS-është regjisori më i famshëm dhe që ka pasur fitimet më të mëdha nga filmat e tij. Filmi i fundit i famshëm që e shndërroi në një mit ishte “Titanik” i vitit 1997 me të cilin çoi në shtëpi 11 “Oskarë”. Pyetja për një njeri me një sukses të tillë në karrierë është: A është vërtetë i lumtur? Aktorja Linda Hamilton, një nga ish-katër gratë e James Cameron thotë se problemi me James qëndron se ai gjithmonë kërkon atë që nuk mund ta ketë, të paktën për sa u takon grave. Gruaja të cilën për një arsye apo për një tjetër ai nuk mund ta ketë shndërrohen në ëndrrën dhe obsesionin e tij të vazhdueshëm. “Puna dhe gratë shkojnë paralel në jetën e Jimbos dhe këtë askush nuk mund ta dijë më mirë se unë”, ka treguar aktorja Linda Hamilton per tabloidet britanike The sun dhe Daily Mail. Kur James ishte duke punuar për “Titanikun”, ndërkohë që jetonte me Hamilton ra në dashuri me një aktore të dorës së tretë që luante një rol shumë të vogël në filmin e tij, Suzy Amis. Në këtë periudhë përjetoi një krizë të vërtetë, duke qenë se i donte të dyja gratë dhe më pas vendosi që të linte Suzin e të martohej me Lindën. Por ishte një martesë që zgjati vetëm 8 muaj, sepse James e kuptoi se pavarësisht sforcos së tij ai dashuronte Amis. Kështu që pasi u divorcua nga Linda u martua me Suzin me të cilën vazhdon të jetojë edhe sot duke sjellë në jetë tre fëmijë. Por sot 11 vjet pas ndarjes, Linda e sheh situatën pa dyshim nga një këndvështrim më i ftohtë. “Kur unë isha e martuar me James, Suzy më qëndronte si shpata e Demokleut mbi kokë, ndërsa sot jam unë hija” që u rri pranë shtratit martesor. Arsyeja është se Jim do gjithmonë atë që nuk ka dhe në këtë rast ai u martua me Amis, por mua ndërkohë nuk më ka”, thotë Hamilton. Por gratë që Jim nuk ka nuk përfundojnë me Lindën. Një tjetër hije është edhe ish-gruaja e tretë e Jim, regjisorja Kathryn Bigelow, që kandidon edhe ajo për “Oskar” këtë vit me një film shumë të bukur për Irakun. “Po, thotë Linda. Kathryn nuk duhet harruar për më tepër që ajo është shumë e suksesshme, madje ajo është duke e sfiduar drejtpërsëdrejti James”. Gjëja e parë që Kathryn bëri me të marrë vesh se do të ishte regjisore e filmit për Irakun “The Hurt Locker” ishte të takonte ish-bashkëshortin e të fliste me të për skenarin. Ai e nxiti që ta merrte përsipër edhe pse ndoshta në atë moment nuk mund ta imagjinonte se pikërisht ky do të ishte filmi që do ta sfidonte në natën e “Oskarëve”. James është një njeri i sëmurë edhe pas punës dhe për të arritur realizimin e imazhit që ka për perfeksionin nuk ka hezituar që ta çojë stafin dhe gjithë ekipin që punon me të në përjetime ekstreme. Jo më kot ai njihet edhe si njeriu më i frikshëm i Hollivudit. Në setin e filmit “True Lies” me Shvarcenegerin dhe Tomy Li Kurtis në stafin e aktorëve ai u tha aktorëve që kishin ardhur aty vetëm për punë dhe se nuk do të pushonin asnjë sekondë, madje se ai do të ndihej i ofenduar nëse do ata do të shkëputeshin qoftë edhe për të kryer nevojat personale. Ndërsa xhironte filmin “Abyss” me aktoren Elisabeth Mastrantonio, kjo e fundit thuhet se ikte nga shesh-xhirimi gjithmonë me lot në sy nga presioni i madh që James ushtronte ndaj aktorëve. Ajo madje njëherë u rebelua duke guxuar t’i thoshte regjisorit faqe të gjithëve se ata nuk ishin kafshë dhe se meritonin që të trajtoheshin si njerëz. Edhe