Arrestohet imami nga Elbasani

Prishtinë-Tiranë, 3 Mars NOA - Arrestohet imami nga Elbasani, Kastriot Duka i njohur me emrin Xhemal dhe ekstradohet menjëherë për në Shqipëri, konfirmojnë për agjencinë NOA, burime zyrtare nga Policia e Kosovës.
Imami Kastriot Xhemal Duka, i cili ka kryer studime të herëpashershme në vendet arabe dhe kurse të ndryshme në ato vende dhe i njohur si bashkëpunëtor i ngushtë në përpjekjet për sensibilizimin fetar në Elbasan dhe zona të tjera të Shqipërisë, është arrestuar nga autoritetet dhe më pas deportuar në Shqipëri pasi e konsiderojnë atë si imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt.
Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete
të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e
Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë.
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e
Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin
e Republikës së Kosovës, pasi që ai ka shkelur legjislacionin në fuqi, si dhe
në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës.
Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të zotit Duka,
flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit, për të cilin edhe i është dhënë
lejeqëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatë, për
të shtuar se zoti Duka, së fundmi, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës
kompetente, ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim
të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës.
Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë zoti Duka në
paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë
në Republikën e Kosovës, është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër.
Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të
aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e
Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, sot, me
datën 3 mars 2010, ka arrestuar dhe deportuar në shtetin amë z. Kastriot Duka.
Të njëjtit i ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në
dispozitat ligjore në fuqi (Ligji për të huaj), sqarohet në komunikatën e
MPB-së.
Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Skenderajt, nisur nga një peticion i
nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të këtij vendi, mori një vendim për mbylljen e
përkohshme të xhamisë dhe largimin e z. Duka.
Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e
Bashkësisë Islame, ndaj pretendohet se Kastrio (Xhemal) Duka ushtroi funksionin
e imamit pa bekimin e Bashkësisë. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe
shoqatën humanitare Rahma/Mercy.
Sakaq në Skënderaj, sot është mbajtur një protestë, në shenjë të shprehjes së
pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin
Marinë.
Policia e Kosovës tha se në protestën që ka zgjatur rreth 30 minuta, kanë marrë
pjesë rreth 100 persona dhe se protesta ka përfunduar e qetë.
Që nga mëngjesi i djeshëm, Ajnishahe Halimi,
një nga iniciatorët e peticionit, të shndërruar tashmë në vendim ekzekutiv të
kuvendit komunal, thotë se situata në Marinë është alarmante.
Unë jam myslimane dhe i përkas besimit fetar islam, mirëpo myslimane dhe
respektim të fesë në mënyra tradicionale, siç ka qenë përpara, e jo me një
kulturë iraniane a irakiane, sepse nuk kemi nevojë. Situata është më se
alarmante, jo vetëm në Drenicë, por në tërë Kosovën me këtë sekt, sepse tërë
Kosova, pas luftës, është përfshirë në një ekstremizëm, radikalizëm të fesë,
gjë që çon te fundamentalizmi islamik.
Unë do të doja të ik nga ky fundamentalizëm islamik. Ne kemi qenë të
shqetësuar. Për këtë kemi bërë peticionin, i cili u nënshkrua nga 6 mijë
qytetarë, thotë Ajnishahe Halimi.
Por, Kastriot Duka nga Elbasani, që tashmë ka ndryshuar emrin në Xhemajl, një
ditë para se të mbyllej xhamia, në njërën nga dhomat e saj të shndërruar në
zyrë, hodhi poshtë akuzat.
Ai, madje, akuzoi iniciatorët e peticionit, se kanë mbledhur nënshkrime të
rreme.
Ka marrë nënshkrime të rreme, ka manipuluar në emër të Albin Kurtit. Ky nuk
është vendim i drejtë, sepse shteti është i ndarë nga xhamia. Ne kemi
Bashkësinë Islame në Kosovë, e cila ka të drejtë dhe kompetencë ta mbyllë
xhaminë kur ka baza.
Por, megjithatë, ne jemi në negociata me Bashkësinë Islame dhe shumë shpejt do
ta zgjidhim problemin e xhamisë së Marinës, tha Duka.
