E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Buxheti shtesë ul investimet e huaja

Rishikim të planit për miratimin e buxhetit suplementar dhe kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e tij në komision. Këtë ka kërkuar deputeti socialist, Erion Braçe në seancën plenare të radhës. “Unë do përsëris kërkesën që një javë në komisionin e ekonomisë për buxhetin tuja të madh 300 milionë dollarësh nuk mjafton. Rishikoni planin, sepse komisioni nuk ka bërë plan për këtë debat”- tha Braçe.

Ai ka theksuar se buxheti suplementar, ul investimet e huaja me 265 milionë dollarë dhe

investimet kapitale ulen me 150 milionë dollarë. “Ky është superbuxheti juaj.

Ne duam kohë, sepse në kuvend ministri i Ekonomisë tha se brenda këtij do të ishin dhe superparatë e ARMO-s. Duam të shohim ku janë pse nuk përfshihen në buxhet”- tha ai.

Braçe ka kërkuar pse nuk miratohet brenda 30 qershorit buxheti faktit i vitit 2007.

Ndërkohë deputetja e PS-së, Stefa ka kërkuar informacione nëse në këtë buxhet suplementar përfshihen ndonjë fond për shëndetësinë që tani është në kolaps.

Shtyrje të afatit ka kërkuar edhe deputeti Ylli Bufi, sipas të cilit në zbatim të rregullores ai duhet të futet për dy javë në kalendar. “Po bëni një procedurë të papranueshme”- tha ai.

Ministri Bode, ka kujtuar se buxheti duhet miratuar shpejt për t’i dhënë kohë vendorëve të nisin procedurat e tenderimit. “Do shtojmë investimet e mëdha me vlerë 10 miliardë lek ëtë reja dhe ti japim mundësi qeverisjes vendore me 2 miliardë lekë të tjera në infrastrukturën lokale. Po alokojmë tepricat e krijuara në 6 mujorin e parë dhe nuk po bëjnë politikat buxhetore, nuk ka arsye të mjaftueshme për të kërkuar kohë të madhe”- tha ai.

Pas debatit të lirë, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi në seancën e sotme në Kuvend të shtyhet koha për miratimin e buxhetit suplementar. Sipas saj, koha në dispozicion është e shkurtër dhe nuk ka kohë për ta shqyrtuar apo parë në detaje se ku do të shkojë ai.

“Për buxhetin suplementar është lënë vetëm një javë kohë për diskutim.

Ai është shpërndarë vetëm sot mbasdite dhe komisonet nuk kanë arritur ta marrin e ta shohin. Një javë kohë nuk mjafton të bësh asgjë. Ndaj kërkoj të rishikohet kalendari për buxhetin suplementar”- tha ajo, duke përsëritur mendimin e thënë fill pas mblehdjes së grupit socialist.

Sipas Leskajt, për buxhetin suplementar nevojitet më shumë kohë, sepse komisionet dhe ekspertët kanë nevojë të konsultohen dhe të japin mendimin apo kontributin e tyre, lidhur me këtë buxhet.

Kundër kësaj është shprehur menjëherë demokrati Astrit Patozi, i cili e ka quajtur gjithë këtë kundërshtim si kohë të humbur, e cila nuk duhet të ndodhë.

Madje, ai ka thënë se kjo është një xhelozi e hapur e opozitës, e cila nuk ka arritur të krijojë buxhet suplementar. “Buxheti duhet të votohet se do të shkojë te qytetarët dhe s’ka pse të vonohet”- tha ai.

Por, edhe deputeti Skënder Gjinushi ka qenë i të njëjtit mendim me Valentina leskajn, duker kërkuar kohë më shumë për diskutimin e buxhetit suplementar.

Qeveria miratoi në mbledhjen e kësaj jave buxhetin suplementar për vitin 2008, me një vlerë 270 milion dollarë, të cilin ia paraqiti Kuvendit për miratim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›