aktorja e “Titanik”, Kejt Winslet u traumatizua shumë gjatë xhirimit të “Titanikut” dhe madje gjërat shkuan aq keq mes tyre sa në fund të filmit ajo u betua që të mos punonte kurrë me Cameron. Ky i fundit parapëlqen shumë shpesh që të thotë se: “Ha presion për mëngjes”. Në këtë mënyrë ndoshta arriti që ta bëjë filmin e tij “Titanik” një ndër më të famshmit e të gjitha kohërave me rekorde fitimi. Ky film i futi në xhep plot 187 milionë dollarë. Që nga ajo kohë ai jetoi vetëm për të sjellë në jetë një tjetër gjigant të kinematografisë, “Avatar”-in e famshëm që sërish mund t’i japë të njëjtin sukses dhe ndoshta një fitim edhe më të madh. Gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë në kërkim të një teknologjie që do t’i mundësonte realizimin e parafytyrimeve dhe fantazive të egra që i kalonin në mendje, atë të një planeti larg Tokës sonë të populluar nga një racë qeniesh humanoide me gjymtyrë të gjata dhe me lëkurë ngjyrë blu me emrin Na’vi. Me këtë mënyrë të jetuari dhe të sjelli janë të pakta ato gra që ia kanë dalë mbanë të kalojnë një kohë të gjatë me Cameron, edhe pse ai është vazhdimisht i tërhequr nga gra që kanë një forcë të madhe karakteri. Por zakonisht gra që janë shumë të zonjat në punë rrallë mund të qëllojnë edhe partnere shumë të mira në shtrat për këtë arsye Cameron ka kaluar nëpër kalvarin e 5 divorceve, të cilat kanë koinciduar edhe me periudhat kur ai ka punuar për filma të caktuar. Për ish-gruan e tij, Linda, “Titanik” ishte periudha më e dhimbshme në botë për të, por jo sepse Jim ishte duke u dashuruar me një aktore tjetër, por për faktin se fillimisht ishte Linda që për një kohë të gjatë nuk e kishte pranuar Jim si partner dhe më në fund kur gjërat kishin nisur që të funksiononin ai e kishte lënë për një tjetër. “Për mua ishte një periudhë e vërtetë çmendurie, sepse ndarja erdhi pikërisht kur unë më në fund kisha marrë vendimin që të qëndroja përfundimisht përkrah tij”, rrëfen Hamilton. “Por tmerri i vërtetë ishte kur pasi u nda nga unë ai u rikthye sërish për t’u martuar e për t’u ndarë përsëri. Muajt e fundit të martesës ishin të tmerrshëm, sepse James ndihej shumë në faj për sjelljen ndaj Suzit dhe më në fund vendosi që të rikthehej tek ajo. Ishte një periudhë e vështirë edhe për atë, sepse ai ishte shumë i trullosur nga dy marrëdhënie të cilat ishin të çmuara njësoj, por që në fund të fundit i duhej të bënte një zgjedhje”, vazhdon Linda. E ndërkohë që është martuar e ndarë shumë herë çka tregojnë se është një tip konfliktual me partneren, Cameron ka një aftësi të jashtëzakonshme për të pasur një marrëdhënie të mirë me të gjitha ish-bashkëshortet e tij. Qëllon shpesh që për Krishtlindje të mblidhen të gjithë së bashku me ish-gra e fëmijë. Po Suzi, gruaja aktuale a është dakord me këtë sjellje? Sipas Lindës, Suzit nuk ka si t’i pëlqejë një gjë e tillë. Për sa i përket “Avatar” Linda ndihet e befasuar për suksesin e madh që pati ky film. Kur ajo e pa së bashku me James skenarin e tij 14 vjet të shkuara nuk mendonte kurrë se ai do të kishte një sukses të tillë. Por me sa duket ajo nuk ka pasur vizionin e James, i cili ndërkohë kishte filluar të ngrinte skenat në mendjen e tij dhe të niste punën e gjatë për realizimin e një filmi të konsideruar si një mrekulli kinematografike. Edhe historia e saj me Cameron është një histori që ka lindur në