E Premte, 6 Nëntor 2026

Publikohet raporti global i shfrytëzimit të planetit, flet Limya Eltayeb, përfaqësuese e përhershme e PNUD-it

Intervistuesja – Faleminderit për intervistën. Kemi përpara një dokument shumë të rëndësishëm për të ardhmen, Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2020. Çfarë e bën këtë raport ndryshe nga të tjerët dhe cilat janë objektivat kryesore të këtij publikimi?

Limya – Së pari, mirëdita dhe faleminderit për ftesën. Ky raport, Raporti i Zhvillimit Njerëzor, i përgatitur nga UNDP, vjen në një moment shumë të rëndësishëm. Raporti flet për marrëdhënien ndërmjet njerëzve dhe planetit dhe se si njerëzit po ushtrojnë një trysni të jashtëzakonshme ndaj planetit për të garantuar progres dhe zhvillim në vendet e tyre përkatëse. Raporti i Zhvillimit Njerëzor, i cili është hartuar nga UNDP që në vitet 1990-të, nga Haq dhe Sen, të cilët gjatë periudhës që zhvilluan këtë matricë ishin në fakt laureatë të Çmimit Nobel, ka qenë gjithmonë vizionar. Ai është përpjekur të ndryshojë diskutimin global, nga një diskutim tërësisht ekonomik te një diskutim i fokusuar te zhvillimi njerëzor, kështu që prezantoi aspektet e arsimit dhe shëndetit, së bashku me aspektin e të ardhurave. Më pas, në vitin 1995, u hartua Raporti i Zhvillimit Njerëzor mbi çështjen gjinore, e në vijim u prezantuan matrica të reja për të përfshirë pabarazitë gjinore, pra pabarazitë ndërmjet burrave dhe grave. Më pas, në vitin 2010, pati një revolucion tjetër, i cili ishte Indeksi Shumëdimensional i Varfërisë dhe Indeksi i Pabarazisë. Pra, nuk është e mjaftueshme të themi që vendi në tërësi po bën progres por është e rëndësishme që të shohim edhe mangësitë e personave të marxhinalizuar, të cilët bien nën nivelin mesatar. Dhe kjo është pikërisht ajo që bëri Indeksi i Pabarazisë. Këtë vit, në 2020-ën, po ndodh një revolucion i ri. Po i themi botës që nuk mjafton thjesht të matësh të ardhurat, treguesit e shëndetit dhe arsimit por duhet gjithashtu të matim edhe ndikimin që kemi në planet sepse na nevojitet planeti për të ekzistuar. Duhet të ketë një balancë të re ku të mund të zhvillohemi por edhe të mbrojmë Tokën, dhe jo ta shkatërrojmë për brezat e ardhshëm, ndërkohë që ne rrisim nivelin e industrializimit, zhvillimit dhe investimeve tona. Këto janë elementë që po sjellin kosto aktualisht dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë gjë. Pikërisht këto aspekte trajtohen në raport.

Intervistuesja – Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen shoqëritë tona?

