Rama: Më 10 tetor opozita del në shesh
Partia Socialiste duket e vendosur në qëndrimin e saj për të mos u kthyer në Kuvend pa u plotësuar kërkesa për hapjen e kutive të votimit në disa qarqe. Kryetari i PS-së, Edi Rama, dje u dha fund thirrjeve paralajmëruese ndaj mazhorancës dhe Kryeministrit Berisha, duke ftuar në shesh mbështetësit e opozitës më 10 tetor për të protestuar. Sipas Ramës, qëllimi i protestës është transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Gjendja e rëndë e vendit dhe e shoqërisë në kushtet e thellimit të krizës së demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, e vendosin tërë opozitën shqiptare, grupet politike e shoqërore dhe çdo individ që refuzon të jetojë kokulur në një vend ku s‘ka asnjë barazi para ligjit e ku çdo liri dhe e drejtë është e kërcënuar papushim, përpara detyrimit patriotik që të bashkohet në një front proteste kundër këtij pushteti të ngritur mbi manipulimin, korrupsionin elektoral e mashtrimin publik", theksoi Rama gjatë konferencës për shtyp. Ndaj, ai në emër të PS-së ftoi të gjithë shqiptarët, të shtunën e ardhshme më 10 tetor, në manifestimin e parë të protestës për hapjen e kutive të votimit ku fshihet e vërteta e 28 qershorit, ku mbahen peng liritë e të drejtat e shumicës, ku është burgosur ligji dhe ku e kanë burimin padrejtësitë që po shtohen në kurrizin e njerëzve. Duke vlerësuar se Kryeministri është i vetmi fajtor për këtë situatë, Rama deklaroi se "Sali Berisha gënjen veten nëse mendon se do ta shtyjë gjatë, duke bërë shurdhin dhe duke e ftuar opozitën të hyjë në Parlament pa plotësuar kërkesën e saj elementare për hetimin e procesit zgjedhor, që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen". Unë, tha Rama, i them Kryeministrit se do të përballet me popullin opozitar të shumicës në çdo hap të rrugës së tij dhe se opozitën e dialogut dhe të konsensusit që ndërtoi një proces historik mirëkuptimi në të mirë të vendit dhe të reformave integruese në NATO e në BE, do ta ketë përballë, më të vendosur se kurrë, në çdo hap të rrugës së tij. "Për t‘i dhënë fund pushtetit të tij, në qoftë se pushteti i tij nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të shkuara për t‘i mbyllur rrugë manipulimit dhe korruptimit të zgjedhjeve të ardhshme", u shpreh Rama. Pas një heshtjeje të gjatë, kryetari i PS-së u ka dhënë përgjigje edhe deklaratave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve se opozita duhet të kthehet në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit. Rama i ka falënderuar ndërkombëtarët për kontributin që kanë dhënë për Shqipërinë dhe për deklaratat që ata kanë bërë ditët e fundit. "Ndaj me ta mendimin se vendi i duhur për dialogun politik në një demokraci normale është Parlamenti dhe mezi pres që të plotësohen kërkesat tona normale për të hyrë në Parlament. Sepse pikërisht Parlamenti ka forcën ta bëjë deri në fund atë që ne kërkojmë, hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar nga hapja e kutive. Por, për sa kohë nuk ka asnjë vullnet nga pala në pushtet për ta lejuar hetimin, për t‘i hapur kutitë, për të na dhënë mundësinë të luajmë rolin tonë njësoj si në një demokraci normale, ne do të ndjekim rrugën alternative", theksoi Rama.