sheshin e xhirimit të filmit “Terminator”. Bëhet fjalë për dy filmat e parë të tij nën regjinë e Cameron. Ajo luante së bashku me Arnold Shvarcenegerin në personazhin e Sarah Conor. Trupi i saj plot muskuj dhe i tonifikuar ishte i ndryshëm nga ai i femrave që ishin shfaqur deri atëherë në kinema. Ndaj ajo u shndërrua në simbolin e një femre të një epoke tjetër, një femre të fortë në karakter dhe në trup, një femre që në njëfarë mënyre mund të konsiderohej e pamposhtur. Bashkëpunimin me Cameron ajo e krahasonte me përplasjen e dy poleve të kundërta. “Ne ishim aq shumë kundërshtarë në fillim sa kur përfunduam bashkë e pamë këtë fakt me shumë çudi. “Të çarat në martesën e tyre u shfaqën pas disa muajsh, kur “Titanik” fitoi 11 “Oskarët”. Sot James është në krahët e Suzit. Linda dhe James ishin që të dy personalitete të forta dhe pikërisht tërheqja më e madhe mes tyre ishte tërheqja e mendjeve. “Nuk kam pasur kurrë problem që të kuptoja mendjen e Jim. Ishim qenie me të njëjtën linjë dhe i përkisnim të njëjtit nivel. Ndanim intelektin, humorin. Atij i pëlqente shpejtësia me të cilën i kapja gjërat dhe mprehtësia. Pra ishim shumë të lidhur teorikisht, por kjo nuk funksionoi në jetën bashkëshortore. Gruaja e parë e Cameron ishte Sharon Williams me të cilën ai u takua ndërsa ajo punonte si kameriere në një lokal dhe ai ishte ende një shofer kamioni 18-vjeçar. Martesa e tyre zgjati 12 vjet, por ata u ndanë kur James nisi të xhironte “Terminatorin”, pasi ideja për këtë film, siç e ka pohuar edhe vetë, i erdhi nga një ëndërr që ai kishte parë. Në atë kohë bëri edhe martesën e dytë me një producente. Së bashku ata realizuan “Aliens”, por martesa nisi që të ketë probleme kur nisën që të punonin për filmin “The Abys”. Brenda disa muajsh ai ra në dashuri me regjisoren Kathryn Bigelow. Martesa e tretë u bë në vitin 1989, por në atë kohë kishte nisur xhirimi i “Terminator 2” dhe në skenë u shfaq Linda Hamilton. Ajo nga ana e saj ishte divorcuar nga aktori Bruce Abbott me të cilin kishte një djalë. Me t’u dashuruar me James ajo nisi të jetonte me të dhe solli në jetë një vajzë. “Jimbo është një djalë shumë seksi kur është në punë. Kur e pashë për herë të parë nuk më pëlqeu dhe ndoshta jam e vetmja nga gratë e Cameron që nuk iu dha menjëherë atij. Në filmin “Terminatori” kemi bashkëpunuar edhe në skenarin e tij. Në punë ai është gjithë energji dhe një afrodiziak i gjallë për të gjithë. Ai është në kontroll edhe të detajit më të vogël kur punon. Ajo çka më bëri që më në fund ta pranoja James në jetën time ishte konsiderimi i tij një fëmijë tekanjoz e shpesh të ashpër, por që kishte shumë zemër dhe zgjuarsi brenda vetes. Në punë më dukej shumë seksi, por shpesh mund të ndodhë që ajo që të duket seksi në punë mund të mos jetë në shtëpi”. Linda kujton se bashkëjetesa me James ishte shumë e rrëmujshme dhe shpesh e zhurmshme e konfliktuale. Shpesh kur e kapnin nervat ajo i hidhte rrobat dhe sendet personale jashtë shtëpie dhe në këto raste ai largohej për disa ditë nga banesa për t’u rikthyer kur situata qetësohej pak. Madje situata nuk ndryshoi edhe pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre. Sot Linda dhe Jimbo janë miq të mirë që shpesh qeshin me momentet më kritike të së shkuarës të cilën të dy e kanë lënë pas shpine (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›