Publicisti Nano sjell Hinterlandi i kuq

Hinterlandi
i Kuq-20 vjet më pas është botim i ri i publicistit Mustafa Nano dhe një
rrekje e tij për të treguar jetën e një qyteti provincial, ku ka kaluar një
pjesë të madhe të jetës
Nga Milena Selimi
Tiranë, 24 Janar NOA - Ditët e fundit ka
ardhur për publikun shqiptar, libri i publicistit Mustafa Nano Hinterlandi i
Kuq-20 vjet më pas. Ai është promovuar në mjediset e Universitetit Evropian të
Tiranës dhe është pjesë e kolanës eseistike UET/Press.
Të ftuar të shumtë kanë
vlerësuar risinë e autorit, por më shumë kumtin e provincës të ardhur nga një
pjesëtar i saj, siç është edhe vetë autori. Henri Çili, ideatori i kësaj
kolane, ka thënë se: vepra e Nanos është një nga ato vepra të rralla që janë
dëshmi e një kohe të shkuar e që dalë ngadalë ka nisur të harrohet.
Duke huazuar një thënie të Shën Agustinit, që
kur e pyesnin për kohën ai u thoshte se "kur më pyesin nuk e di, ndërsa
kur më pyesin e di", Nano tha se me këtë libër ai u ka kthyer përgjigje të
gjithë atyre që shpesh e pyesin se ç'është provinca. Dhe, për hir të së
vërtetës, libri i Nanos është një gërshetim i së vërtetës së jetuar dhe
krijimtarisë. "Aty ku flas për veten jam tërësisht unë dhe çdo gjë është e
vërtetë, ndërsa pjesë të tjerë, për personazhe të njohur ose jo, janë edhe fryt
trillimi", tha ai. Ndërsa, publicisti dhe botuesi Piro Misha është
shprehur se kemi të bëjmë me një libër tepër personal. "Ajo që të bie në
sy është që Mustafa Nano është i sinqertë me veten dhe me lexuesin. Ai e sjell
të kaluarën e tij ashtu si e ka jetuar. Ai nuk ka nevojë të ndërtojë një të
kaluar alternative" u shpreh Misha. Edhe vetë autori ka folur për librin, duke
rrëfyer edhe për provincën ku ai është rritur e ku ka jetuar një eksperiencë, një
sens sipas tij, që duhet ta njohin shumë njerëz të medies. Kuptohet se autori është
ndalur më shumë tek Çorovoda, vendi që e njeh më mirë: Ky qytet është një
entitet urban që mban gjithë ditën e ditës vulën e makthit bolshevik, shkruan
Nano. Merita e autorit është se ka shkruar shumë thjeshtë dhe në një farë mënyrë
është edhe një nderim për vendin e tij.
Janë të gjitha emocionet bazike të asaj kohe, që për brezin e ri sot janë pak të
harruara, por edhe përpjekja dhe mbijetesa me të gjitha notat.
Ky libër retrospektiv, i bërë nga një
personazh publik, që e ka njohur mirë qytetin e tij mund të quhet dhe një
kontribut për Skraparin, por edhe për çdo provincë tjetër që sot jepet nga ana
e njërit prej publicistëve më të mirë shqiptarë.