E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publikimi i vetëvrasjeve në media krijon efekte negative

Në periudhën e pasluftës indeksi i vetëvrasjeve në Kosovë, gati është katërfishuar krahasuar me periudhën e paraluftës. Kjo dukuri e përfolur, sipas psikiatërve, është ndikuar negativisht edhe nga mediat, sepse duke i dhënë publicitet këtyre zhvillimeve në esencë ka krijuar efekt negativ te personat e prekur me sëmundje mendore.

Psikiatri Ferid Agani ka thënë për Kosovapress se vetëvrasjet është temë aq e ndjeshme dhe shumë komplekse, saqë nëse nuk trajtohet në mënyrë adekuate, atëherë mund të ketë pasoja të shumta negative.

“Tema e vetëvrasjeve është mjaft e ndjeshme, shumë komplekse dhe natyrisht në qoftë se nuk trajtohet në mënyrë adekuate mund të ketë reproporsione të shumta negative. Veçanërisht kur kemi të bëjmë me këndvështrimin e medieve ndaj kësaj teme, sepse në shumë situata duke menduar po bëhet mirë në një farë mënyrë duke e bërë shumë publike edhe duke i dhënë publicitet këtyre zhvillimeve ne esencë krijohet efekt negativ”, ka thënë Agani.

Sipas tij, me organizimin zyrtar të Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare, problematika e vetëvrasjeve është edhe një prej atyre detyrave themelore me qëllim të sensibilizimit të opinionit.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë për Kosovapress se nga viti 1999 e deri në vitin 2009 ka një tendencë në rritje të numrit të rasteve të vetëvrasjeve.

“Gjatë vitit 2009 në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 73 vetëvrasje, ndërsa gjithashtu janë raportuar edhe 293 tentim vetëvrasje. Sa i përket këtij tre mujori kemi gjithsej 8 raste të raportuara si raste të vetëvrasjeve dhe 54 raste tentim vetëvrasje”, ka thënë Sadriu.

Sipas tij, gjinia mashkullore është ajo e cila prin për nga vetëvrasjet, ndërsa kryesisht rastet më të shpeshta janë mes moshave 40 dhe 70-vjeçare, ndërsa te gjinia femërore janë 15 deri në moshën 30-vjeçare. /Kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›