Pretendimet për nënshkrime të rreme hidhen
poshtë jo vetëm nga Halimi, por edhe nga udhëheqësit e komunës së Skenderajt.
Nënkryetari Abdyl Ymeri dyshon se aktivitetet në xhami ishin në përputhje me
rregullat e Bashkësisë Islame.
Kjo xhami nuk i është përgjigjur as Bashkësisë Islame dhe aktivitetet që i
zhvillon aty, për neve janë të dyshimta, thotë Ymeri.
Duka thotë se përmes organizatës së tij,
Rahma/Mercy, ndihmon 550 familje në Drenicë me nga 20 euro në muaj.
Në Marinë, shumica e banorëve kanë familjarë të vrarë në luftë. Ata thonë se
shoqata Ramha/Mercy, me seli në Angli, vazhdimisht u ka ndihmuar në ushqime,
por edhe në të holla.
Shefkije Mëziu është njëra nga ato që thotë se ka përfituar: Janë shpifje. Hoxha na ka ndihmuar të gjithëve me shpirt. Për hoxhën ska çka
thotë askush. Atë ditë që ta heqin hoxhën nga këtu, sidomos kush ka jetimë, mbaron
krejt, thotë Mëziu, e cila pranon se merr 20 euro në muaj nga shoqata
Ramha/Mercy, mirëpo është shteti ai që i paguan më shumë asaj - nga 135 euro
në muaj, si kompensim për humbjen e të shoqit në luftë.
Ndryshe, në faqen e saj të internetit, shoqata humanitare Rahma/Mercy, e
themeluar në vitin 1999, shkruan se, fillimisht, synim kryesor kishte ndihmën
për refugjatët kosovarë, e më vonë për bonjakët.
Por, sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, ndihmat zakonisht janë
kushtëzuar me lojalitetin e treguar ndaj z.Duka, që nënkupton dërgimin e
fëmijëve në xhami për mësime kuranore, e në këtë rast edhe mbulimin e vajzave
të vogla.
Në internet, madje, qarkullon një video, ku Duka mbulon vajzat 6 - 7-vjeçare.
Vetë z.Duka pranoi se vajzat janë mbuluar, por tha se kanë pasur pëlqimin e
prindërve.
Ne jemi myslimanë, vajzat i mbulojmë me shamia, pa marrë parasysh moshën...
Puna e shamisë është në liri të besimit të tyre. Çdo prind e dërgon fëmijën në
xhami. Unë jam prind, fëmija im ka qejf të vishet me këtë uniformë. Dakord jam
me këtë, por kjo është liri e besimit të fëmijëve, u shpreh Duka.
Sidoqoftë, aktivitetet e Dukës nuk janë parë me sy të mirë as nga vetë
Bashkësia Islame. Për më tepër, është kjo e vetmja xhami, apo Duka i vetmi
imam, që nuk është në juridiksionin e kësaj bashkësie. Duka i tha Radios Evropa
e Lirë se tani është në negociata për të zgjidhur problemin me Bashkësinë
Islame.
I nderuari kryeminam Sabri Bajgora na ka dhënë fjalën se shumë shpejt do të
afrohet, do të vijë këtu për të diskutuar çështjen e xhamisë dhe na ka dhënë
fjalën se unë do të shkoj atje, do ta zgjidhim këtë problem në mënyrën më të
bukur, më të mirë, që të kënaqet hoxha, banorët e fshatit dhe ne si Bashkësi
Islame, deklaroi Duka i cituar nga radio Evropa e Lirë.
Ky interesim për të negociuar me Bashkësinë Islame vjen pas disa vjet
shpërfilljeje që Duka i bëri kësaj bashkësie. Kryemimami i Kosovës, Sabri
Bajgora, thotë se nuk ka kurrfarë negociatash me Dukën.
Absolutisht, as që kam kontaktuar me të që nga viti 2003, as që kam negociuar
me Dukën, e as që kemi ndërmend të negociojmë me të. Z.Duka nuk i është
përmbajtur marrëveshjes së vitit 200