E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cirku i Edit për “hapjen e kutive”

“Cirku do të luajë, apo jo”. Ky ka qenë titulli i një filmi çek të shfaqur në vendin tonë gati para tre dekadave, dhe që nuk e di pse më sjell ndërmend tërë këtë 6-mujor, kur në mediat tona amplifikohet nga mëngjesi deri në darkë refreni i shokut Edi, që aksidentalisht i ka ndodhur të jetë në pozitën e mbishpinësit të Opozitës. A thua se vendi ynë i ka zgjidhur të gjitha hallet dhe tashmë nuk ka me se të merret, e sa të kruajë dhëmbët a të luajë derën po merret me këtë “cirkusin e Edit për hapjen e kutive”. Që Shqipëria, një vend tashmë i anëtarësuar me të drejta të plota në NATO dhe që pret të aderojë me shpejtësi në Bashkimin Europian (dhe gjasat janë mjaft të mira), kërkon ta zhvendosë vëmendjen e mbi tre milionë e gjysëm shqiptarëve në gjëagjëza folklorike e të pavlera, vetëm e vetëm për të “forcuar” alibinë e humbjes totale në zgjedhje, si rezultat i një vizioni krejt të turbullt, shterran e dështak. Të marrësh e të shkarkosh barrën nga supet e tua dhe t’ia lësh “kopilin në derë” dikujt tjetër nuk është kushedi se çfarë. Por të marrësh aventura të tilla për të gjymtuar fatin dhe ardhmërinë e vendit, kjo natyrisht është sa e turpshme aq dhe e dënueshme. “Casus belli” që ti ke zgjedhur: problemi i ndershmërisë në votime është diçka që qëndron shumë larg moralit dhe veprimtarisë tënde në favor të kësaj çështje. Votimet e lira dhe zgjedhjet e ndershme janë sigurisht treguesit më të rëndësishëm të “abc”-së së demokratizimit të shoqërisë dhe shtetit demokratik shqiptar. Standardet që janë arritur deri më tash, por edhe ato të pritshmet (që kërkohen të arrihen) në pjesën e tyre kockore janë ngjizur mirë dhe tregojnë që klasa jonë politike brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër kohore (as dy dekada!) ka arritur të paraqitet me një dinjitet të pëlqyeshëm edhe në eksponatet e Europës, me tradita shekullore në këtë lëmë. Partitë politike në Shqipëri dhe dy liderët kryesorë të kësaj epoke, zotërinjtë Berisha e Nano, ku më shumë e ku më pak kanë qenë në rendin e atyre njerëzve që kanë treguar se dijnë të punojnë e të implementojnë arritjet pozitive dhe eksperiencën e vendeve me kulturë demokratike, e për rrjedhojë edhe shkalla e zhvillimit të këtij treguesi ka pësuar në pjesën më të madhe të lëvizjes një dukuri pozitive me një ngritje të paimagjinueshme.Nuk duhet të harrojmë se Shqipëria erdhi nga post-diktatura më çnjerëzore që ka njohur Europa Lindore, ku zgjedhjet ishin elementi më i “pështirë”, ku diktatori ishte fitimtar me 99.99 përqind, paçka se ishin me dhjetëra mijra  të burgosurit politikë, të internuarit e të pushkatuarit. Nuk duhet të harrojmë se ne pushkatuam në vitin 46 jo thjesht “grupin e deputetëve” por lirinë e të drejtën për të menduar e vepruar ndryshe.Por pse shqetësohet atëhere shoku Edi Rama - dhe tok me të disa kanarina të kafazit të tij, të katapultuar për të qenë “të zgjedhur”? A e dinë ato të vërtetën e njeriut që kanë në krahë, nëse ai është “as” apo “pras” i lirisë dhe duarve të pastra në zgjedhje Pse në Partinë Socialiste grupi “Lëvizja për Mendimin Ndryshe” nuk është në të njëjtin akord? A mos vallë shoku Edi është më socialist se socialistët, më i devotshëm se ata që e ngritën këtë parti nga hiri dhe e shndërruan në një forcë të vërtetë politike me vizion demokratik. Natyrisht që jo. Edhe Edi e di këtë gjë po kaq mirë, bile edhe më shumë se unë apo të tjerët. Atij pak i dhimbset Partia (për të mos thënë aspak!), por shumë i dhimbset ardhmëria e tij e përhumbur gjithsesi. Kjo është e vërteta dhe aspak ndryshe. Por fakti është që ajo ekziston dhe nuk ke si ta bishtnosh.A nuk është vallë shoku Edi dhe skota e manipulatorëve të përgatitur prej tij që vodhi ditën për diell, m’u në sy të kryeqytetit të shqiptarëve votat e popullit kryeqytetas. A nuk ishte ky shok që i tjetërsoi në mënyrën më të pabesueshme rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2003 për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Nuk e kemi harruar besoj. Por edhe nëse dikush nga “deputetët” e Edit ka qenë në një moshë miturane dhe nuk ka dijenitë e duhura për këtë shkak, mund t’i kujtoj disa nga “bëmat” e usta Edit. Fjala bie, nga 400 vota të gjendura në kuti shoku Edi kishte “fituar” në proces-verbal 700 vota të vlefshme për kryetar. Aq të mëdhaja e të “hatashme” ishin vjedhjet e këtij shoku, saqë as KQZ-ja (që ky e kishte të “vetën”) nuk ia mbylli dot të gjitha pocaqëritë. Eh more shoku Edi, sa i zoti u tregove! Vodhi e falsifikoi falanga e “pionierëve të bashkisë” që i kishe përgatitur me zell ti. çfarë nuk bëtë në ato të gjora kuti, i kthyet në kuti-Pandore… aq saqë Gjykata Zgjedhore nuk pat se nga t’ia mbajë, por urdhëroi përsëritjen në mbi 30% të gjithë qendrave të votimit.Të kujtohet shoku Edi, se këto nuk janë gjëra që fshihen me një “të rënë” të furçës! Nuk e kuptoi se si mund të flasë për moralin zgjedhor një njeri që është treguar me të gjithë forcën dhe egërsinë si varrmihës dhe shnderues i tyre. Ja këto më erdhën ndër mend kur të pashë duke “mbajtur leksione morali për votën e lirë”. Nuk jam vonë që po të them sot pas gjashtë muajve. Në rastin e parë thashë : e po  le të justifikohet mavriu para të tijve. Nuk u dha vërtet fitoren, por ia ka zgjedhur rrugën që t’ua bëjë më të butë humbjen. Por kur edhe sot, pas gjysmë viti ti vazhdon të çirresh e të bërtasësh se “të dhemb” ajo që ty as që ta ndjen, kjo jo vetëm që më dëshpëron, por natyrshëm dhe më revolton. Ti të paktën duhet të heshtësh kur bëhet fjalë për votën e lirë. Ti i përket atij klani që edhe pse i paktë numerikisht, treguat me prova tw gjalla se e përdhunuat dhe e lënduat keq atë. Hiq dorë nga “cirku”. Kutitë nuk mund të hapen dhe ti e di më mirë se kushdo tjetër këtë gjë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›