E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alonso, pilot i Ferrarit Spanjolli: Jam i lumtur

Ferrari konfirmoi marrëveshjen e arritur me Fernando Alonson. Dy herë kampioni i botës ka firmosur kontratë 3-vjeçare me "kokëkuqen", skuadër për të cilën do të garojë që prej Botërorit 2010. Përveç pilotit spanjoll, vitin e ardhshëm në skuadër do të jenë edhe Felipe Masa dhe Xhankarlo Fizikela (në rolin e pilotit rezervë). Në këtë mënyrë, zyrtarizohet edhe largimi i Kimi Raikonen nga Ferrari. Në faqen zyrtare në internet të prodhuesit nga Maranelo shkruhej: "Ferrari njofton tifozët e saj se ka arritur akordin me pilotin Fernando Alonso. Kontrata është e vlefshme për tri sezone sportive, duke filluar që prej vitit 2010. Në kampionatin e ri të Formula 1, skuadra do të përbëhet nga Alonso, Masa dhe Fizikela, i cili do të jetë rezervë. Ndërkohë, Raikonen do të largohet në fund të këtij sezoni, pas një bashkëpunimi mjaft efikas dhe të suksesshëm. Këtu, finlandezi fitoi titullin kampion në Botërorin 2007. Ai ndihmoi skuadrën të fitonte titujt për konstruktorë më 2007-ën dhe në vitin pasardhës". Në anën tjetër, Alonso është shprehur mjaft i kënaqur për transferimin te Ferrari. "Jam shumë i lumtur dhe ndihem krenar që do të bëhem pjesë e kësaj skuadre. Të gjithë pilotët ëndërrojnë të garojnë me makinat Ferrari dhe unë kam fatin që ta realizoj këtë ëndërr. Gjatë verës kishim firmosur parakontratë për vitin 2011, por pas ngjarjeve të fundit në F.1 vendosëm ta përshpejtonim mbërritjen time në Maranelo".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›