Limya – Raporti ka prezantuar dy matrica të reja tek Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI), te cilat  rregullojne trysninë mbi planetin ose PHDI. Dy matricat e reja që pasqyrojnë këtë dilemë të re të ndryshimeve klimatike, dhe dilemat dhe rreziqet me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit, janë shkarkimet e dyoksidit të karbonit për frymë dhe konsumi material për frymë. Kjo do të thotë që duhet të shqyrtojmë seriozisht mënyrën se si po e arrijmë zhvillimin. Nëse zhvillimi nuk fokusohet drejt burimeve të reja alternative të energjisë dhe distancimit nga lëndët djegëse fosile, nëse zhvillimi nënkupton dëmtimin e sipërfaqeve të pyjeve, të cilat prodhojnë oksigjenin që thithim, dhe shkakton ndotjen e shiut që rrit ushqimin tonë, atëherë në fakt ky është një zhvillim negativ. Nuk është një zhvillim pozitiv sepse kemi shkatërruar burimet e nevojshme për mbijetesën e njeriut. I kthehem edhe njëherë çështjes kryesore, marrëdhënies ndërmjet njerëzve dhe planetit. Gjatë shekujve të fundit kjo marrëdhënie ka pësuar ndryshime dhe tashmë njerëzit kanë ndikim negativ te planeti, më shumë se kurrë më parë. Gjatë 5 viteve të fundit, është rritur me 60 milionë numri i njerëzve të uritur. Ju kërkoj ndjesë, sipas raportit të FAO-s, gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 50 milionë numri i njerëzve të prekur nga uria. Gjatë 20 viteve të fundit, numri i katastrofave me të cilat jemi përballur është rritur me 75%. Reflektoni pak mbi këtë shifër, 75% më shumë katastrofa dhe kjo nuk është diçka e re. Shkencëtarët kanë folur për numrin dhe shkallën e ashpërsisë së uraganeve. Kemi parë zjarre në pyje edhe në Shqipëri, kemi përjetuar tërmete. Shqipëria u godit nga tërmeti i nëntorit – ky ishte nje-vjetori. Jemi dëshmitarë të kësaj pandemie të re, e cila ka ardhur si pasojë e mungesës së balancës në habitatin natyror dhe faunën e egër. Kjo pandemi është pandemia e ndryshimeve klimatike dhe ne duhet ta kuptojmë këtë gjë. Prandaj them se ky raport vjen në momentin e duhur pasi na thotë se nuk mund të kthehemi mbrapsht. Ky raport shërben si një alarm zgjimi. Le ta përdorim për të ndryshuar marrëdhënien ndërmjet mënyrës se si arrijmë zhvillim dhe mënyrës se si mbrojmë Tokën. Duhet të ketë një qasje të re për zhvillim dhe progres, e cila mbron dhe respekton Tokën. Atëherë, çfarë tregon kjo matricë e re. Nëse më parë një shtet i caktuar ka pasur një renditje të lartë në listën e HDI-ve të shteteve, në momentin që indeksi i tij rregullohet me nivelet e lëndëve djegëse fosile, faunën e egër, shkarkimet e CO2 dhe konsumin, atëherë do të shohë se mund të mos ketë të njëjtin pozicion të lartë në listë. Ky është një revolucion i ri. Matricat që përdoren në këtë raport janë të ndryshme nga matricat e mëparshme dhe kjo e bën të vështirë krahasimin, por kjo metodë është më e qartë dhe më e saktë.

Intervistuesja – Cilat janë transformimet e përgjithshme që parashikohen në raport për shoqëritë tona?

Limya – Në nivel global, raporti prezanton 3 fusha, në të cilat mund të realizohen ndryshime transformuese nga qeveritë. Fusha e parë është gjetja e zgjidhjeve me bazë natyrën dhe për këtë fushë janë prezantuar 20 zgjidhje. Për ta përgjithësuar, shumica e këtyre zgjidhjeve lidhen me shtigjet pyjore. Pra, janë zgjidhje përmes të cilave mbrohen pyjet, hartohen masa të reja për menaxhimin e pyjeve dhe garantohet rritje e nivelit të pyllëzimit dhe mbjelljes së pemëve si një mënyrë për të realizuar disa gjëra: së pari, prodhon më tepër oksigjen; së dyti gjeneron më tepër shi, çka është diçka që na nevojitet në nivel global; por gjithashtu sjell edhe rritje të prodhimit ushqimor dhe përmirësim të habitateve të faunës së egër. Pra, këto zgjidhje me bazë natyrën kanë disa efekte. Ndryshimi i dytë transformues lidhet me incentivat e dhëna nga qeveria dhe sektori privat. Aktualisht, qeveritë në mbarë botën kanë alokuar para publike për të subvencionuar lëndët djegëse fosile. Në nivel global, lëndët djegëse fosile kushtojnë 5 trilionë dollarë në vit, pra çdo vit 6,5% e PBB-së globale. Kjo është një incentivë tejet e dëmshme për Tokën. Si mund të kemi politika dhe incentiva financiare që nuk mbështetin mjedisin dhe nuk marrin në konsideratë ndryshimet klimatike. Pra, është e nevojshme të ndryshohet kjo dinamikë për dhënien e incentivave edhe në fusha të tjera. Aktualisht, ne dimë se ka burime të tjera energjie jofosile, të cilat kanë të njëjtën çmim dhe në disa raste janë më të lira se lëndët djegëse fosile. Pse nuk jepen incentiva për këto burime në vend të lëndëve djegëse fosile? Dhe si mund ta ndryshojmë këtë dinamikë në mënyrë që të flasim për investime dhe politika qeveritare, të cilat ndryshojnë dhe transformojnë realisht këtë marrëdhënie të re ndërmjet njerëzve dhe planetit. Fusha e tretë është dimensioni social, pra si të ndryshojmë sjelljen njerëzore, sjelljen tonë. Në këtë aspekt, ju, mediat, luani një rol mjaft të madh. Njerëzit duhet t’i dinë këto shifra, të dinë problemet që ekzistojnë në realitet. Nuk mund të kemi biznese, investime apo politika të cilat në fund do të shkatërrojnë Tokën ku jetojmë. Edhe nga pikëpamja e biznesit, nëse ju shterojnë burimet, të cilat janë produktet natyrore për një biznes, atëherë ke dëmtuar aktivitetin tënd në terma afatgjatë. RZhNj (Raporti i Zhvillimit Njerëzor) është një mënyrë për të ndihmuar sepse po ofrojmë një instrument, të cilin mund ta përdorim bashkërisht në nivel global për të monitoruar performancën tonë në nivel global, sipas kontinentit dhe sipas shtetit. Në këtë mënyrë, mund të shohim vit pas viti nëse po bëjmë realisht progres, por është shumë e rëndësishme rritja e ndërgjegjësimit, ndryshimi i sistemit të vlerave dhe angazhimi i të gjithë njerëzve nga të gjitha vendet në këtë debat. Vitin e kaluar pamë lëvizjen “Greta”, e cila nisi me rininë. Do të më pëlqente të shikoja një lëvizje “Greta” në çdo shtet, të udhëhequr nga rinia dhe brezi i ri, por kjo do të thotë që nevojitet rritje e ndërgjegjësimit por ndoshta edhe përfshirje e këtyre temave në kurrikulat shkollore, në mënyrë që të rinjtë të jenë në dijeni të këtyre problemeve.

