E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publikimi, gjykata dhe prokuroria nisin hetime për dëshminë e Colit

Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Krimeve të Rënda reagojnë ashpër ndaj publikimeve në median e shkruar të dëshmisë së Adriatik Colit, i penduari i organizatave kriminale të Durrësit. Në deklarata zyrtare, të dyja institucionet janë të bindura se publikimi i të tilla informacioneve përbën një shkelje dhe cenon sekretet e procesit gjyqësor në një moment tepër delikat të tij. Gjithsesi, prokuroria deklaron se do të marrë të gjitha masat për hetimin e nxjerrjes së sekretit. Ndërkohë, gjykata ka hequr përgjegjësinë nga publikimi i të tilla informacioneve, duke pohuar se dëshmia e publikuar në media është dhënë gjatë hetimeve paraprake dhe jo nën hetimin gjyqësor. Nga ana tjetër, gjykata deklaron se kemi të bëjmë me një shkelje të urdhrit të saj, pasi një vit më parë janë urdhëruar të gjitha mediat për mospublikimin e dëshmisë së Adriatik Colit, pasi kishte sekrete.

Prokuroria
Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme ka reaguar dy ditë më parë ashpër ndaj publikimeve në media të dëshmisë së Adriatik Colit. "Për sa u takon deklarimeve më të fundit në media, rreth procedimit penal në ngarkim të të pandehurve Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Adriatik (Dritan) Coli, e cila tashmë i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, bëjmë të ditur se këto media duhet të zbatojnë urdhrin e trupit gjykues të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e cila urdhëron ndalimin e publikimit të të dhënave apo dëshmive sipas nenit 103 të K.Pr.Penale", thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, në bazë të kërkesës së palëve, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të ndërmjetëm të datës 06.03.2008, bazuar në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të publikimit të mëtejshëm nga redaksitë e gazetave si dhe nga media të tjera vizive, të akteve të hetimeve paraprake të çështjes penale nr.33 akti. Ky vendim i ndërmjetëm, nga kancelaria e gjykatës u është komunikuar të gjitha mediave. "Ndaj ftojmë të gjitha mediat e shkruara apo vizive të mos bëjnë publikime të mëtejshme të dëshmive të të pandehurve Lulzim Berisha, Indrit Dokle, Adriatik Coli, pasi dëmtohet shqyrtimi gjyqësor, shkelet ligji, duke përbërë kështu vepër penale që ndëshkohet nga Kodi Penal", paralajmëronte Prokuroria e Përgjithshme parmbrëmë, megjithëse njoftimi nuk u mor parasysh. Në të tilla raste, thotë prokuroria, do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për gjetjen e përgjegjësve.

Gjykata
Krahas prokurorisë, dje edhe Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë reagoi për publikimin e dëshmisë së Adriatik Colit. Sipas saj, publikimet në media u përkasin hetimeve paraprake në prokurori dhe nuk kemi të bëjmë me dalje të sekreteve nga ana e gjykatës. Gjithsesi, kjo gjykatë u kujton edhe njëherë të gjitha mediave se në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje të urdhrit për të mos publikuar dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. Procesi gjyqësor ndaj 16 të pandehurve të akuzuar për organizatë kriminale në qytetin e Durrësit ka filluar para dy vitesh e gjysmë. Me gjithë kohën e madhe të kaluar, ende nuk ka dëshmuar në gjykatë i penduari. Shkak është bërë shtyrja e njëpasnjëshme e procesit, si pasojë e mungesës së avokatëve mbrojtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›