Intervistuesja – Ku qëndron Shqipëria në këtë proces transformues? Mund të na jepni një përmbledhje të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor për vitin e kaluar?

Limya – Atëherë, HDI (Indeksi i Zhvillimit Njerezor) per Shqiperine nuk paraqet vleren per vitin e kaluar, pasi ne punojme me te dhenat qe kemi te disponueshme. HDI bazohet në të dhënat e vitit 2019. Pra, duhet ta kemi gjithmonë parasysh këtë gjë. Sa herë që shohim të dhënat nga Raporti i Zhvillimit Njerëzor duhet të kemi parasysh se të dhënat i takojnë 2 viteve më parë, pra përpara pandemisë dhe koronavirusit. Duhet të sigurohemi që të mos kemi keqkuptime me mesazhin e raportit. Shqipëria ka një indeks prej 0,69 çka do të thotë që e ka tejkaluar vlerën kufi prej 0,6 për vendet me HDI të lartë, por nëse e rregullojmë me indeksin e pabarazisë, të gjinisë ose të presionit mbi planetin, do të shohim se ka një rënie dhe ndryshim të indeksit bazë të HDI-së. Një pjesë ku do të fokusohem është indeksi gjinor. Jemi në dhjetor dhe në dhjetor është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu, javën e kaluar, hymë në 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Për sa i përket fuqizimit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në parlament, i cili është një nga indekset, Shqipëria ka arritur një kuotë prej pothuajse 30% të pjesëmarrjes së grave në parlament, çka konsiderohet një hap pozitiv përpara. Për sa i përket pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore, rreth 47% e tyre janë pjesë e fuqisë punëtore, por nëse shohim përqindjen e pronarëve të bizneseve në Ballkanin Perëndimor, vetëm 27% e tyre janë gra. Për sa i përket sektorit të arsimit, shohim se në Shqipëri, përqindja e femrave të diplomuara në gjimnaze ose universitete është pak më e lartë se përqindja e meshkujve, përkatësisht 93% për femrat dhe 92% për meshkujt. Është një situatë mikse. Në disa fushe ka zhvillime pozitive për sa i përket indeksit të pabarazive gjinore dhe indeksit të dimensionit gjinor ndërsa në fusha të tjera, si pronësia e bizneseve apo pronësia e tokës nga gratë dhe dhuna me bazë gjinore, duhet të bëjmë më shumë punë. Megjithatë në përgjithësi, indeksi për Shqipërinë vazhdon të jetë pozitiv edhe kur përshtatet me dimensionin gjinor.

Intervistuesja – Faleminderit për intervistën! Shpresojmë se do ta përmbushim këtë objektiv.

Limya – Shpresojmë vërtetë që po dhe pres me padurim që të punojmë së bashku në të gjitha kanalet mediatike për të rritur ndërgjegjësimin dhe për ta kthyer këtë çështje në një temë që mbetet vazhdimisht pjesë e tryezave të diskutimeve dhe e fokusit jo vetëm të qeverisë në nivel qendror e vendor, por edhe të shoqërisë civile, sektorit privat dhe individëve të zakonshëm, të cilët duhet të mbrojnë ambientin dhe mjedisin e tyre.

Intervistuesja – Faleminderit!

Limya – Faleminderit!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›